Zbardhen dëshmitë për skemën mashtruese të kromit me 3 mln dollarë fatura

343

Zbardhen detaje të reja nga aktiviteti i biznesmenëve të kromit të dërguar në gjyq nga Prokuroria e Tiranës në një dosje me 46 persona e tri biznese të vendosura nën akuzë.

Nuk kanë qenë vetëm faturat fiktive apo dokumentacioni i sekuestruar provat e prokurorisë për akuzat e ngritura ndaj shtetasit Sokol Nasufi, Rexhep Dauti dhe Mehmet Dauti. Ndaj këtyre personave dhe kompanive të tyre si persona juridikë “Euro–Sped–Trans-Chrom” sh.p.k dhe “Euro Trade Mineral Group” si dhe shoqërisë “Elidon 06” sh.p.k, janë ngritur akuza për “falsifikim të formularëve” të kryer nga personi që ka për detyrë lëshimin e dokumentit dhe në bashkëpunim dhe “krijimit të skemave mashtruese në lidhje me tatimin mbi vlerën e shtuar”.

Këta persona akuzohen se kanë vepruar në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ndërsa ndaj Sokol Nasufit prokuroria ka ngritur edhe akuzën e “pastrimit të produketeve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”. Aktiviteti kriminal ka ndodhur me plotësimin e faturave false në vitin 2013, ndërsa kallëzimi është bërë në vitin 2014 nga Drejtoria e Hetimit Tatimor në Tiranë. Për dy vjet prokuroria zhvilloi hetime, ndërsa në nëntor 2016 u arrestuan shtetasit e pandehur Sokol Nasufi, Rexhep Dauti dhe Mehmet Dauti.

Pas arrestimit të tyre, hetimi vazhdoi, ndërsa Prokuroria, krahas dokumenteve të sekuestruara, provokoi fiktivitetin e faturave edhe me dëshmitë e personave e administratorëve të dhjetëra bizneseve të cilat “ishin përdorur” nga të akuzuarit për faturat fiktive. Përfaqësuesit dhe punonjësit e këtyre kompanive kanë pranuar në prokurori së nuk kanë dijeni për faturat në fjalë dhe as për marrëdhëniet me kompanitë kryesore që kanë realizuar skemën e mashtrimit. Besohet se shuma e qarkulluar në total nga gjithë aktiviteti kriminal në fjalë ka qenë së paku 3 milionë dollarë. Ndërkohë gjatë hetimit, prokuroria ka bllokuar rreth 2.3 milionë euro pasuri, që të pandehurit del se i kanë krijuar pas kryerjes së veprave penale.

DËSHMITË 

“Gjatë hetimit të çështjes penale është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e hetimit shtetasi N. T., administrator i subjektit me NIPT KxxxL.  Ai është vendosur përpara faturave të shitjeve të subjektit XBP sh.a. ndaj subjektit Elidon- 06 me transportues N. T dhe të subjektit P. Pxxx sh.p.k ndaj subjektit Elidon- 06 me transportues po N. T. Shtetasi N. T shprehet se kategorikisht nuk ka kryer transport për këto subjekte, nuk i ka firmosur ato fatura dhe se as nuk i njeh dhe dëgjuar emrat e administratorëve të subjekteve të sipërpërmendura”, citohet në dosjen e dorëzuar në gjykatë nga ana e prokurorisë.

Po kështu, G. H është pyetur gjatë hetimit të çështjes penale dhe është njohur me faturat objekt hetimi të sipërcituara, fatura të shitjeve të subjektit Xxx sh.a ndaj subjektit Elidon- 06 datë 31.05.2013 me transportues G.H me mjetet me targa: DR xxx C, DR xxx C. “Ky shtetas deklaron se ai e ka emrin G.H dhe jo XXX. Gjithashtu deklaron me përgjegjësi të plotë se nuk i njeh shtetasit P.P dhe Mehmet Dauti dhe se nuk ka asnjë lidhje me faturën që i është paraqitur dhe se nuk e ka firmosur atë faturë”, theksohet në dosjen e Prokurorisë.

Sipas saj, gjatë hetimit është thirrur dhe pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e hetimit shtetasi A.P, administrator i subjektit Pxxx sh.p.k. Ky shtetas ka deklaruar se: “mua nuk më kujtohen transaksionet lidhur me subjektin Elidon 06 sh.p.k., por me këto transaksione është marrë ekonomisti im i jashtëm P. D., i cili ka komunikuar me bashkëshorten time dhe kunatin tim T. A”. Edhe dëshmitari M. A ka deklaruar se ka punuar në atë shoqëri deri në shkurt 2014 si shofer, por në periudhën që ai ka punuar shoqëria Paja sh.p.k nuk bënte shitje dhe rrjedhimisht as transport në Tiranë, Has apo në Kukës.

Ai personalisht nuk ka kryer ndonjëherë shpërndarje të mallrave për shitje në Tiranë. I vendosur përpara faturës së shitjes së subjektit Pxxx sh.p.k ndaj subjektit Elidon- 06, datë 24.05.2013, ku si transportues është ai vetë dhe targa e mjetit është FR xxx D; shtetasi M.A shprehet se nuk e ka bërë ai këtë transport dhe se nuk e njeh shoqërinë blerëse./panorama