Atentati në Bulqizë, Policia shpall në kërkim dy vëllezër: Qëlluan me armë drejt 41-vjeçarit

1864

Pas denoncimit të ish-deputetit të PD, Xhemal Gjunkshi se në Bulqizë kishte ndodhur një atentat, ka reaguar edhe Policia e Shtetit.

Në një njoftim për mediat, Policia e Shtetit njofton se ka shpallur në kërkim dy vëllezër, pasi dyshohet se kanë qëlluar me armë në drejtim të shtetasit B.D, 41-vjeç.

NJOFTIMI I PLOTË I POLICISË

Policia e Bulqizës ka  shpallur në kërkim policor dy vëllezër  pasi  dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit  B.D. në qytetin e Bulqizës.

Rreth orës 12.00, në vendin e quajtur “Unaza e Re,”  Bulqizë, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjetit të shtetasit B.D, 41 vjeç, i cili është dëmtuar lehtë në dorë dhe pasi ka  marrë ndihmë mjekësore ka dalë nga spitali.

Policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe falë veprimeve të shpejta hetimore të kryera nga ekspert të D.V.P Dibër në bashkëpunim me Policinë e Bulqizës, është bërë identifikimi dhe shpallja  në kërkim e shtetasve:  A.T, 26 vjeç, dhe M.T, 32 vjeç, (vëllezër) si autorët e dyshuar të kësaj ngjarje.

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur  për motive të dobëta.

Nga ana e policisë janë ngritur pika kontrolli dhe po krihet zona për kapjen e tyre.

Materialet hetimore do ti referohen Prokurorisë Dibër për veprat penale “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake”.