VIDEO/ Si shprehja popullore: “Nga e thëna në të bërë, është një mal i tërë“ – kështu ndodh edhe me premtimet e Ramës për Bulqizën dhe minatorët

515
Takim elektoral i PS në Bulqizë, viti 2013

Në prag të zgjedhjeve parlamentare të viteve 2009 dhe 2013, qyteti i Bulqizë ishte disa herë ndalesa e turit elektoral të kryetarit të opozitës së asaj kohe, Edi Rama. Në takimet me banorët dhe minatorët, Rama artikuloi një sërë premtimesh që lidhnin drejtpërdrejt fitoren elektorale me ndryshimin e kushteve të jetesës dhe punës në zonën minerare.

Më 1 maj 2009, në një takim të zhvilluar me rastin e Ditës së Punëtorëve, Rama e përshkroi situatën e minatorëve si një “dramë të përditshme familjare”, ku fëmijët ndaheshin çdo mëngjes nga prindërit me frikën se mos nuk i shihnin më në mbrëmje. Ai premtoi se pas zgjedhjeve të 28 qershorit do të firmosej ligji për statusin e minatorit, duke e quajtur atë një akt ndërgjegjeje dhe një lloj faljeje morale ndaj atyre që kishin humbur jetën në galeritë e kromit.

Në qershor të po atij viti, gjatë një tjetër takimi elektoral në Bulqizë, Rama deklaroi se fitorja e socialistëve do të sillte rikthimin e dinjitetit për minatorët dhe përmirësimin e kushteve të punës në miniera. Ai theksoi se kishte hyrë vetë në galeritë e Bulqizës për të parë realitetin “çnjerëzor” të punës dhe se synimi i qeverisjes së ardhshme do të ishte jo vetëm ta shihte atë realitet, por ta ndryshonte. Në fjalën e tij, Rama kërkoi votën e qytetarëve për t’i dhënë fund varfërisë, pasigurisë në punë dhe për të ndarë, siç u shpreh, “të ardhmen nga e shkuara”.

Premtimet u përsëritën edhe në fushatën e vitit 2013. Në një takim të zhvilluar në Bulqizë, Rama deklaroi se qëllimi i Partisë Socialiste ishte largimi nga pushteti i qeverisë së asaj kohe dhe hapja e 300 mijë vendeve të reja të punës. Ai u shpreh se do të ishte “mbrojtësi më i flaktë” i çdo minatori që futet qindra metra nën tokë për të siguruar bukën e familjes, duke e renditur minatorin në të njëjtin plan me fermerin si kategori që do të mbështetej nga shteti.

Në të gjitha këto dalje publike, Bulqiza u përdor si simbol i politikave të dështuara ndaj punëtorëve dhe si shembull i nevojës për ndryshim. Diskursi politik i Ramës e lidhte drejtpërdrejt votën me përmirësimin e kushteve të punës, garantimin e sigurisë dhe miratimin e statusit të minatorit si instrument ligjor për mbrojtjen sociale të kësaj kategorie.

Sot, këto deklarata mbeten pjesë e arkivit mediatik të fushatave elektorale, ndërsa premtimet e bëra në Bulqizë shërbejnë si referencë për të krahasuar pritshmëritë e asaj kohe me realitetin e mëvonshëm të sektorit minerar dhe jetës së minatorëve.

Në kontrast me premtimet e dhëna në fushatat elektorale për rikthimin e dinjitetit dhe miratimin e statusit të minatorit, pas marrjes së pushtetit nga Edi Rama e deri më sot, në vitin 2026, minatorët vazhdojnë të mos kenë një status ligjor të veçantë. Përkundrazi, shumica parlamentare socialiste rrëzoi në komisionet e Kuvendit projektligjin “Për statusin e minatorit”, duke argumentuar se ai mbivendoset me kuadrin ekzistues ligjor dhe krijon trajtim të diferencuar për një kategori të caktuar.
Ndërkohë, aksidentet minerare mbeten të shpeshta, zonat minerare po braktisen gradualisht dhe kompanitë e kanë gjithnjë e më të vështirë të gjejnë punëtorë, ndërsa minatorët dhe ish-minatorët vijojnë protestat për trajtim më dinjitoz.

Pamjet në video: TvKlan