BE: Sulmi ndaj gazetarit Curri të hetohet pa vonesë, autorët duhet të dalin para drejtësisë

167
Foto ilustrim

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka shprehur solidaritet me gazetarin Sami Curri pas djegies së automjetit të tij, duke theksuar rëndësinë e garantimit të lirisë së medias dhe sigurisë së gazetarëve në Shqipëri.

Me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, një përfaqësues i Bashkimit Evropian iu bashkua partnerëve në Bulqizë për një vizitë në redaksinë e “Bulqizaime.al”. Vizita u zhvillua në një moment të ndjeshëm për gazetarin dhe median lokale, pas një ngjarjeje të dyshuar si zjarrvënie e qëllimshme ndaj automjetit të tij, e cila është cilësuar gjerësisht si një akt intimidimi për shkak të detyrës.

Në deklaratën e saj, BE thekson se vizita kishte për qëllim jo vetëm shprehjen e solidaritetit, por edhe njohjen më të afërt me sfidat me të cilat përballen gazetarët investigativë në nivel lokal. Sipas Bashkimit Evropian, një shtyp i lirë është “shtylla kurrizore e demokracisë”, ndërsa gazetarët duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë profesionin pa frikë apo ndërhyrje.

“Liria dhe pluralizmi i medias janë parime themelore të Bashkimit Evropian dhe thelbësore për nxitjen e transparencës dhe llogaridhënies,” thuhet në reagim.

Vizita e përfaqësuesit të BE-së u zhvillua në kuadër të një mobilizimi më të gjerë të organizatave të medias dhe aktorëve ndërkombëtarë, të cilët u mblodhën në Bulqizë për të mbështetur gazetarin dhe redaksinë e tij. Në redaksinë e “Bulqizaime.al” u zhvillua një takim me pjesëmarrjen e SCiDEV, Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë, BIRN Albania dhe Amfora.al, si dhe përfaqësues të Ambasadës së Holandës, Bashkimit Evropian dhe Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë.

Gjatë këtij takimi, përfaqësuesit e organizatave dhe trupit diplomatik shprehën solidaritet të plotë me gazetarin Curri dhe inkurajuan vijimin e raportimit në shërbim të interesit publik. Ata theksuan se gazetaria lokale përballet me sfida të veçanta, përfshirë burimet e kufizuara dhe presionet e drejtpërdrejta, sidomos kur trajton çështje si qeverisja vendore, industria minerare, kushtet e punës dhe ndikimi në mjedis.

Pjesëmarrësit kërkuan zbardhjen sa më të shpejtë të ngjarjes nga organet e drejtësisë dhe vendosjen e autorëve përpara përgjegjësisë ligjore, duke e cilësuar këtë rast si një provë për sigurinë e gazetarëve dhe funksionimin e shtetit ligjor.

Në të njëjtën linjë, reagime kanë ardhur edhe nga organizata ndërkombëtare. OSCE përmes Zyrës së Përfaqësuesit për Lirinë e Medias e ka cilësuar incidentin si shqetësues dhe të lidhur me aktivitetin profesional të gazetarit, duke kërkuar hetim të plotë dhe ndjekje penale të përgjegjësve.

Po ashtu, një sërë organizatash ndërkombëtare e kanë dënuar djegien e automjetit, duke e konsideruar atë një zhvillim shqetësues për klimën e lirisë së medias në vend. Këto organizata u kanë bërë thirrje autoriteteve shqiptare që të zhvillojnë një hetim të shpejtë, të pavarur dhe gjithëpërfshirës, në mënyrë që të parandalohet pandëshkueshmëria.

Sipas tyre, çdo vonesë në trajtimin e rastit do të dërgonte sinjale negative për sigurinë e gazetarëve dhe do të rrezikonte standardet e lirisë së shprehjes në Shqipëri.

Ndërkohë, në Bulqizë janë zhvilluar edhe deklarata publike nga gazetarë dhe përfaqësues të mediave, të cilët e kanë cilësuar ngjarjen si një sulm ndaj gazetarisë në terren dhe një tregues të presioneve që hasin gazetarët lokalë. Ata kanë kërkuar reagim të menjëhershëm institucional dhe garantimin e kushteve të sigurta për ushtrimin e profesionit.