Aktivizmi në Shqipëri midis sfidave dhe arritjeve, si po e përmirëson shoqërinë

Peizazhi i aktivizmit në Shqipëri, përmes shembujve konkretë, që paraqesin sfidat e arritjet për përmirësimin e shoqërisë shqiptare dhe organeve qeverisëse.

647
Protestë e “Bicycle Durrës” përpara bashkisë Durrës me kërkesën për ndërtimin e pistave të biçikletave. 15 shtator 2019. Foto: Geri Emiri.

Lorena Prifti banon në fshatin Hastrukas të Fierit. Për të shkuar në qytet automjeti duhet të përshkojë 25 km mbi asfalt. Banorët e 6 fshatrave lidheshin me Fierin përmes linjës së vetme të transportit.

“Kjo jo vetëm që izolonte zonën, por sillte edhe pasoja për breza me radhë. Në qytetin e Fierit ka shumë shkolla profesionale, por që të rinjtë detyroheshin të mos shkonin për shkak të mungesës së transportit”, kujton Lorena, në atë kohë ende gjimnaziste.

Në vitin 2015 ajo kontaktoi Qendrën Epoka e Re, një Organizatë Jo-Qeveritare dhe së bashku në 2 vite zhvilluan takime në Këshillin Bashkiak. Prej vitesh banorët ja përcillnin si kërkesë çdo kandidati në zgjedhjet e radhës, por pa rezultat.

Lorena, në atë kohë vetëm 17 vjeçe arriti të bind bashkinë Fier që të detyronte personin që kishte licensën, që të shtonte oraret e transportit dhe të ulte çmimin. Lorena u kthye kështu në aktiviste apo veprimtare, duke adresuar dhe kërkuar zgjidhjen e problemit të transportit.

“Sidomos në zonat rurale, aktivizmi i të rinjve dhe qytetarëve është i domosdoshëm. Kjo për shkak se të rinjtë duhet të kuptojnë rolin dhe fuqinë e tyre në vendimmarrje”, tregon sot Lorena. Që prej vitit 2017 adresimi i problemit prej saj i dha frymëmarrje 6 fshatrave që ishin ngjeshur prej vitesh në 1 furgon, me vetëm 1 orar.

Klaudio Hysenin e ka shoqëruar megafoni dhe fleta e peticionit që në adoleshencë. “Aktivizmi është çfarëdolloj gjëje që lëviz. Nëse do e shohim nga koncepti social, quhet ‘lëvizje shoqërore’. Nëse do e shohësh nga ana juridike, janë format e të drejtave, tubimi, peticioni, format demokratike që ndërmerren për të zgjidhur çështje të ndryshme”, përkufizon 33 vjeçari nga Durrësi.

Aktivizmi gjyqësor dhe mediatik

Në qytetin bregdetar të Durrësit kurora e gjelbër gjendet në kodrën mbi qendrën e banuar. Në një parcelë në trajtë pylli, nisi rënia e pemëve dhe puna për ngritjen e 4 pallateve, me nga 5 kate secili. Banorët e lagjes përreth kërkuan në gjykatë shfuqizimi ne lejes së ndërtimit, me argumentet se toka ishe e pa qëndrueshme, po priteshin pemët dhe rrezikohej arkeologjia. Pak kohë pasi Gjykata e Apelit i hapi dritën jeshile projektit, në grupin e Whats Up-it të banorëve, u shkruajt mesazhi, ‘erdhën punëtorët’!

“Të gjithë banorët dolën aty, duke debatuar, deri sa pezulluan punimet dhe prerja e pemëve. Kjo mund të bëhej vetëm në një periudhë x dhe u detyruam ta nxirrnim në media që të reagonin institucionet, megjithëse nuk reaguan fare”, tregon Jola Hysi, shtëpia e së cilës është në këmbët e pallateve që po ndërtohen.

“Aktivizmi mediatik” është një kategori e gjerë aktivizmi, që përdor median dhe teknologjitë e komunikimit për lëvizjet shoqërore dhe politike. Ai lidhet me publikimin e lajmeve në faqet e internetit, krijimin e videe, audiove dhe formave të tjera të publikimeve mediatike.

“Secili nga ne ka detyrat e veta, kemi ngritur një industri tonën, është “institucioni i Kodër-Vilës”. Dikush merret me pjesën e sizmiologjisë, tjetri merret me gjeologjinë, dikush me IKMT-në, me median, filmimet, etj.”, shpjegon Jola, me profesion lektore e gjuhës angleze.

