Abazi: Vetëvendosje në zgjedhje, jo thjesht një projekt por ambicie për të nisur një politikë të re në Shqipëri

Boiken Abazi, drejtues i Lëvizjes Vetëvendoje në Shqipëri dhe kandidat për deputet në Tiranë, në një intervistë për Bulqizaime.al, shprehet se fitorja e mandateve e përshpejton rritjen e Vetëvendosjes në Shqipëri dhe bashkimin kombëtar. Abazi shprehet se në Dibër, VV mbështet kandidaturën e Elton Debreshit.

790
Boiken Abazi gjatë një deklarate për mediat, shoqëruar me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti. Foto: VV Shqipëri

Për Tiranën nuk duket një garë e lehtë, kjo për një sërë arsyesh. Së pari në kuptimin që i gjithë kapaciteti i partive kryesore në Shqipëri është i vendosur në fushatën e kryeqytetit, si një “treg elektoral” me shumë rëndësi, pasi pjesa dërrmuese e mandateve dalin nga Qarku i Tiranës. Si po zhvillohet fushata juaj si kandidat i pavarur?

Unë së pari do të ndalesha që tek përdorimi i termave që ndonjëherë i artikulojmë jo gjithmonë me vetëdije të plotë. Në një farë mënyre unë bie dakord me përdorimin e termit “treg”, pasi fatkeqësisht duket se në këto vite politika në Shqipëri ka qenë një lloj tregu, ku politikanët bënin pazar me njëri-tjetrin.

Kemi parë si shiten e blihen deputetët, si shiten e blihen kauzat, dallimi dhe një arsye se pse ne ja kemi vendosur emrin sloganit të fushatës “krejt tjetër”. Ne nuk e perceptojmë projektin tonë që të futet në treg, por e perceptojmë si një përpjekje për të nisur një politikë të re në Shqipëri, që është e re për nga forma që ka marrë dhe jo nga historia dhe përmbajtja e saj, pasi ajo e ka pasur gjithmonë vendin këtu që prej rilindjes kombëtare.

Ne jemi thjesht duke e aktualizuar me nevojat e shqiptarëve në shekullin XXI. Kërkojmë që përmes kësaj iniciative, ne të ndryshojmë edhe një lloj mentaliteti, regjistri në të folur dhe t’ju japim qytetarëve një përfytyrim të asaj se çka është e mundshme nëse ne bashkohemi në këtë projekt i cili nuk është hapi i parë i Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, nuk ka për të qenë as hapi i fundit, por njëri nga hapat që ne synojmë të shtojmë mjetet për të ngritur në të gjithë Republikën e Shqipërisë një lëvizje të gjërë popullore që kërkon ndryshimin e sistemit politiko-ekonomik.

Kjo duke e bazuar modelin e ri ekonomik në prodhim dhe nga ana tjetër shkon me hapa integrues drejt bashkimit me Kosovën, me demokraci të drejtpërdrejtë, me referendum, si dy popuj të të të njëjtit komb.

Pak ditë më parë Vetëvendosje mori drejtimin e qeverisë në Kosovë. Kjo pas një procesi zgjedhor për t’u marrë shembull, si për nga mënyra se si u zhvillua procesi, por gjithashtu se si klasa politike veproi pas zgjedhjeve. Nëse mund ta konsideroj edhe si një shembull shumë i mirë i një demokracie ballkanike. Sa do ndikoj “era” e ndryshimeve në Kosovë në betejën elektorale të Vetëvendosjes në Shqipëri?

Ndryshimi në Kosovë nuk ka prekur vetëm Kosovën, por ka dhënë një ndikim në të gjithë Ballkanin. Është e pashmangshme që kjo valë entuziazmi të jetë edhe në Shqipëri. Populli në Kosovë e ka bërë ndryshimin e vet. Ne në Shqipëri duhet të mësojmë prej përballjes së Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë, prej guximit të popullit në Kosovë dhe që të themelojmë këtu një politikë të re.

Pra është e domosdoshme që të mësojmë të organizohemi në mënyrë të qëndrueshme, duke mos hequr dorë nga kauzat. Duke qëndruar konseguent në çuarjen e tyre përpara, dhe vetëm në këtë mënyrë ne mund të bëjmë një dallim me mënyrën e vjetër të të bërit politikë në Shqipëri.

Duhet një farë rikthimi i idealeve dhe ideve në politikë. Shumë prej nesh, duke punuar nga afër me kolegët tanë në Kosovë, ku kemi ngritur së bashku një lëvizje, e kemi përjetuar si një shkollë politike mësimet e së cilës ne po i aplikojmë edhe në Shqipëri.

Ju thoni se Kosova ka qenë si një lloj shkolle politike, por sa besim keni që kjo shkollë politike që ju i referoheni mund të gjej zbatim në Shqipëri?

