Arsimi si “patate e nxehtë” në fushatën elektorale

342

*NGA DR. JONILA GODOLE

Ndër premtimet më të rëndësishme që partitë aspirante për pushtet kanë bërë gjatë fushatës elektorale 2017 është arsimi. PD në programin e saj e cilëson arsimin me shkronja të mëdha “prioritet kombëtar”, duke u premtuar prindërve ndryshime konkrete: shkolla me orar të plotë, dreka të paguara për fëmijët e tyre dhe stazhe me pagesë për studentët gjatë dhe pas studimeve, universitet më të mirë publik; kurse LSI dëshiron të sjellë modelin e suksesshëm finlandez me një sistem të integruar nga parashkollori në atë universitar. PS nuk ka folur shumë për arsimin gjatë fushatës, por në të ashtuquajturin “Manifesti për Shqipërinë që duam” thekson si prioritet ndërtimin e shkollave të reja, formimin profesional, por edhe futjen e ushqimit në shkolla, pa saktësuar mënyrën e financimit. Në letër të gjitha këto premtime duken pozitive dhe shpresëdhënëse, në disa raste madje ngjajnë si risi. Por t’i marrim me radhë: Rikonstruksioni dhe ndërtimi i shkollave të reja natyrisht është dhe duhet të jetë një prioritet i të gjitha qeverive, por vetëm investimi te godinat nuk mjafton, duhet vënë gishti në plagë, dhe kjo ka qenë dhe mbetet cilësia në arsim. Dhe kjo nuk është garantuar me gjithë përpjekjet e bëra dhe reformat e ndërmarra për arsimin para- dhe pasuniversitar.

Ta zëmë se kjo cilësi mund të përmirësohet në terma afatgjatë nëse do të ndjekim një model adekuat, si ai finlandez apo gjerman. A kanë partitë studime paraprake se si do të zbatohen këto modele në praktikë? Si do të përshtatej, p.sh., modeli finlandez në terrenin shqiptar? Në Gjermani, për shembull, ai nuk aplikohet dot sepse mësimi bazohet thellësisht te faktet, më shumë se te kauzaliteti që është në qendër të edukimit finlandez bashkë me mësimin e pavarur të vetë nxënësve. Kurse modeli shqiptar ka ngecur te mësimi përmendsh, ku dija është punktuale dhe e shkëputur nga ballafaqimi analizues me realitetin, fakte të reduktuara vetëm në lëndët ekzakte (historia është më shumë trivialitet?!). Qasja e Finlandës ndaj shkollimit lidhet edhe me prioritetin e tyre për të rigjetur identitetin pas pushtimeve suedeze dhe ruse përmes gjuhës, kulturës dhe arsimit, gjë që në Shqipëri u synua të bëhej gjatë regjimit komunist, me rëndësinë e madhe që iu kushtua ngritjes së institucioneve shkencore, etimologjike e kulturore, megjithëse nën një kornizë të fortë indoktrinuese dhe propaganduese. Pas 1990-s, këto institucione jo vetëm nuk u modernizuan siç pritej, por u shkatërruan ose u braktisën fare. Modele frymëzuese suksesi në botë ka plot, profesionistë në vend ka, por nuk kemi platforma strategjike afatgjata që të kenë prioritet mirëqenien dhe konkurrueshmërinë e shqiptarëve sot e mot!

Në programet e tyre, partitë nuk thonë konkretisht se si do të vihen në jetë aspiratat e tyre për një arsim më të mirë, më të kualifikuar dhe realisht konkurrues. Vizioni i PS-së është “barazia sociale në arsim”, kuptohet, në përputhje me frymën e saj ideologjike. Kushte të barabarta shkollimi për të gjithë – lexohet bukur, por a nuk e kemi pasur këtë model nga 1990-a deri më sot dhe ka rezultuar i pasuksesshëm? A mos duhej të kërkoheshin rrugë të reja, vizion i ri afatgjatë i bazuar në diferencimin dhe jo në barazimin, sepse vetëm një sistem arsimor i diferencuar me oferta konkurruese mund të plotësonte nevojat e ndryshme të nxënësve shqiptarë që futen pa mëshirë në një thes (d.m.th. gjimnaz) pavarësisht nivelit, prirjeve dhe veçantisë së secilit, – për të përfunduar të gjithë në Universitet. Shkolla gjeneraliste, ku ulen bashkë të talentuar dhe të painteresuar ka dështuar si model.

