
Një parcelë me mbi një mijë bimë të dyshuara narkotike është zbuluar në territorin e Bashkisë Dibër, ndërsa dy persona janë arrestuar në flagrancë nga policia.
Sipas njoftimit të Policisë së Dibrës, gjatë kontrolleve të kryera në kuadër të një operacioni antidrogë, u zbulua një parcelë e kultivuar me 1121 bimë të dyshuara Cannabis Sativa në vendin e quajtur “Liqeni i Lukanit”, zonë që rezulton pronë publike.
Në momentin e ndërhyrjes, në parcelë u kapën dy persona, të identifikuar me inicialet A. K., 38 vjeç, banues në Kamëz, dhe A. B., 39 vjeç, banues në fshatin Derjan të Bashkisë Mat. Ata u arrestuan dhe ndaj tyre vijojnë procedurat hetimore nën drejtimin e Prokurorisë së Dibrës.
Policia bën me dije se bimët e kultivuara u asgjësuan me djegie në vendngjarje.
Operacioni është zhvilluar pas informacioneve të mbledhura nga strukturat hetimore të Policisë së Dibrës, me kontrolle në terren dhe monitorim nga ajri me dronë, me qëllim identifikimin e parcelave të kultivuara me bimë narkotike.
Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve, veçanërisht atyre të zonave rurale, që të denoncojnë rastet e dyshuara të kultivimit të bimëve narkotike.









