Anulimi i zgjedhjeve/ Bashkia Bulqizë “i bindet” dekretit të Metës

1516
Melaim Damzi dhe Ilir Meta, në fushatën e zgjedhjeve vendore 2015-të.

Paraditen e së premtes, një grup bashkishë me kryetar nga Partia Demokratike dhe LSI, i kanë dërguar një letër KQZ-së, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të ambienteve të KZAZ-ve dhe heqjen e listës së zgjedhësve të afishuar në institucione. Një vendim i tillë vjen pas botimit në fletoren zyrtare të dekretit të Presidentit Ilir Meta, për anulimin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit.

Bulqiza ime kontaktoi me telefon kreun e Bashkisë Bulqizë, Melaim Damzi nëse do të ndiqej shembulli i bashkive të tjera që kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të ambienteve të KZAZ-ve. Damzi deklaroi se edhe Bashkia Bulqizë do të respektojë dekretin e Presidentit Meta, që anulon 30 qershorin si datën për mbajtjen e zgjedhjeve vendore 2019-të.

“Bashkia Bulqizë do të marrë të njëjtin vendim ashtu si edhe bashkitë e tjera. Është një dekret nga ana e Presidentit të Republikës dhe që do të respektohet.” u shpreh Damzi.

Bashkia Mat dhe Kukës ishin të parat që ndërmorën një kërkesë të tillë drejtuar KQZ-s për lirimin e menjëhershëm të ambienteve të KZAZ-ve dhe heqjen e listës së zgjedhësve të afishuar në institucionet nën varësi të këtyre bashkive.