Kjo është një betejë që do edhe financim. Secili nga banorët paguan në mënyrë të përpjesëtuar kuotën e tij. Janë pajtuar dy avokate për ndjekjen e çështjes në gjykatë. Pjesa më e vështirë për aktivizmin qytetar është ngritja e një barrikade të fortë ndaj presioneve të jashtme.

“Presioni ka qenë i jashtëzakonshëm. Njërit nëpërmjet punës, dikujt përmes taksave, pasi po flasim për një grupim banorësh që kanë të bëjnë me institucionet dhe në rast se dikujt i pret anën financiare, i ‘ke marrë jetën’. Edhe pse ka ndodhur kjo në 2-3 raste, ne jemi munduar t’i gjejmë punë”, tregon Hysi.

“Është ndërlidhja e qytetarit aktiv me interesat personale dhe mos përgjegjësia personale, që ka bërë të mos ketë zë. Politika në Shqipëri e ka atrofizuar, e ka tharë aktivizmin”, analizon me kujdes Kaludio Hyseni.

Por stepja nga këto faktorë nis të bie kur banorët organizohen në grupe të mëdha. Projekti i pallateve në Kodër-Vilë prek rreth 200 familje të zonës. “Pasi ne bëmë këtë lloj organizimi, shumë qytetarë të tjerë nisën të na thonë hajdeni edhe për hallet tona. Kam edhe unë pronën këtu thotë dikush, po si t’ia bëjmë, si të veprojmë”, tregon Hysi duke qeshur.

Aktivizmi ekonomik

15 kilometra larg Tiranës gjendet fshati Mënik. Me ardhjen e demokracisë shumë nga banorët u zhvendosën nga Mënik-Kodër, për të ndërtuar banesa në fshatin e ri, Mënik-Fushë. Lidhja me tokën bujqësore është shpesh motivi i të jetuarit në fshat. Vit pas viti rruga për në Mënik-Kodër degradonte, deri sa rrezikoi të humbiste gjurmën.

Altin Hysa klasën e tetë e përfundoi në fshat. Pak vite pas studimeve të larta në Turqi, e gjeti veten në sektorin e veshjeve, duke administruar sot një zinxhir dyqanesh në Shqipëri dhe Kosovë. Rruga prej 2 km nga Mënik-Fushë, deri në kodër, ishte kthyer në të pa kalueshme nga automjetet. Zhytur në baltën e dimrit, i mbeti gjatë në mendje Altinit.

“Në këmbë mbante rreth 50 minuta dhe fshati ka rreth 250 familje, me afro 1000 banorë”, shpjegon ai. Në fshat u rikthye këtë verë, së bashku me një projekt që e riktheu rrugën në gjendje të kalueshme.

Punimet për rikonstruksionin e rrugës së fshatit Mënik-Kodër. Burimi: Altin Hysa

“Banorët bënë festë!”, tregon Altini duke qeshur, teksa duket i kënaqur që riktheu shpresën për banorët e Mënikut. Ai nuk është mjaftuar vetëm në bamirësi, por e ka parë si një lloj aktivizmi, duke kontribuar aty ndër vite. “Sikur çdo biznesmen të investonte në fshatin nga ka prejardhjen, janë pak para për biznesin, por që ndryshon shumë gjëra për fshatin”, përfundon bisedën.

Aktivizmi mjedisor

Me shtimin e dendësisë urbane në fillim të viteve’ 90, mbetjet u kthyen në një problem që mori zgjidhje përmes grumbullimit në një fushë të hapur në veri të Durrësit. Asgjësimi përmes djegies ishte kthyer në normalitet, teksa helmonte ajrin që thithnin i madh e i vogël. Në vitin 2013 hapi dyert kampusi i Universitetit “Aleksandër Moisiu”, vetëm 2 km larg fushës së mbeturinave.

“Ky tym me erë të pakëndshme dhe asfiksuese, vinte nga djegia e plastikës, metaleve, kafshëve të ngordhura, ilaçeve apo baterive”, kujton Mariglen Qorri. Për 4 vite studioi në auditorë me dritare të mbyllura, për t’i shpëtuar gazrave që lëshonin mbeturinat që digjeshin pa ndërprerje.

“Ne e diskutonim me kolegët dhe do të linim punën sepse nuk mund të rrezikosh shëndetin”, tregon Dorina Asllanaj, lektore pranë Fakultetit të Shkencave Politike-Juridike.

