Afro 60% e fshatrave në qarkun Dibër të bllokuar nga bora

766
Reshjet e borës të rëna në Bulqizë. Foto: Sami Curri

Gjatë gjithë natës në qarkun e Dibrës, reshjet e borës kanë qenë intensive. Në shumë zona është shoqëruar me erë të fortë, ndërsa temperaturat kanë rënë disa gradë nën zero. Një situatë e tillë ka sjellë vështirësi në qarkullim, kryesisht në rrugët lidhëse të njësive administrative me qytetet.

Fatos Ashiku, drejtues i emergjencave civile në Prefekturën Dibër, në një bisedë telefonike për Bulqizaime.al tha se afro 60% e rrugëve të fshatrave janë të bllokuara. “Në rrugët nacionale për momentin kemi të bllokuar dy segmente rrugësh; ura e çerenecit – Sterblevë, një segment nga Ostreni deri në Klenjë, është e bllokuar dhe rruga Trebisht – Xhepisht, deri në afërsi të një pike kalimi kufitar. Gjithashtu rruga Kala e Dodës – Peshkopi kalohet pjesërisht me zinxhir.” tha Ashiku.

Situata më problematike paraqitet në territorin e bashkisë Dibër ku janë të bllokuar tre njësi administrative: Selishtë, Reç dhe Lurë.

“Në bashkinë Bulqizë kemi të bllokuar dy njësi administrative, Trebisht dhe Ostren. Ndërsa në bashkinë Klos kemi të bllokuar vetëm njësinë administrative Xibër. Në bashkinë Burrel nuk kemi asnjë njësi të bllokuar. Ndërsa përsa i përket rrugëve të fshatrave, kemi rreth 60% të fshatrave të bllokuar në nivel qarku.” tregon Ashiku për Bulqizaime.al.

Sa i takon furnizimit me energji elektrike, nuk raportohen probleme. Disa zona në Dibër kanë regjistruar deri në 50 cm borë në 24 orë, ndërkohë trashësia e borës në qytete shkon deri në 30 cm.