Administrata publike, pagat e reja për mjekë, infermierë dhe policë

574

Janë publikuar dje në fletoren zyrtare të radhës vendimet e qeverisë lidhur me ndryshimin e pagave të punonjësve buxhetorë të sektorëve të shëndetësisë dhe policisë. Përveç rritjeve përkatëse, janë pasqyruar edhe shpërblimet për raste të veçanta, si shërbime specifike, diploma specializimi të caktuara, etj.

Kështu, me VKM përcaktohet se për shërbimin e rojës 24-orësh pa ndërprerje mjeku rojë i parë merr 6.000 lekë shpërblim, mjeku i dytë 5.600 lekë, për një ditë të zakonshme, 7.000 dhe 6.400 për ditët e shtuna dhe 8.000 dhe 7.600 përkatësisht për të dielat e festat.

Mjekët e spitaleve në shërbimin e urgjencës, shërbimin e reanimacionit, shërbimin e hemodinamikës, në njësinë e aksidenteve cerebrale, si dhe mjekët neonatë, përfitojnë një shtesë për natyrë të veçantë pune në masën 18.000 lekë në muaj; infermierët dhe laborantët e spitaleve në shërbimin e urgjencës, shërbimin e reanimacionit, shërbimin e hemodinamikës dhe në njësinë e aksidenteve cerebrale përfitojnë një shtesë 12.000 lekë në muaj.

Mjekët, të cilët në zbatim të sistemit të referimit dërgohen për konsulta dhe ndërhyrje kirurgjikale në spitale të tjera, përfitojnë për çdo ditë shërbimi një shtesë në page, si më poshtë vijon: mjekët e institucioneve spitalore universitare 10.000 lekë; mjekët e spitaleve rajonale 5.000 lekë.

Po kështu, janë përcaktuar pagat e reja, shpërblimet dhe shtesat për natyrë të veçantë pune për punonjësit e strukturave të Policisë së Shtetit.

Kursantët që pranohen në Kolegjin e Policisë, në Akademinë e Sigurisë, gjatë periudhës së shkollimit përfitojnë trajtim me pagesë në masën 8.000 lekë në muaj. Për periudhat e shkollimit/trajnimit që zgjasin më shumë se gjashtë muaj, gjatë periudhës së shkollimit/trajnimit duke filluar nga muaji i shtatë e në vazhdim, punonjësit i ndërpritet paga dhe i jepet një kompensim, në varësi të pjesëtarëve të familjes që ka në ngarkim: punonjësi pa ose me një pjesëtar të familjes në ngarkim, përfiton 40% të pagës bazë mujore për grade, që përfitonte përpara fillimit të kursit të shkollimit/trajnimit; punonjësi me më shumë se një pjesëtar të familjes në ngarkim, 50%.

Ndërkohë, në një tjetër VKM përcaktohen pagat e punonjësve në shërbimet ndihmëse, si shoferë, pastruese, arkivistë, etj. Paga më e ulër për kategorinë e parë kalon, siç u premtua, nga 23.000, në 30.000 lekë, rritje kjo në masën 36%.