Një grup prej 2-3 studentësh u futën auditor më auditor, për të njoftuar një protestë studentore kundër ndotjes. “Shumica e studentëve shpreheshin, kot të reagojmë pasi asnjë nuk do na dëgjoj dhe asgjë nuk do ndryshoj”, kujton Marigleni. Më 2 nëntor 2018, për rreth një orë qindra studentë, me pankarta në duar, “Duam dije, jo vdekje”, protestuan për vendgrumbullimin që është kthyer në një bombë mjedisore, pranë kërthizës së zonës të banuar të Porto-Romanos.

Protesta e studentëve përpara kampusit të universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës, duke kërkuar ndalimin e djegies së mbeturinave në vendgrumbullimin e Porto-Romanos. 2 nëntor 2018. Foto Geri Emiri

“Kërkesa e parë ishte ndalimi i djegies së mbeturinave. Kishte vite që ndodhte dhe u ndalua për 2 ditë. Shumë kolegë më thoshin, kot lodhesh se Shqipëri hesapi, ata e dinë që digjen dhe e bëjnë vetë. Por në fakt ndodhi”, tregon duke qeshur Dorina Asllanaj, që së bashku me pak pedagogë ju bashkuan protestës.

Aktivizmi mjedisor i referohet bashkimit të grupeve të ndryshme të individëve dhe organizatave, që punojnë së bashku në fushat sociale, shkencore dhe politike, me qëllim adresimin e shqetësimeve mjedisore.

“Mendoj se gjithmonë duhet pjesa ligjore, pasi më duket se kur mbetet vetëm tek protestat, nuk shkon deri në fund çështja, që të marrë një zgjidhje ligjore”, shpegon Dorina Asllanaj, avokate e studentëve dhe banorëve, në procesin gjyqësor që kanë nisur me mbështetjen e “Klinikës së Ligjit Durrës”, ndaj bashkisë së qytetit, si përgjegjëse për fushën e mbeturinave.

Avokatja Dorina Asllanaj, duke folur në kuadër të shkrimit. Foto Geri Emiri

Në Shqipëri aktivizmi ka filluar të marrë vëmendjen e duhur përmes një date të dedikuar, 22 tetor, krahas akteve të panumërta të jetës së përditshme. Çdo vit në Sheshin Skënderbej mblidhen aktivistë dhe Organizata Jo-qeveritare nga i gjithë vendi, në  “Ditën Kombëtare të Aktivizmit” që synon të ofrojë përvojën dhe njohuritë e organizatave lokale të shoqërisë civile, për të sjellë ndryshime në komunitet. Aktiviteti organizohet nga “Co-PLAN – Instituti për Zhvillimin e Habitatit”, në bashkëpunim me Zyrën e Marrëdhënieve me Publikun të Ambasadës së SHBA-së në Tiranë.

Panairi në Ditën Kombëtare të Aktivizmit, 22 tetor 2019. Foto Geri Emiri

Aktivizmi i mbështetur përmes grandeve

Përgjatë shtratit të Lumit Mat dhe Rrugës së Kombit, shtrihet Miloti. Së bashku me fshatrat ai numëron rreth 17 mijë banorë. Të rinjtë aty pothuajse nuk kanë asnjë mundësi për tu angazhuar në kohën e lirë. Prej vitesh as që flitej më për ambiente sportive dhe sociale.

Rivelino Ismalaj banon në Milot. 33 vjeçari që ka mbaruar studimet për drejtësi vendosi të angazhonte të rinjtë e qytetit dhe banorët, për të adresuar tek pushteti vendor mungesën e terreneve sportive. Me mbështetjen e Organizatës Jo-qeveritare, “Lëviz Albania”, përmes një granti, ai zhvilloi takime dhe propozime konkrete në gjashtë muaj, përgjatë vitit 2018.

“Nuk di të them nëse u arrit një zgjidhje, pasi ambientet nuk janë ndërtuar, por planifikim dhe premtime na kanë bërë, plus edhe verifikime në terren, se ku mund të ndërtohet fusha dhe këndi sportiv”, tregon Rivelino.

Rivelino Ismalaj, gjatë diskutimit me gjimnazistët e Milotit, mbi nevojën dhe adresimin e kërkesës për ndërtimin e hapësirave sportive dhe sociale. Burimi: Rivelino Ismalaj

33 vjeçari shprehet se do e vijojë aktivizmin e tij, duke kërkuar që projekti të përfshihet në buxhetin e vitit 2020. Banorët e Milotit nën shembullin e tij kanë nisur të organizohen edhe për probleme të tjera, duke u nisur nga iniciativat individuale.

