Aksident në galeritë e Bulqizës, një minator i vdekur

3374
Miniera e Bulqizës. Foto: Bulqizaime.al

Një tjetër aksident me vdekje ndodhi këtë të dielë në galeritë e kromit në Bulqizë. Një minator humbi jetën pasi një masiv dheu dhe inertesh e zuri poshtë, teksa po punonte.

Minatori që humbi jetën është identifikuar si Zini Murati, 60 vjeç. Ai ishte në punë në një nga minierat e kompanisë “Çupi Grup”, me administrator Arben Çupi, i cili gjithashtu është kryetar i Këshillit Bashkiak në Bulqizë nga radhët e Partisë Socialiste.

Policia njoftoi se në orën 11:30, minatori u dërgua në spital pa shenja jete. Në deklaratën e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, thuhet se aksidenti ka ndodhur në punë në minierën e Bulqizës dhe se grupi hetimor është duke punuar për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.

Vdekja e minatorit Zini Murati, shënon aksidentin e dytë fatal brenda një periudhe të shkurtër në këtë sektor. Disa ditë më parë, një 40-vjeçar humbi jetën në një galeri kromi në Martanesh.