Unë jam besimplotë. Ne fillimisht grumbulluam nënshkrime dhe ishte hera e parë që mblidhnim firma për zyrtarizimin e kandidaturave dhe jemi pritur shumë mirë kudo që kemi shkuar, në ato zona ku ne kemi kandidat, si në Tiranë, Lezhë dhe Gjirokastër.

Këtu do të thotë se ka një etje për një politikë që ndryshon modelin qeverisës dhe modelin brutal ekonomik që është zbatur me privatizimin dhe shkatërrimin e potencialit të prodhimit që ka rritur edhe papunësinë dhe pabarazinë.

Duke e vendosur atë pak kapital që ka në Shqipëri në vetëm pak duar. Duke qenë një vend që bazohemi tek ekonomia importuese dhe ne e dimë që një pjesë e kapitalit që vjen këtu, sërish lëviz jashtë vendit.

Shqiptarët e kuptojnë këtë dhe në shumë raste nuk ka nevojë që as t’jua shpjegojmë këtë. Shqiptarët kanë nevojë që t’ju rikthehet besimi tek idetë dhe idealet e pastra me njerëz që nuk janë të korruptuar që kërkojnë të vendosin drejtësi edhe në sistemin e drejtësisë, por e rëndësishme është edhe drejtësia sociale.

Prandaj ne flasim për të drejtat e punëtorëve, të studentëve, kërkojmë statusin e minatorit etj. Jemi duke folur për një model të ri dhe mundësitë për ta aplikuar në Shqipëri, por jo për vullnetin dhe dëshirën e Shqiptarëve. Ne duhet të lëvizim nga kategoria e dëshirës në kategorinë e vullnetit. Kjo ka të bëj me vullnetin për ta çuar përpara një projekt të tillë.

Nëse do të jeni përballë faktit që nëse do të arrini të merrni mandate deputetësh dhe këto ulëse që do të merrni do të jenë përcaktuese të formimit të qeverisë pas zgjedhjeve të 25 prillit, Vetëvendosje në Shqipëri është për një rotacion apo për një mandat të tretë të Ramës?

Jemi mësuar që nga kryeministri Rama të dëgjojmë diskurs publik përmes batutave dhe këto ndodhin përgjithësisht kur mungon përmbajtja. Sa më pak përmbajtje aq më shumë batuta. Ne duhet të lëvizim nga politika e batutave.

Nga viti 2006 e deri më sot kemi 140 marrëveshje të nënshkrura ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Nuk na duhen batuta, por zbatimi i atyre marrëveshjeve. Me Kosovën na duhet një politikë e jashtme e përbashkët.

Na duhet një politikë e përbashkët tregtare sepse nuk na duhet një politikë e jashtme nëse nuk kemi një politikë të jashtme tregtare të përbashkët. Neve nuk na duhet vetëm avancimi dhe bërja transparente e këtyre kontratave, pasi një pjesë e këtyre marrëveshjeve jo vetëm që nuk janë transparente dhe nuk e dimë se ku kanë ngecur, por na duhet edhe përparimi drejt integrimit kombëtar dhe marrëveshje të reja.

Për ne do të kishte qenë shumë e lehtë të kishim hyrë në listat e partive të tjera. Ne kërkojmë që të ngremë një lëvizje. Për ta ngritur këtë lëvizje ne besojmë se është shumë e rëndësishme që të jemi konsekuent në gjërat që themi dhe në thirrjen që ju bëjmë qytetarëve. Ne nuk do të veprojmë me kokën tonë, ne do të konsultohemi brenda organizatës këtu në Shqipëri. Do të konsultohemi edhe me qytetarët që na kanë mbështetur.

Së treti, unë nuk besoj se në Shqipëri ndryshimi duhet të jetë i pjesshëm. Besoj që duhet të jetë tërësor në mënyrë që pastaj pjesë-pjesë të rregullohen edhe sektorët ekonomik, institucional të vendit.

Ne mund të vendosim në varësi të situatës, të mos votojmë fare, por para se ne të marrim një vendim do të ngulmojmë, për të gjitha partitë parlamentare që fitojnë mandatin, nëse duan votën tonë të përfshijnë të gjitha pikat tona programore ose sa më shumë prej tyre në programin qeverisës që ata synojnë në Shqipëri.

Ne do të kërkojmë që nëse ka bashkëpunim ai të jetë mbi parime dhe programe. Por duke i njohur këto parti ka shumë mundësi që të bëjnë një marrëveshje me njëra-tjetrën, para se të lodhen me ne dhe të përfshijnë në programin qeverisës pikat tona programore. Ne besojmë se ndryshimi është i mirë për Shqipërinë, por ne besojmë se në këto zgjedhje na duhet diçka krejt tjetër.

