Një valë reagimesh ka ardhur nga gazetarët e Qarkut Dibër dhe organizatat e medias pas djegies së automjetit të gazetarit Sami Curri në Bulqizë, një ngjarje e cilësuar gjerësisht si akt intimidimi ndaj gazetarisë dhe fjalës së lirë.
Korrespondenti i Report TV në Dibër, Mahir Jangulli, shprehu solidaritet të plotë me kolegun e tij, duke e cilësuar djegien e automjetit si më shumë sesa një humbje materiale. Sipas tij, bëhet fjalë për një sinjal alarmi për sigurinë e gazetarëve dhe për lirinë e shprehjes. Jangulli theksoi se çdo formë presioni ndaj medias është e papranueshme dhe duhet dënuar, ndërsa shprehu besimin se autoritetet do të zbardhin shpejt ngjarjen.
Në të njëjtën linjë, gazetari Dritan Kurti, korrespondent për Vizion Plus dhe Mat Tv, e cilësoi ngjarjen si një akt të rëndë ndaj gazetarisë në vend. Ai vlerësoi Currin si një gazetar “pa kompromis”, i cili ka trajtuar çështje delikate në mbështetje të komunitetit, duke shtuar se sulmi ndaj tij është një përpjekje për ta frikësuar, por që nuk do të arrijë ta ndalë.
Reagim zyrtar ka ardhur edhe nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH) dhe dega e saj në Qarkun Dibër, të cilët e dënuan aktin si kriminal dhe të qëllimshëm. Sipas tyre, rrethanat e ngjarjes tregojnë qartë një tentativë për të kërcënuar gazetarin për shkak të raportimeve të tij mbi çështje sensitive si mjedisi, pasuritë publike dhe abuzimet me pushtetin vendor.
UGSH kërkoi zbardhjen e menjëhershme të ngjarjes dhe ndëshkimin e autorëve, duke shprehur mbështetje të plotë për gazetarin dhe duke e inkurajuar të vijojë punën me të njëjtën kurajo profesionale.
Edhe gazetari Neki Feta, korrespondent për Klan TV dhe Klan News, e cilësoi djegien e makinës si një akt të rëndë që synon frikësimin e gazetarit për shkak të detyrës. Ai kërkoi zbardhje të menjëhershme të ngjarjes dhe ndëshkim të autorëve, duke theksuar se mbështet gazetarinë e lirë dhe të pavarur.
Ndërkohë, korrespondenti i Euronews Albania në Dibër, Islam Shehu, dënoi ashpër incidentin, duke e cilësuar si një akt të papranueshëm që cenon sigurinë e gazetarëve dhe lirinë e medias. Ai u bëri thirrje autoriteteve që të zbardhin sa më shpejt ngjarjen dhe të vendosin përpara përgjegjësisë ligjore autorët.
Djegia e automjetit të gazetarit Sami Curri, e ndodhur në orët e para të mëngjesit në Bulqizë dhe e dyshuar si zjarrvënie e qëllimshme, ka nxitur reagime të shumta nga komuniteti i gazetarëve, duke e kthyer rastin në një test për institucionet në garantimin e sigurisë dhe lirisë së medias në Shqipëri.









