Banorët e disa fshatrave në njësitë administrative të Bulqizës, prej 4 ditësh pa energji elektrike

523
Gabina elektrike e djegur në lagjen "Kice", Fushë - Bulqizë

Banorët e disa fshatrave në njësitë administrative të Bulqizës, prej katër ditësh po përballen me mungesë të energjisë elektrike. Banorët që kanë raportuar në kategorinë “TI RAPORTO” të Bulqizaime.al, shprehen se për një problem të tillë janë ankuar edhe pranë OSHEE-së, por pa zgjidhje.

Situata më problematike paraqitet në njësinë administrative Fushë – Bulqizë, ku në lagjen “Kice”, djegia e transformatorit të energjisë ka lënë prej ditësh në errësirë 25 familje.

Mësohet se shkak është bërë dëmtimi i linjave si pasojë e reshjeve të fundit të dëborës dhe shiut që kanë “mbërthyer” vendin prej disa ditësh. Sipas banorëve, këto fshatra prej vitesh po përballet me defekte të shpeshta dhe me mungesë të energjisë elektrike, megjithëse janë pagues të rregullt ndaj faturave të OSHEE-së.

Në pjesën dërrmuese të fshatrave në Bulqizë, investimet e fundit në rrjetin shpërndarës të energjisë janë ato të vitit 1968-të, ku përfundoi edhe elektrifikimi në Shqipëri. Ditët e fundit, në shumë fshatra energjia elektrike është kthyer pas punës vullnetare të vetë banorëve, duke ngritur shtyllat e rrëzuara dhe lidhur përcjellësit e energjisë.

Prej disa ditësh, banorët e fshatrave të Shupenzës, Gjoricës, Zerqanit, Ostrenit dhe Trebishtit po përballen gjithashtu edhe me stakime të shpeshta të energjisë elektrike, çka ka sjellë dëme në pajisjet elektro-shtëpiake.