Në Tiranë ka një komunitet shumë të madhë nga zona e Dibrës. Partitë politike kanë shumë kandidat nga Dibra në listat e Tiranës, ku në shumë zona kemi një garë elektorale të Dibrës në Tiranë. Ju si i keni pritshmëritë dhe takimet me këtë komunitet?

Unë mendoj se së pari Dibra e kupton më së miri programin e Lëvizjes Vetëvendosje. Në folklorin e Dibrës pasqyrohen ende sot e kësaj dite betejat e popullit shqiptar në mbrojtje nga agresionet që kanë ardhur prej Serbisë. Përmes shfrytëzimit brutal të burimeve natyrore nëntokësore.

Programi ynë i flet një shfrytëzimi të përgjegjshëm të burimeve natyrore, të drejtave të punëtorëve dhe organizimit sindikal. Për dibranët, një program ekonomik që e ka Lëvizja Vetëvendosje është i domosdoshëm.

Kombinimi i një nacionalizmi që nuk është kundër tjetrit, por për veten, për të drejtat tona dhe për jetësimin e tyre dhe nga ana tjetër e një modeli të ri ekonomik që sjell zhvillim nëpërmjet respektimit të të drejtave të punëtorëve.

Në Dibër në këto zgjedhje kemi edhe një kandidat të pavarur për deputet që vjen nga radhët e minatorëve. Kryetari i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, Elton Debreshi, si një propozim qytetar. Ju si e vlerësoni një veprim të tillë dhe do ta mbështes Lëvizja Vetëvendosje një kandidaturë të pavarur në Dibër?

Unë kam folur drejtpërdrejt me Elton Debreshin në telefon. E kam uruar për kandidimin dhe i kam shprehur gatishmërinë e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri për mbështetje. Një mbështetje të tillë nuk e kam bërë vetëm në bisedat që kam pasur me Eltonin në telefon, por edhe në daljet mediatike. Lidhur me statusin e minatorit është një kauzë e drejtë, e nëpërkëmbur nga pushtetet e njëpasnjëshme në Shqipëri.

Njëkohësisht është një kauzë urgjente sepse shumë minatorë kanë humbur jetën në galeritë e Bulqizës. Minatori ka një nga punët më të vështira dhe futet me “kokën në torbë”, duke mos e ditur a kthehet i gjallë në shpi.

Kjo situatë nuk mund të vazhdojë! Shqipëria nuk mund të jetë me këto lloj pasurish natyrore nëntokësore dhe që qytetari të jetoj në mjerim, siç është rasti në Bulqizë. Banori duke bërë zgjedhjen mes bukës së gojës dhe punës që i rrezikon jetën.

Nëse ka diçka që mund të bëjmë për kandidimin e Eltonit varet prej tij, çfarë do të kërkojë. Ne kemi qenë në kontakt me të jo vetëm në këtë iniciativë që ka ndërmarrë, por e kemi mbështetur edhe më herët kauzën e minatorëve. E kemi mbështetur edhe publikisht në protesta të përbashkëta që janë zhvilluar.

Si janë pritshmëritë tuaja në këto zgjedhje?

Ne po punojmë për të fituar. Disa njerëz mund ta konsiderojnë një gjë të tillë edhe si një test për VV-në në Shqipëri, por kjo është jeta jonë, që ne ja kemi kushtuar këtij projekti. Ne nuk e përjetojmë si një test, por si një hap që do të na ndihmojë edhe ne, por edhe shqiptarët në përgjithësi që të lëvizim drejt një modeli të ri qeverisës.

Besoj se shumica e qytetarëve e duan një gjë të tillë. Ndryshimi nuk ndodh brenda natës, nis gjithmonë me një hap të parë dhe me një organizim të mirë. Tek ngritja e kapaciteteve tona organizative dhe te paraqitja e pikave tona programore që në këtë rast janë 13, siç është edhe numri jonë në fletën e votimit. Besoj se janë të gjitha mundësitë që të fitohen mandatet, por projekti ynë sidoqoftë vazhdon. Fitorja e mandateve e përshpejton rritjen e Lëvizjes Vetëvendosjes edhe në Shqipëri.

Ka shumë teori lidhur me faktorizimin e Vetëvendosjes (VV) në Shqipëri. Bashkimi kombëtar me një VV të fortë në të dyja anët e kufirit do të përshpejtohet. Gjen zbatim një gjë e tillë?

Sigurisht që po.

Pse më 25 prill duhet votuar Bojken Abazi?

Unë në këto zgjedhje nuk jam një individ. Jam një kandidat i mbështetur nga një lëvizje e tërë që rrënjët i ka në historinë dhe në të tashmen, dhe sytë i ka tek një projekt i madh që kemi të gjithë Shqiptarët përpara.