Aksidentet rrugore me vdekje u rritën në vitin 2021

471
Foto ilustruese nga një aksident automobilistik në Bulqizë.

Më shumë persona humbën jetën në aksidente rrugore në vitin 2021 në raport me një vit më parë. Të dhënat e INSTAT tregojnë se aksidentet rezultuan fatalë për 197 persona me një rritje 8.8 për qind. Rritja për vitin e kaluar në raport me 2020 vjen edhe si rezultat se viti i pandemisë ishte atipik dhe vend hyri në karantinë për disa muaj duke minimizuar kështu qarkullimin e mjeteve në rrugë.

Pavarësisht shifrave që ende janë shqetësuese ajo që bie në sy është rënia graduale vit pas viti e numrit të aksidenteve dhe mesatarja disavjeçare mbetet dukshëm më lart se shifrat e sotme. Kështu në vitin 2016 numri i vdekjeve nga aksidentet rrugore ishte 269 apo rreth 37% më lart sesa në vitin 2021.

Lidhur me aksidentet në tërësi në muajin dhjetor 2021 numërohen 119 aksidente rrugore nga 113 aksidente të ndodhura në muajin Dhjetor 2020, duke u rritur me 5,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

“Në vitin 2021 numërohen 1.376 aksidente rrugore nga 1.234 aksidente të ndodhura në vitin 2020, duke u rritur me 11,5 %. Krahasuar me vitin 2019, numri i aksidenteve është ulur 8,1 %. Në muajin Dhjetor 2021, numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) është 134 persona nga 147 që ishte në të njëjtën muaj të një viti më parë. Në vitin 2021, numri i të aksidentuarve është 1.860 persona nga 1.598 persona në vitin 2020. Në vitin 2019, numri i të aksidentuarve ka qenë 2.044 persona” thuhet në raportin e INSTAT.

Vetëm në dhjetor 2021, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 21 persona, nga 13 persona të vdekur në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në vitin 2021, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 197 persona nga 181 persona të vdekur në vitin 2020 dhe nga 227 persona të vdekur në vitin 2019.

Por cilat janë arsyet apo shkaktarët e aksidenteve. Në shumicën rasteve shkak është sjellja e drejtuesve të mjeteve.

“Në muajin Dhjetor 2021, aksidentet rrugore, në 85,7 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 25–34 vjeç, duke zënë 25,2 % të numrit të aksidenteve gjithsej. Aksidentet në këtë grup-moshë janë ulur me 11,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në vitin 2021, aksidentet rrugore, në 15,3 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit. Gjatë kësaj periudhe, numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit është rritur 17,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Krahasuar me vitin 2019, numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit është ulur me 3,7 %” vlerëson INSTAT.