Këshilli Bashkiak i Klosit kundër bashkimit me Matin, 12 këshilltarë votojnë për ruajtjen e bashkisë

269
Këshilli Bashkiak i Klosit ka miratuar qëndrimin kundër bashkimit të Bashkisë Klos me Bashkinë Mat në kuadër të Reformës Administrativo-Territoriale

Këshilli Bashkiak i Klosit ka miratuar qëndrimin kundër bashkimit të Bashkisë Klos me Bashkinë Mat në kuadër të Reformës Administrativo-Territoriale, duke dalë në të njëjtën linjë me qëndrimin e shprehur nga pjesa dërrmuese e qytetarëve gjatë katër dëgjesave publike të zhvilluara në territorin e bashkisë.

Vendimi u mor në mbledhjen e zhvilluar këtë të hënë në sallën e ish-godinës së vjetër të Bashkisë Klos, ku në fillim të takimit ishin të pranishëm me dhjetëra qytetarë, përfaqësues të administratës vendore, përfaqësues politikë dhe anëtarë të tjerë të komunitetit.

Pika më e rëndësishme e rendit të ditës ishte shqyrtimi i projektligjit për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore, i cili parashikon, ndër të tjera, bashkimin e Bashkisë Klos me Bashkinë Mat.

Në fillim të diskutimit për këtë pikë, sekretari i Këshillit Bashkiak bëri një përmbledhje të procesit të konsultimeve publike të zhvilluara në ditët e fundit në njësitë administrative Xibër, Gurrë, Suç dhe në qytetin e Klosit.

Sipas përmbledhjes së paraqitur në mbledhje, pjesa dërrmuese e qytetarëve që kishin marrë pjesë dhe kishin shprehur qëndrimin e tyre gjatë dëgjesave publike ishin kundër bashkimit të Klosit me Bashkinë Mat, duke kërkuar që Klosi të ruajë statusin si bashki më vete.

Edhe gjatë diskutimeve në Këshillin Bashkiak, qëndrimi i këshilltarëve ishte në të njëjtën linjë me kërkesat e shprehura gjatë konsultimeve publike. Këshilltarët që morën fjalën u shprehën se Bashkia Klos duhet të vazhdojë të ekzistojë si njësi e pavarur e qeverisjes vendore dhe kundërshtuan propozimin për bashkimin e saj me Matin.

Në fund, propozimi për Reformën Administrativo-Territoriale u hodh në votim.

Nga 21 anëtarë që ka në total Këshilli Bashkiak i Klosit, në mbledhje ishin të pranishëm vetëm 13 këshilltarë.

Prej tyre, 12 këshilltarë votuan kundër reformës që parashikon bashkimin e Klosit me Matin, ndërsa një këshilltar, Gentjan Gjinaj, abstenoi. Asnjë prej këshilltarëve të pranishëm nuk votoi pro.

Ndërkohë, 8 nga 21 këshilltarët nuk morën pjesë në mbledhje. Sipas listës së prezencës së dokumentuar në mbledhje, munguan Nexhmie Dedolli, Ahmet Qosja, Baftjar Cani, Armand Gjini, Erjon Hutra, Edmond Kurti, Eduart Çollaku dhe Klodiana Keta (Topalli).

Votimi i Këshillit Bashkiak vjen pas përfundimit të ciklit të konsultimeve publike për Reformën Administrativo-Territoriale, ku në katër dëgjesat e zhvilluara në territorin e Bashkisë Klos u evidentua një kundërshtim i gjerë ndaj propozimit për shkrirjen e bashkisë.

Me këtë votim, Këshilli Bashkiak i Klosit ka formalizuar qëndrimin e tij kundër bashkimit me Matin dhe në favor të ruajtjes së Klosit si bashki më vete, duke e lidhur këtë qëndrim edhe me rezultatet dhe opinionet e shprehura nga qytetarët gjatë procesit të konsultimit publik.

Qëndrimi i miratuar nga Këshilli Bashkiak pritet të përcillet në kuadër të procedurave institucionale për shqyrtimin e Reformës Administrativo-Territoriale, ndërsa vendimi përfundimtar për hartën e re administrative mbetet në kompetencën e institucioneve qendrore dhe Kuvendit.

REKLAMË