VIDEO/ Rruga e Arbërit, Rama inspekton punimet tek Ura e Vashës

1666
Punimet për ndërtimin e Urës së Vashës, Rruga e Arbërit, fshati Guri i Bardhë në Klos. Foto: Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë

Gjatë turit elektoral në qarkun e Dibrës, Kryeministri Rama dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, kanë inspektuar punimet që po kryhen në Rrugën e Arbërit, duke u ndalur në kantierin e Urës së Vashës, e cila lidh tunelet T5 dhe T6. “Gjoka Konstruksion” është kompania që ka marrë përsipër realizimin e projektit. Presidenti i kësaj kompanie Rrok Gjoka, bëri me dije se sot kanë përfunduar afro 38% e volumit të punimeve.

“Parashikohet që në pranverën e vitit 2021 të përfundojë. Kemi pasur disa vështirësi, tek tunelet që janë në formacione jo të qëndrueshme. Ura e Vashës dhe ajo e fshatit Fshat janë vepra arti shumë të rëndësishme dhe nga ana tjetër edhe shumë të vështira në ndërtim. Në fund të verës parashikohet që Ura e Vashës të përfundojë së ndërtuari.” u shpreh Gjoka.

Ura e Vashës lidh dy tunelet T5 dhe T6 në dy shpatet e malit përkatësisht në drejtim nga Bulqiza dhe Klosi. Ura përbëhet nga konstruksion metalik në një hark rihter. Ka 27 kolona paralel në të dya anët e urës, të cilat ngrihen drejt lart. Ura ka një gjatësi hapësirë drite 160 metra, pjesa e kalueshme mbi konstruksion metalik është 220 metra, ndërkohë që vetë ura është 242 metra.

Pak ditë më parë në media u raportua se punimet për hapjen e tunelit të Murrizit, afro 3.3 km në Tiranë janë ndërprerë, pasi ka pasur rrëshqitje dhe bllokim të tunelit për kalimin e makinave. Punimet kanë filluar në krahun e tunelit të Xibrit në Klos, raporton gazeta Rruga e Arbërit.

Në bazë të kontratës, rruga duhet të përfundojë brenda 44 muajsh.

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/420798951839685/