14 të arrestuar në Mat për kultivim të bimëve narkotike

95
Gjatë operacionit të policisë në Mat. Foto nga Policia e Shtetit

Policia e Shtetit ka ndërmarrë një operacion antidrogë në Mat, kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike dhe ka arrestuar 14 persona me lidhje fisnore me njëri-tjetrin, ndërsa është shpallur në kërkim një tjetër.

Policia bëri me dije në një njoftim për shtyp se është arritur të provohet bashkëpunimi i këtyre personave në veprimtarinë e kultivimit të lëndëve narkotike gjatë viteve 2019-2021.

“Sektori për Hetimin e Krimeve në DVP Dibër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Mat, kanë referuar materialet procedurale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Mat, për veprat penale “Kultivim i bimëve narkotike”, “Prodhim dhe shitje të narkotikëve” të kryera në bashkëpunim, “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, i armëve shpërthyese dhe i municioneve” thuhet në njoftimin e DVP Dibër.

Në harkun kohor 2019-2020 janë identifikuar e asgjësuar nga policia 4, 165 bimë narkotike, për të cilën fajësohen personat e arrestuar.

Në njoftimin e DVP Dibër bëhet me dije se është arritur të provohet se personat në fjalë funksiononin në formën e një grupi të mirëorganizuar, në kryerjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotikëve në 5 episode.

Sipas policisë, organizator i kësaj është Gëzim Koleci, me detyrë kryetar i fshatit Lam i Madh, i cili organizonte punën për kultivimin e bimëve, dhe më pas gjetje e tregut që e siguronte nëpërmjet djemve të tij. Gjithashtu janë sekuestruar një armë zjarri, municione luftarakë dhe 13 telefona që përdoreshin nga të lart përmendurit.