Aksident i rëndë në Bulqizë, 5 të plagosur (FOTO LAJM)

429

Një aksident i rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në Bulqizë.

Mësohet se aksidenti ka ndodhur në aksin rrugor që lidh Lagjen e Re me atë të vjetrën të qytetit të Bulqizës, ku një makinë Benz me targa AA690HY ka dalë nga rruga duke përfunduar në livadh.
Fillimisht aksidenti është pikasur nga drejtuesit e automjeteve që po kalonin përgjatë këtij segmenti, ku dhe kanë njoftuar menjëherë policinë, shkruan Albeu.com.

Menjëherë në vendngjarje ka shkuar policia ku dhe ka bërë të mundur nxjerrjen e personave nga makina. Të plagosurit janë dërguar drejt spitalit të Bulqizës. Sipas mjekëve të këtij spitali, pesë personat e plagosur, tre prej të cilëve fëmijë, janë jashtë rrezikut për jetën.

Njoftimi i Policisë:

Në aksin rrugor midis Qytetit të Vjetër dhe Qytetit të Ri Bulqizë, ka dalë nga rruga një automjet.

Menjëherë kanë shkuar shërbimet e Policisë Rrugoredhe pas verifikimit ka rezultuar se:

Shtetasi Aurel H, 19 vjeç, duke drejtuar automjetin me targë AA 690 HY, sipas deshmisë së tij, dyshohet se për të shmangur një fëmijë që i ka prerë rrugën, ka devijuar mjetin dhe për pasojë ka dalë nga rruga.

Në momentin e daljes nga rruga, ka aksidentuar katër shtetas, ku tre prej tyre ishin fëmijë të cilët ishin duke lëvizur në trotuar dhe konkretisht:

U.H, K.J, dhe E. B nga 11 vjeç (të tria vajza) si dhe shtetasin Sh. S, 31 vjeç.

Të katër të aksidentuarit janë dërguar  menjëherë në spitalin e Bulqizës ku po marrin ndihmën mjekësore dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Gjithashtu është dërguar  në spital në Bulqizë për ndihmë mjekësore edhe drejtuesi i mjetit, edhe ky jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor po kryen veprimet në vendngjarje për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.

Drejtuesi i mjetit pas ndihmës mjekësore, do të shoqërohet në Komisariatin e Policisë Bulqizë, për veprime të mëtejshme.