Policia e Bulqizës ka arrestuar drejtuesin teknik të subjektit privat minerar ku humbi jetën minatori 40-vjeçar Ilir Kalaveri, pas aksidentit tragjik të ndodhur më 1 gusht në zonën e Tërnovës së Madhe.
Në pranga është vënë shtetasi P. K., 63 vjeç, banues në fshatin Vajkal të Bulqizës, i cili ushtronte detyrën e drejtuesit teknik në subjektin minerar “Eternal Security”, ku ndodhi aksidenti fatal.
Sipas njoftimit të Policisë, arrestimi u krye pas veprimeve hetimore të zhvilluara për ngjarjen, nga të cilat dyshohet se 63-vjeçari, në cilësinë e drejtuesit teknik të minierës, nuk ka zbatuar rregullat e mbrojtjes në punë, duke sjellë si pasojë aksidentimin me vdekje të minatorit.
Ilir Kalaveri, 40 vjeç, me banim në Klos dhe me detyrë minator/brigadier, ra në një furnelë gjatë procesit të punës dhe u mbulua nga materiali i kromit. Pas një operacioni disaorësh të kërkim-shpëtimit, ekipet arritën të nxirrnin trupin e tij të pajetë nga galeria.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Bulqizë referuan materialet procedurale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër. Ndaj drejtuesit teknik rëndon akuza për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Ngjarja ka rikthyer edhe një herë në vëmendje problematikat e sigurisë në minierat e Bulqizës, ku ndër vite janë regjistruar një sërë aksidentesh me pasoja fatale.










