Banorë dhe aktivistë, protestë para Gjykatës Administrative të Apelit për shqyrtimin e ankimimit që lejon ndërtimin e HEC-eve në Zall Gjoçaj

258
Gjatë protestës së banorëve të Zall Gjoçaj dhe aktivistë, para Gjykatës Administrative të Apelit për shqyrtimin e ankimimit që lejon ndërtimin e HEC-eve në këtë zonë. Foto: Citizens Channel

Banorët e fshatrave të Zall Gjoçaj në Mat, kanë protestuar këtë të mërkurë para Gjykatës Administrative të Apelit, për zvarritjen prej më shumë se një vit të çështjes kundër ndërtimit të Hec-eve në Parkut Kombëtar Lurë – Dea. Në këtë protestë, banorët kishin marrë me vete këmborët e bagëtive, që për ta simbolizojnë “zgjimin e drejtësisë nga gjumi” ku është futur.

“U bë thuajse një vit që kur ne kemi dorëzuar ankimet dhe me gjithë kërkesat tona për përshpejtim të procedurës nuk kemi ende asnjë reagim. Kompania ndërtuese vijon punimet për ndërtimin e HEC-it brenda një parku kombëtar, ku me ligj nuk lejohet që as bagëtitë të kullosin.” thuhet në deklaratën e mbajtur në hyrje të gjykatës. Për banorët, shqyrtimi i kësaj çështje nga Gjykata Administrative e Apelit është urgjente, pasi çdo ditë e humbur mund të sjellë dëme të pandregjshme në ekonominë e zonës.

Koncesioni për ndërtimin e HEC-eve në zonën e mbrojtur të Zall Gjoçajt e ka zanafillën në vitin 2013, ndërsa leja e ndërtimit në favor të kompanisë Seka Hydropower u miratua vjeshtën e vitit 2018. Megjithë këmbënguljen e protestuesve dhe djegien e disa makinerive, kompania ka vijuar punën dhe HEC-et janë afër fundit, edhe pse sipas banorëve dhe sipas Gjykatës Administrative të shkallës së parë, paligjshmëria në to është e dukshme.

Për Dhimitër Kolecin, një nga banorët protestues që prej fillimit të punimeve për ndërtimin e HEC-eve, mbajtja pezull e shqyrtimit të çështjes nga Gjykata Administrative e Apelit është një tallje për ta. “Dora e zezë që po ndërton në Parkun Kombëtar të Zall Gjoçaj i ka lënë në harresë dosjet dhe dokumentat në syrtarët e gjykatës. Vetëm në rastin e ndërtimit të HEC-it në parkun Kombëtar të Zall Gjoçaj, janë mbi dhjetë shkelje ligjore.” Shprehet Koleci.

Protestuesit kanë siguruar vetëm “fitore të vogla” në Gjykatë, ku njëra prej padive solli anulimin e licencës së kompanisë për të prodhuar energji nga HEC-i Zais –që ndodhet brenda zonës së mbrojtur. Për Adem Gjokolën, është e çuditshme që kompania të mos lejohet të prodhoj energji në një park kombëtar dhe nga ana tjetër të lejohet që të përfundojnë punimet për shtrirjen e tubacionit. “Janë mbi 2500 bagëti, bletë që do të ngordhin për ujë. Sepse këto e kanë future në tuba, e kanë ndryshuar rrjedhën e lumenjëve në 28 km. E kanë tharë, e kanë zhdukur edhe peshkun troftë.” u shpreh Gjokola.

Në deklaratën e grupimit “Mbro Parkun Kombëtar Zall-Gjoçaj” thuhet se vonesa e shqyrtimit të çështjes nga Gjykata Administrative e Apelit, ka sjellë që punimet vazhdojnë në park kombëtar. “Drejtësia e vonuar çdo ditë e më shumë bëhet drejtësi e mohuar. Dëmtimi i parkut kombëtar, tharja e tokave për kilometra të tëra dhe pamundësimi i jetës për dhjetëra fshatra në mungesë të ujit e bëjnë trajtimin e çështjes urgjente. Lënia pa ujë e banorëve nuk është investim, por dëbim.”

Banorët e Zall Gjoçaj në shkurt të këtij viti paditën në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ministrin e Mjedisit Blendi Klosi dhe zyrtarë të lartë të kësaj ministria, por edhe kryetarin e Bashkisë Mat Agron malaj për lejimin e ndërtimit të HEC-eve Sekë dhe Zais në zonën Lurë – Dea.

Banorët ngritën 7 akuza ndaj zyrtarëve dhe kompanisë; shpërdorim detyre, falsifikim të dokumenteve, ndotje të ujit dhe tokës në zona të mbrojtura, shkatërrim të rrjetit të vaditjes, shkatërrim të ujësjellësit, shkatërrim prone dhe dhunim të varreve.