“Në një qytet si Miloti, mendoj se është shumë i rëndësishëm aktivizmi, pasi në qytetet e vogla nuk operojnë shumë organizata dhe projekte të tjera, prandaj ju takon banorëve të ngrenë problematikat e tyre”, shprehet Rivelino.

Aktivizmi i vetë-financuar

Klaudio Hyseni lidh biçikletën në Sheshin Liria. Drejton trupin dhe vjen drejt nesh i vetëkënaqur. Së bashku me disa djem e vajza që përdorin biçikletën, në vitin 2015 krijuan një grupim, pagëzuar me emrin “Bicycle Durrës”. Pas kërkesave zyrtare, peticioneve, përballjeve publike dhe protestave, sot kanë ndikuar që bashkia Durrës të vendosë vend parkime për biçikletat në mbarë qytetin.

Vend lidhjet (“parkimet”) e biçikletave të vendosura nga bashkia Durrës, pas kërkesave të vazhdueshme të aktivistëve të “Bicycle Durrës”. Foto Geri Emiri

Aktivizmi lidhet me përpjekjet për të promovuar, penguar apo ndërhyrë në reformat sociale, politike, ekonomike ose mjedisore, me qëllimin për të sjellë ndryshime në shoqëri. Ai mund të nis nga çdo qytetar, për probleme nga më utilitaret, duke u grupuar dhe krijuar lëvizje që sjellin ndryshime në jetën e mijëra njerëzve.

Nismat e ndërmarra në kuadër të aktivizmit qytetar në Shqipëri shpesh organizohen mbi bazën e financimit përmes grandeve nga Organizatat Jo-Qeveritare. Por pasja e një financimi të sigurt nuk është kusht për aktivizmin, teksa ai mund të realizohet mbi baza vullnetare dhe të vetë-financohet nga organizatorët e lëvizjes.

“Bicycle Durrës” i ka të ndara detyrat e organizatorëve sipas profesionit përkatës. Ata kontribuojnë duke e vetë-financuar lëvizjen që lobon për infrastrukturë biçikletash në qytet. Për Klaudion aktivizmi, “Është gjaku i të gjithë shoqërisë, ndryshe kthehet në një shoqëri të rrezikshme”. Mendohet pak dhe shton, “Aktivizmi është zëri që përçohet tek institucionet për përcjelljen e zërit të qytetarëve. Përmes tij demokracia ka ardhur deri në këtë nivel”.

Aktivizmi i komunitetit

Në trupin e “drurit të Danit”, majë një kodre që dominon fshatrat e Fushë-Bulqizës, është lidhur një pllakë mermeri. Një kontratë e firmosur në vitin 2015 brenda zyrave të ministrisë së Mjedisit dhe bashkimit të disa kompanive për të shfrytëzuar masivin pyjor “Sheshe Bulqizë”, çoi në konflikt banorët me kompanitë private.

Pllaka e mermertë i dedikohet rezistencës së banorëve dhe dëshmon lidhjen me malin, ku marrin drutë e zjarrit, grumbullojnë ushqim për bagëtitë, mbledhin çaj dhe mbi të gjitha pemët parandalojnë ortekët e borës në dimër.

Në tre vite rreth 3000 banorë e adresuan problemin e tyre përmes protestave, takimeve, ankesave, peticioneve, medias dhe rrjeteve sociale. Në verën e vitit 2018, për të mbrojtur pyllin e fundit të paprekur në Bulqizë, në rresht të parë u vendosën gratë e 3 fshatrave.

“U mboldhëm të gjitha gratë e fshatit dhe vendosëm ta rujm ne malin. U nisëm n’mal të gjitha. Kemi ec 5 orë dhe kemi nejt gjithë natën roje”, tregon Nadire Dedja, teksa i dridhet buza. Ajo banon në fshatin “Kodra e Danit”.

Banorët e 3 fshatrave (Dushaj, Koçaj, Kodra e Danit) të Bulqizës, duke protestuar në Kodrën e Danit, kundër koncensionit të pyjeve. Korrik 2018. Foto Sami Curri

“Por e veçanta ishte që u përfshi edhe një grup personash me ndikim në media, sport, juristë, që ishin me origjinë nga zona dhe që dhanë një kontribut shumë të rëndësishëm”, shpjegon Sami Curri, me profesion gazetar.

Pas më shumë se katër vitesh përplasje të banorëve me kompaninë që kishte marrë koncesionin, protestave, shoqërimeve në polici, ministria e Turizmit dhe Mjedisit e pezulloi koncesionin. “Në po të njëjtën zonë ka pasur disa projekte për ndërtim HEC-esh. Banorët bllokuan disa herë mbledhjet në Këshillin Bashkiak të Bulqizës, që të mos lejoheshin projekte të tilla”, shpjegon aktivisti 24 vjeçar, Sami Curri.

