Diaspora dibrane vijon të investojë në infrastrukturën e përbashkët të qytetit. Biznesmeni Seladudin (Dino) Erbeli, i vendosur në Nju-Xhersi, SHBA që nga viti 1968, ka financuar rikonstruksionin dhe zgjerimin e sektorit të ndihmës së shpejtë të Spitalit të Përgjithshëm të Dibrës në Maqedoninë e Veriut, një investim prej rreth 50, 000 dollarësh që pritet të përmbyllet brenda pak ditësh.
Gjatë një vizite zyrtare në ambientet e reja, Erbeli u prit nga stafi dhe drejtuesi i spitalit. Ushtruesi i detyrës së drejtorit, Mersim Koleci, i dorëzoi donatorit një mirënjohje të veçantë dhe vlerësoi kontributin e tij:
“Sot pata nderin dhe kënaqësinë të mirëpres në hapësirat e administratës së Spitalit z. Selaudin Dino Erbeli, bashkëqytetar i yni, i cili që nga viti 1968 jeton dhe vepron në SHBA. Shkas për këtë takim ishte falënderimi dhe ndarja e mirënjohjes për donacionin e dhënë nga z. Erbeli për zgjerimin dhe rikonstruksionin e hapësirave të ndihmës së shpejtë dhe urgjencës së Spitalit tonë, investim që ka kushtuar rreth 50 000 dollarë dhe pritet të përfundojë në ditët në vijim. Vazhdojmë çdo ditë pa ndërprerje në përmirësimin e kushteve dhe ofrimin e shërbimeve sa më cilësore për pacientët, por edhe të kushteve të punës për personelin.” –shprehet Koleci, drejtues i Spitalit të Përgjithshëm në Dibër.
Nga ana e tij, Erbeli theksoi se arsimi dhe shëndetësia mbeten prioritetet e tij kryesore për të investuar në vendlindje:
“I jam përkushtuar ta ndihmoj Dibrën time kudo që të jem. Popullata ka nevojë të madhe veçanërisht në këto dy sektorë, prandaj do të vazhdoj të kontribuoj. Mërgimtarët dibranë në SHBA janë donatorë të mëdhenj për shumë projekte në vendlindjen e tyre.”
Sipas Kolecit, spitali ka përfituar edhe aparatura moderne falë diasporës, ndërsa sfida kryesore mbetet mungesa e mjekëve specialistë. Ai shprehet se13 mjekë janë ende në proces specializimi, çka detyron institucionin të bashkëpunojë me Spitalin e Strugës për plotësimin e nevojave urgjente.
Rikonstruksioni i urgjencës konsiderohet jetik për të rritur kapacitetin pritës dhe cilësinë e shërbimit, veçanërisht në rastet e emergjencave sezonale. Stafi i spitalit nënvizon se donacione të tilla nuk janë thjesht investime infrastrukturore, por një garanci morale se komuniteti dibran mbetet i lidhur ngushtë me nevojat shëndetësore të qytetarëve në vendlindje.









