ARRSH hap tenderin 5 milionë euro për lidhjen e Unazës Verilindore me Rrugën e Arbrit, synohet zhbllokimi i një prej nyjeve më problematike të hyrjes në Tiranë

1035
Projekti i rrugës nga ARRSH

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur procedurën e prokurimit për ndërtimin e rrugës lidhëse mes Unazës Verilindore të Tiranës dhe Rrugës së Arbrit, një investim me fond limit 491.3 milionë lekë pa TVSH, ose rreth 5 milionë euro. Projekti synon të përmirësojë një nga nyjet më të rëndësishme të qarkullimit në hyrjen verilindore të kryeqytetit, e cila prej vitesh përballet me mbingarkesë të konsiderueshme të trafikut, veçanërisht pas hapjes së plotë të Rrugës së Arbrit.

Rruga e Arbrit është një nga akset kombëtare më të rëndësishme të ndërtuara në vitet e fundit, pasi lidh Tiranën me qarkun e Dibrës dhe me Pikën e Kalimit Kufitar të Bllatës, duke krijuar korridorin më të afërt rrugor me Maqedoninë e Veriut. Hapja e plotë e këtij aksi ka sjellë një rritje të ndjeshme të numrit të automjeteve që hyjnë çdo ditë në kryeqytet, jo vetëm nga Dibra, por edhe nga transporti i mallrave dhe lëvizjet ndërkufitare.

Megjithatë, ndërsa kapaciteti i Rrugës së Arbrit është rritur ndjeshëm, segmenti që lidh fundin e saj me Unazën e Madhe të Tiranës ka mbetur një nga pikat më problematike të qarkullimit. Në orët e pikut, gjatë fundjavave dhe sidomos në sezonin veror, kjo nyje kthehet në një “hinkë” ku krijohen kolona të gjata automjetesh, duke zgjatur ndjeshëm kohën e udhëtimit drejt kryeqytetit.

Sipas dokumentacionit teknik, segmenti që do t’i nënshtrohet rikonstruksionit ka një gjatësi prej rreth tre kilometrash dhe aktualisht paraqet një gjerësi që varion nga shtatë deri në dhjetë metra. Edhe pse rruga është e asfaltuar, ekspertët kanë konstatuar dëmtime të shumta në shtresën asfaltike, me çarje dhe gropa që ndikojnë negativisht në sigurinë dhe cilësinë e qarkullimit.

Projekti parashikon zgjerimin e aksit në një profil modern me gjerësi kaluese prej 12 metrash, të ndarë në dy korsi me nga gjashtë metra secila dhe një ndarëse qendrore një metër të gjerë. Në të dy anët e rrugës do të ndërtohen trotuare të reja me gjerësi dy metra, ndërsa do të realizohen edhe kuneta anësore për sistemimin e ujërave sipërfaqësore. Ndërhyrja përfshin gjithashtu rehabilitimin e plotë të shtresave rrugore, sinjalistikë të re horizontale dhe vertikale, ndriçim LED përgjatë gjithë aksit, akses për personat me aftësi të kufizuara, si dhe gjelbërim e mobilim urban.

Raporti teknik evidenton se një nga problemet kryesore të segmentit nuk lidhet vetëm me asfaltin e dëmtuar. Trotuaret përgjatë rrugës rezultojnë të amortizuara dhe në shumë pjesë nuk ofrojnë kushte normale për lëvizjen e këmbësorëve. Kjo situatë prek veçanërisht personat me aftësi të kufizuara, të moshuarit dhe fëmijët, për të cilët infrastruktura aktuale nuk garanton standarde minimale sigurie.

Një tjetër problem i evidentuar është ndriçimi publik. Aktualisht ai ekziston vetëm në segmente të caktuara të rrugës, ndërsa pjesë të konsiderueshme të aksit mbeten të pandriçuara gjatë natës, duke rritur rrezikun për aksidente dhe duke ulur sigurinë për banorët e zonës.

Po aq problematik paraqitet edhe sistemi i kanalizimeve. Dokumentacioni teknik thekson se rrjeti ekzistues është ndërtuar kryesisht me tubacione betoni të amortizuara dhe nuk është më i aftë të përballojë fluksin aktual të ujërave. Në shumë raste sistemi është i përzier, pa ndarje mes ujërave të bardha dhe atyre të zeza, ndërsa gjatë reshjeve intensive krijohen përmbytje të përkohshme në disa segmente të rrugës. Për këtë arsye projekti parashikon rehabilitimin dhe zgjerimin e plotë të rrjetit të kanalizimeve, duke ndërtuar një sistem më funksional dhe më të përshtatshëm për nevojat aktuale.

Sipas raportit teknik, gjendja e amortizuar e infrastrukturës ka sjellë pasoja jo vetëm në aspektin e qarkullimit rrugor, por edhe në zhvillimin ekonomik dhe social të zonës. Bizneset lokale përballen me vështirësi në furnizim dhe në lëvizjen e klientëve, ndërsa infrastruktura e degraduar kufizon përdorimin normal të hapësirave publike dhe ul atraktivitetin e zonës për investime të reja. Nga ana tjetër, mungesa e sistemeve efikase të drenazhimit rrit rrezikun e përmbytjeve dhe ndikon negativisht edhe në aspektin mjedisor.

Në raport nuk specifikohet numri i pronave që preken dhe sipërfaqja që do të shpronësohet, duke lënë të paqartë një nga elementët më të rëndësishëm të zbatimit të investimit.

Preventivi i përgjithshëm i projektit është përllogaritur në rreth 672 milionë lekë me TVSH, ndërsa fondi limit i tenderit të hapur nga ARRSH është 491.3 milionë lekë pa TVSH. Financimi do të mbulohet nga Buxheti i Shtetit, ndërsa kontrata parashikon një afat realizimi prej 18 muajsh. Procedura e tenderimit është shpallur më 20 korrik 2026 dhe operatorët ekonomikë kanë afat deri më 5 gusht 2026 për dorëzimin e ofertave.

REKLAMË