Aksident në minierë, plagoset një minator në Bulqizë

4496
Miniera e Bulqizës. Foto: Bulqizaime.al

Një 56-vjeçar u plagos rëndë pasi u zu poshtë prej një masivi gurësh në një galeri kromi në zonën mineral mbajtëse të Martaneshit. Policia e Bulqizës njoftoi se aksidenti ndodhi rreth orës 14.00, por pa dhënë detaje për rrethanat e ngjarjes dhe as për kompaninë që punësonte minatorin. “Dyshohet se gjatë punës është aksidentuar shtetasi M. B., rreth 56 vjeç” thuhet në njoftimin e DVP Dibër.

I plagosuri fillimisht është dërguar në spitalin e Bulqizës ku dhe ka marrë ndihmën e parë, por për shkak se minatori kishte dëmtime të rënda në kokë – mjekët kanë njoftuar helikopterin dhe e kanë transportuar në Tiranë për ndihmë mjekësore më të specializuar.

Pak ditë më parë një minator 52-vjeçar humbi jetën, pasi u zu poshtë prej një masivi gurësh në një galeri kromi, në minierën e Bulqizës.

Galeritë e Bulqizës janë një prej zonave me më shumë aksidente të rënda në punë në Shqipëri, sipas të dhënave nga Inspektorati i Punës, gjatë vitit 2021 në miniera-karriera u aksidentuan 28 persona, ndërsa 6 prej të cilëve humbën jetën. Bilancit tragjik të aksidenteve në miniera i’u shtuan pesë të vdekur dhe 28 të plagosur gjatë vitit 2020.