Kërkohen me urgjencë alternativa të tjera: gjimnaze profesionale dhe shkencore, shkolla të profesioneve teknike aq të kërkuara në treg, pra një sistem i organizuar sipas niveleve të formimit dhe aftësisë së nxënësve. Nuk bëhet fjalë për të përkrahur njërën shkollë dhe lënë pas dore tjetrën, por për të ofruar një ekuilibër të ndershëm mes tyre, duke pasur si synim cilësinë sa më të lartë të mësimit. Mungesën e cilësisë së arsimit ofruar në hallkat parauniversitare nuk e korrigjon dot universiteti, sado i mirë të jetë. Deri tani politikat për pranimet në universitet u kanë shërbyer politikave shtetërore të uljes false të numrit të papunë- sisë duke “punësuar” gati çdo të ri e të re fillimisht në “fakultete”, duke i zvarritur nja pesë e më shumë vjet në ingranazhin bachelor e master dhe, pas marrjes së kartonit (diplomës), për t’i lënë në mëshirë të fatit në tregun e parregulluar të punës. Dhe kjo politikë populiste duket se do të vazhdojë, meqë sapo janë aprovuar shifrat e reja më të larta të pranimeve në fakultete, edhe pse nuk ka kapacitete në burime njerëzore, hapësira për mësimdhënie masive, mungesë teknologjie etj.

Premtimet në fushatë për arsimin janë një “patate e nxehtë” për vetë atë që i propozon. Ato vuajnë nga të njëjtat dobësi si reformat që ndërmerren në Shqipëri në përgjithësi: të pathelluara, të improvizuara shpejt e shpejt në moment të fundit, duke imituar modele të huaja, pa i përshtatur ato me kushtet e Shqipërisë, pa bërë studime afatgjata për fushën ku do të aplikohen reformat ose, në rastin më të keq, pa i konsideruar aspak studimet që mund të jenë bërë më parë në këtë fushë, kujto miratimin e ligjit të arsimit të lartë, pavarësisht kontestimeve. Problematike mbetet edhe qasja e çdo qeverie për ta nisur reformimin nga zero në çdo drejtim, duke injoruar çdo gjë që mund të ketë qenë e suksesshme në qeverinë e shkuar. Prandaj të premtosh për arsimin sot dhe të mos shpalosësh vizionin se çfarë vendi synon të arrijë shkolla shqiptare në tregun konkurrues rajonal dhe ndërkombëtar në terma afatmesme dhe afatgjata, duket e pabesueshme dhe thjesht populizëm elektoral!

Kritikët e kësaj qasjeje do të arsyetojnë se nxënësit dhe studentët shqiptarë na “nderojnë” kur pranohen në shkollat perëndimore, që nënkupton sipas tyre se shkolla shqiptare është “e fortë”. Por suksesi individual njerëzor nuk mund të merret kurrsesi si një indikator matës për cilësinë e arsimit tonë. Kush ka studiuar jashtë të paktën një cikël të plotë studimesh e di mirë me çfarë diferencash në formim, analizë dhe shprehi shkencore përballet jashtë. Modeli i shkollimit tonë fabrikon “papagallë” dhe qytetarë që i binden nga frika dje mësuesit, sot pushtetit. Është flagrante që pas dy dekadash ne si shoqëri vazhdojmë ta tolerojmë shkatërrimin e arsimit brenda vendit duke mbyllur gojën, sytë dhe veshët. Ëndrra e çdo shqiptari për t’i ofruar fëmijës së vet një shkollim cilësor jashtë vendit vetëm sa e legjitimon dështimin e politikave arsimore të provuara deri tani.

Por mbase u biem kot më qafë partive. Mbase ato e kanë platformën strategjike gati, dhe do të na e servirin më vonë, pas fushatës, nëse fitojnë. Mbase kanë edhe studime të reformimit me rrënjë të arsimit dhe mësimdhënies. Mbase kanë menduar edhe prioritete për mbështetjen e shkencës dhe teknologjisë që Shqipëria të futet realisht në shekullin e 21-të. Përvoja e të shkuarës na mëson të jemi skeptikë, por nevoja për të ecur përpara na e do të mbetemi optimistë.