Afro 700 emigrantë shqiptarë, hynë në Britani me gomone për 24 orët e fundit

985
Foto: Dan Kitwood/Getty Images

Emigrantët e paligjshëm shqiptarë që udhëtojnë drejt Britanisë, përmes kanalit të La Manshit kanë zënë titujt kryesorë të mediave në ishull gjatë ditëve të fundit.

Sipas të dhënave zyrtare, raportohet se vetëm në 24 orët e fundit mbi 700 shqiptarë kanë hyrë në Britani me varka të vogla nga 1295 që ishin në total.

Daily Mail shkruan se Shqipëria është një aleate e NATO-s, e cila aspiron të jetë pjesë e BE-së dhe që nuk ka parë një konflikt prej më shumë se 25 vitesh.

Numri i emigrantëve shqiptarë që hyjnë ilegalisht në ishull është rritur ndjeshëm vitet e fundit, dhe sipas vlerësimeve nga fillimi i vitit numërohen mbi 6000 persona. Kjo rrugë kalimi e emigrantëve, ka zëvëndësuar atë me kamion që përdorej masivisht dikur.

Dyfishohet numri i emigrantëve të paligjshëm në BE nga vendet e Ballkanit Perëndimor

Në muajin maj, Bashkimi Europian shënoi një rritje të madhe të emigrantëve të paligjshëm që vijnë nga shtetet e Ballkanit Perëndimor në bllokun e 27 vendeve, deklaroi të hënën agjencia kufitare e BE-së, Frontex.

“Në maj, numri i emigrantëve të parregullt në BE u dyfishua, duke shkuar në 12,088,” tha Frontex në një deklaratë, duke shtuar se vendet kryesore të origjinës ishin Siria dhe Afganistani.

Në periudhën midis janarit dhe majit 2022, Frontex regjistroi 40,675 kalime të paligjshme të kufirit nga rrugët e Ballkanit Perëndimor, gati tre herë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Rrugët e Ballkanit Perëndimor përbëjnë kështu pothuajse gjysmën e numrit të përgjithshëm të 86,420 kalimeve të paligjshme të kufijve të BE-së për këtë periudhë, tha Frontex.

Agjencia nuk dha ndonjë arsye për këtë rritje, por shtoi se shumica e këtyre emigrantëve të paligjshëm kishin qenë në Ballkanin Perëndimor për disa kohë përpara se të kërkonin që të hynin në BE.

Njerëzit që largohen nga lufta në Ukrainë nuk përfshihen në këto shifra, deklaroi Frontex.

Agjencia vuri në dukje se, sipas të dhënave të saj të fundit, mbi 5.5 milionë ukrainas kanë hyrë në BE që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkurt, një veprim që Moska e përshkruan si “operacion special ushtarak”.

Gati gjysma e lejeve të qëndrimit për shqiptarë në 2008-2021 u dha nga Italia

Janë gati 780 mijë shqiptarë që kanë marrë leje qëndrimi në një nga vendet e Bashkimit Europian dhe në Mbretërinë e Bashkuar gjatë periudhës 2008-2021.

Sipas të dhënave të Eurostat, Italia shteti që kryeson me dhënien e lejeve për këtë periudhë me 372 mijë lejë të dhëna, ose 47% e totalit.

Pas Italisë, vendin e dytë e zë Greqia, me 258 mijë leje të dhëna, ose 33% e totalit.

Në vendin e tretë vitet e fundit ka kaluar Gjermania, që ka dhënë gjithsej 53 mijë leje, ose gati 75 të totalit. Lejet e qëndrimit të dhëna nga shteti gjerman janë rritur vitet e fundit pasi shumë shqiptarë iu drejtuan Gjermanisë për të punuar, kryesisht mjekë, infermierë, punonjës të teknologjisë së informacionit etj.

Mbretëria e Bashkuar ka kaluar në vend të katërt, me rreth 20 mijë leje qëndrimi të dhënav, por për këtë shtet Eurostat raporton të dhënat deri në 2018-n. deri atë vit përgjithësisht jepeshin 2-3 mijë lejë në vit.

Pas këtyre katër shteteve renditet Franca, me 17 mijë lejë qëndrimi të dhëna gjithsej, ose 2.2% e totalit, Ndonëse Franca është më e preferuara për kërkesat për azil nga shqiptarët, duke u renditur e para vitet e fundit, duket se shteti francez edhe pse mund të mos I përzërë, sërish është ngurrues për të dhënë leje qëndrimi.

Belgjika, Suedia Kroacia, kanë dhënë në periudhën 2008-2021 rreth 7-9 mijë lejë qëndrimi, ndërsa shtetet e tjera më pak se 3 mijë leje gjithsej.

Edhe në vitin 2021, kur u dhanë në total 55 mijë leje nga shtetet e BE-së (pa Mbretërinë e Bashkuar) Italia ishte shteti më bujar, me gati 30 mijë leje, ose 54% të totalit, e ndjekur nga Greqia me 18%.

Por, ndërsa deri në vitin 2011 kishte një diferencë të lartë mes lejeve që jepeshin nga Italia dhe Greqia në raport me shtetet e tjera, vitet e fundit diferenca është ngushtuar dukshëm duke treguar një preferencë drejt shteteve të tjera, kryesisht Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë.

Ikja vazhdon…

Ikja e shqiptarëve drejt vendeve të Bashkimit Evropian duket se nuk ka të ndalur.

Të dhënat e Eurostat tregojnë se në vitin 2021 janë dhënë 55.2 mijë leje qëndrimi për shtetasit shqiptarë në një nga vendet e BE-së.

Në krahasim me një vit më parë, kur ky process u bllokua nga pandemia, lejet janë rritur me 47%.

Që nga viti 2008, kur Eurostat raporton të dhënat, shtetet e BE-së kanë dhënë për shqiptarë gjithsej 756 mijë shtetas shqiptarë. Duke përfshirë dhe Mbretërinë e Bashkuar shifra arrin në rreth 780 mijë Nga institucionet ndërkombëtare, numri i lejeve të qëndrimit për shtetasit e një vendi llogaritet si emigracion.

Kjo shifër është gati sa 30% e popullsisë që vlerësohet që jeton aktualisht në Shqipëri.