Abaz Muça emërohet në krye të Prokurorisë së Dibrës

361
Prokuroria e shkallës së parë Dibër Foto: Sami Curri

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka emëruar në krye të Prokurorisë së Dibrës, Abaz Muçën. Ky vendim u mor pas shkarkimit nga KPA-ja të drejtuesit Urim Buci.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit e konsideroi të pabazuar aplikimin e proporcionalitetit dhe objektivitetit në rivlerësimin e prokurorit të Dibrës, Urim Buci dhe konkludoi se ai nuk arrinte nivel të besueshëm në kriterin e pasurisë.

“I mbledhur me urgjencë sot në datën 27.02.2024 ora 12.30, KPA vendosi caktimin e përkohshëm të prokurorit Abaz Muça si drejtues për një afat 3 mujor, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër. Ky vendim u mor pas shkarkimit dje nga KPA-ja të drejtuesit Urim Buci”- thuhet në njoftimin e KLP-së.

Abaz Muça drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër.

Abaz Muça e ka kaluar pa probleme procesin e vettingut në qershor të vitit 2021 dhe para reformës së hartës së re gjyqësore, ka qenë drejtues i Prokurorisë së Shkallës së Parë Mat.