Maqedonia e Veriut aktivizon sistemin “Qyteti i sigurt”, gjoba edhe për mjetet me targa shqiptare

347
Kamera inteligjente në rrugët e Maqedonisë së Veriut, monitorim automatik i shkeljeve

Autoritetet e Maqedonisë së Veriut kanë vënë në funksion sistemin elektronik të monitorimit të trafikut rrugor të quajtur “Qyteti i sigurt”, i cili regjistron automatikisht shkeljet e rregullave të qarkullimit përmes kamerave inteligjente dhe pajisjeve teknike.

Në fazën e parë, sistemi po zbatohet në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë, si edhe përgjatë Korridorit 8 dhe Korridorit 10. Përmes këtij sistemi do të evidentohen shkelje si tejkalimi i shpejtësisë së lejuar, kalimi në semafor të kuq, ndalimi dhe parkimi i parregullt, si dhe qarkullimi me automjete të paregjistruara.

Gjobat janë të kategorizuara në bazë të rrezikshmërisë dhe vendit ku ndodh shkelja (brenda ose jashtë vendbanimit).

Sistemi përfshin edhe automjetet me targa të huaja, përfshirë ato nga Shqipëria. Në rast shkeljeje, drejtuesit e mjeteve njoftohen gjatë hyrjes ose daljes nga Maqedonia e Veriut. Qytetarët e huaj kanë të drejtë të përfitojnë ulje 50% të gjobës nëse pagesa kryhet brenda afatit prej tetë ditësh, ndërsa në rast mospagese ose kundërshtimi të shkeljes, ndiqet procedurë ligjore sipas legjislacionit të Maqedonisë së Veriut.

Ky sistem synon rritjen e kontrollit të trafikut dhe respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor nga të gjithë drejtuesit e mjeteve që lëvizin në territorin e Maqedonisë së Veriut.