Aktivizmi për trashëgiminë kulturore dhe përmes internetit

Ndërtimi i një sheshi të ri publik nga bashkia Durrës, me një “velë” prej betoni, solli erëra të forta dhe dallgë në opinionin publik të qytetit të qetë buzë Adriatikut. Projekti me vlerë 6 milion dollarë trazoi stomakun e shumë qytetarëve, para syve të të cilëve po dëmtoheshin zbulime arkeologjike që datojnë se paku nga periudha romake.

“Aktiv për Durrësin”, një lëvizje kryesisht me të rinj të qytetit nisi organizimin e protestave që synonin ndalimin e punimeve dhe marrjen në mbrojtje të arkeologjisë. Ata kanë sot një faqe në rrjetin social Facebook, por në adresë tjetër nuk i gjen!

Qytetarët dhe aktivistët e “Aktiv për Durrësin”, duke protestuar për herë të parë pas dëmtimit të zbulimeve arkeologjike në Sheshin Veliera. 12 shkurt 2017. Foto Geri Emiri

*Luther Blissett e takojmë jo larg “Velierës”. Në një lokal buzë detit. Ditë e diel dhe fëmijët gëlojnë në verandën e lokalit. Mban një bluzë me kapuç. Pa ja përtuar, nis të tregojë se për të, “Aktivizmi është palestër për shoqërinë, palestër për individin dhe për një gamë shumë më të gjerë kauzash. Këto lloj formash ndihmojnë gjithmonë e më tepër në mbajtjen e një shoqërie sa më pluraliste”.

Lëvizja pati shtrirje virtuale, duke raportuar me foto dhe video zhvillimet rreth projektit. Përmes internetit u nënshkrua një peticion që kërkonte ndalimin e punimeve. Fuqia e “Aktivizmit të internetit” erdhi me protestat e Pranverës Arabe, në vitin 2010. Teknologjia e rrjeteve sociale u përdor nga aktivistët qytetarë për të anashkaluar mediat e kontrolluara nga shteti dhe për të komunikuar drejtpërdrejtë me pjesën tjetër të shoqërisë.

Luther Blissett është rreth të tridhjetave dhe shpjegon se, “Në shkollën 9 vjeçare fëmijët fillojnë të mësojnë vlerat, në gjimnaz nisin t’i praktikojnë dhe kur vjen momenti i universitetit, duhet t’i shfaqin këto lloj vlerash. Janë çështje që duhen ushqyer përgjatë jetëgjatësisë së njeriut”.

Në faqen në rrjetin Facebook të grupimit,raportohet edhe për shqetësime të tjera të qytetit, duke u kthyer në një forum diskutimi. Po ashtu ngjason me një dritare denoncuese për shqetësimet që prekin qytetarët.

“Ky është një drejtim që e zgjedhin disa njerëz, përfitimi më i madh i këtij anonimiteti nuk është fakti i mburojës, por më e rëndësishme është të mos qenurit në krye të një lidershipi, të një figure, por mbi të gjitha të krijuarit të një vaske të madhe ku hidhen kritika dhe vlon opinoni i ndryshëm”, janë fjalët e fundit të Luther Blissett, përpara se të shkrihet me turmën e njerëzve në Shëtitoren Taulantia.

SHËNIME:

* Ky shkrim synon njohjen me peizazhin e aktivizmit në Shqipëri, përmes shembujve konkretë, që paraqesin sfidat e arritjet për përmirësimin e shoqërisë shqiptare dhe organeve qeverisëse. Shkrimi u përgatit nga Geri Emiri, gazetar dhe aktivisit, me mbështetjen e “Co-PLAN – Instituti për Zhvillimin e Habitatit”, në kuadër të “Ditës Kombëtare e Aktivizmit” (22 tetor 2019).

Luther Blissett është një emër me përdorim të shumëfishtë, një “yll popi i hapur”, i adoptuar në mënyrë informale nga qindra artistë dhe aktivistë në të gjithë Evropën dhe Amerikën, që nga viti 1994. Me këtë pseudonim u identifikua një nga organizatorët e grupimit “Aktiv për Durrësin”, për të ruajtur anonimatin.

* Fotografia në krye të shkrimit: Protestë e “Bicycle Durrës” përpara bashkisë Durrës, me kërkesën për ndërtimin e pistave të biçikletave. 15 shtator 2019. Foto Geri Emiri