Banorët dhe organizatat bashkohen për të pastruar Liqenin e Dibrës nga mbeturinat plastike

521
Bregu i Liqenit të Dibrës në Maqedoninë e Veriut.

Bregu i Liqenit të Dibrës në Maqedoninë e Veriut u pastrua nga mbeturinat në një aksion të përbashkët mjedisor, që mblodhi dhjetëra qytetarë të moshave të ndryshme. Aksioni përfshiu zonat më të frekuentuara për pushuesit si edhe plazhi, duke larguar sasi të mëdha mbeturinash plastike.

Iniciativa u organizua nga Shoqata e Peshkatarëve Sportivë “Trofta”, në bashkëpunim me shoqata ekologjike, organizata qytetare, ndërmarrjen publike të pastrimit “Standardi”, shkollat, kompanitë private dhe pushtetin lokal. Pjesëmarrësit u pajisën me doreza, qese plastike, bluza me mesazhin “Për një liqe të pastër” dhe pije freskuese.

Pastrimi i bregut të liqenit. Foto: Shoqata e Peshkatarëve Sportivë “Trofta”

Ky ishte aksioni i parë për këtë vit dhe u vlerësua si i suksesshëm për nga përfshirja dhe ndikimi. Pastrimi përfshiu edhe përdorimin e barkave për grumbullimin e mbeturinave brenda liqenit.

Pavarësisht këtyre përpjekjeve, ndotja e liqenit të Dibrës vazhdon, sidomos gjatë pranverës kur Lumi Radika sjell mbeturina nga deponitë e egra në zonën e Rekës së Poshtme. Një problem i ngjashëm ekziston edhe në përroin e Zhupës. Ekologët lokalë kanë propozuar vendosjen e një rrjete metalike tek ura e Kosovrastit për të ndaluar futjen e mbeturinave në liqen, por ky projekt ende nuk është zbatuar.

Ndotja e ujërave nuk njeh kufij shtetërorë dhe përhapet lehtësisht nga një territor në tjetrin përmes lumenjve, liqeneve dhe rrjedhave nëntokësore. Substancat e rrezikshme që shkarkohen në ujërat e Maqedonisë së Veriut, përmes lumenjve si Radika dhe Drini i Zi, mund të transmetohen drejt Shqipërisë, duke ndikuar negativisht në cilësinë e ujit, biodiversitetin dhe shëndetin e banorëve përgjatë zonave kufitare.

Përfaqësues të shoqatave “Trofta” dhe “Drita” bënë thirrje për angazhim të vazhdueshëm dhe zgjidhje sistematike për ruajtjen e këtij burimi natyror.