Aksident në galeritë e Albchrome, plagoset një minator

3369
Miniera e kromit në Bulqizë.

Një minator u plagos të enjten në galeritë e menaxhuara nga Albchrome në minierën e Bulqizës. Policia e Dibrës njoftoi se ngjarja ndodhi rreth orës 11.30 dhe se minatori 54-vjeçar ishte plagosur gjatë punës. “Në minierën e kromit në qytetin e Bulqizës, është aksidentuar gjatë punës  shtetasit A. Ç, 54 vjeç, i cili po merr ndihmë mjekësore në spital, dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.” thuhet në njoftimin e DVP Dibër.

Në një deklaratë për shtyp, Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, e identifikoi minatorin e plagosur si Astrit Çupi dhe deklaroi se shteti në vend që të fajësojë minatorët për plagosjet dhe vrasjet e tyre, duhet të nxjerrë përgjegjësit për këto raste.

“Ky është një nga aksidentet e shumtë që kanë ndodhur këtë vit në minierën e Albchrome, më të madhen në Bulqizë dhe në gjithë vendin, ku ka humbur jetën edhe një minator në muajin maj. Aksidenti i Astrit Çupit vjen vetëm pak ditë nga rasti tragjik i minatorit 60-vjeçar Muharrem Plaku, i cili humbi jetën i bllokuar në galeri për më shumë se 5 ditë.” thuhet në njoftimin e SMBB.

Ky është aksidenti i tetë i raportuar për këtë vit në galeritë e Albchrome, ndërkohë që vetëm tre aksidente ishin raportuar gjatë gjithë vitit 2020.

Miniera e Bulqizës mbetet një nga vendet më të rrezikshme të punës në Shqipëri. Muharrem Plaku ishte viktima e tretë në galeritë e kromit në zonën e Bulqizës që nga janari i këtij viti. Për të nxjerrë trupin e tij nga miniera ku mbeti i bllokuar u deshën afro 5 ditë punë. Dhjetëra të tjerë janë plagosur në galeri që nga fillimi i vitit. Ndërkohë vitin që shkoi 5 minatorë humbën jetën në 28 aksidente.