Aksident tjetër në minierë, plagosen tre minatorë në galeritë e Martaneshit

2902
Dërgimi i minatorit të aksidentuar për në Spitalin e Traumës, Tiranë.

Tre minatorë u plagosën dhe njëri prej tyre u nis me helikopter drejt Tiranës në gjendje të rëndë, pas një aksidenti rreth orës 12:30 në një nga galeritë e kromit në zonën e Martaneshit në Bulqizë.

Policia njoftoi se Sh. E., rreth 50 vjeç, duke salduar brenda në galeri me gjenerator, si pasojë e gazit të çliruar nga gjeneratori është asfiksuar. “Në ndihmë të tij kanë shkuar dhe dy punëtorë të tjerë,  shtetasit A. J., dhe M. H., të cilët janë askfiksuar dhe kanë shfaqur probleme shëndetësore. Shtetasit e lartëpërmendur janë nxjerrë nga galeria dhe janë transportuar për ndihmë mjekësore në spital.” thuhet në deklaratën e Policisë së Shtetit.

Të plagosurit janë dërguar për të marrë ndihmë mjekësore në spitalin e Bulqizës dhe mjekët kanë konstatuar se njëri prej tyre ndodhej në gjendje më të rëndë. Minatori është dërguar me helikopter drejt Tiranës, për të marrë ndihmë mjekësore të kualifikuar. Burime nga spitali i Bulqizës i thanë Bulqizaime.al se të plagosurit ishin të asfiksuar nga gazi.

Sipas Inspektoriatit të Punës në Dibër, galeria ku ndodhi aksidenti menaxhohej nga kompania Xhireton shpk.

Aksidentet në zonën minerare të Bulqizës janë shpeshta. Dy minatorë dhe një inxhinerë u gjetën të vdekur në galerinë ku punonin në Selishtë të Dibrës në dhjetor 2020 si pasojë e asfiksisë nga gazi.