Vetëm të bashkuar mund të ndalojmë Skavicën

567
Lumi Drin i Zi. Foto: A. Ashiku

Po bëj një përpjekje modeste për të folur në emër të dibranëve me shpresën për të rritur ndërgjegjësimin se ndërtimi i Digës së Skavicës nuk është thjesht nocion i sakrificës së njerëzve për zhvillimin kombëtar, por paraqet dilemën për komunitetet lokale të Dibrës qe nuk jane konsideruar ne vendimarrje ne lidhje me projektin famekeq te Skavices.

Sipas Komisionit Botëror për Digat (WCD, 2000: 1-2), “konfliktet mbi digat janë më shumë se konfliktet për ujin. Ato janë konflikte mbi zhvillimin njerëzor dhe vetë jetën.”

Janë mbi 35 fshatra që do të mbulohen me ujë, dhe mbi 60,000 persona të prekur nga diga e Skavicës do të shpërngulen. Ankesat e tyre shpërfillen dhe protestat e tyre thjesht njihen si grupe të vogla që shkaktojnë trazira politike. Miratimi i një dige të madhe si ajo e Skavicës, pa marrë parasysh zërat e banorëve autoktonë, reflekton idenë se qeveria e zotëron këtë pasuri kombëtare pasi qeveria është ajo që ka për detyrë ta konsiderojë me krenari këtë si një fitore. Kjo ka një ndikim indirekt në atë që qeveria mund të pretendojë kontroll mbi pasuritë kulturore, historike, identitetin e nje rajoni në emër të shumicës.

Zhvendosja e detyruar si dhe shpronësimi në rastin e ndërtimit të digave dalin si justifikim për të mirën e përbashkët. Edhe pse ka shumë mënyra të tjera për të marrë energji duke përdorur energjinë diellore, apo energjinë e erës, ndërtimi i digave të mëdha spikat si mekanizmi më me kosto efektive në programin e qeverisë. Ndërtimi i digës së Skavicës nuk ka një vlerësim të qartë për rezultatet mjedisore, e lëre më pasojat socio-kulturore. Për banorët vendas të Dibrës, jeta e të cilëve është jashtëzakonisht e lidhur me tokën, ujin dhe burimet natyrore, zhvendosja e detyruar është më e madhe se humbja e aseteve financiare, si traditat, historia, kultura dhe identiteti i tyre. Fatkeqësisht, komunitetet lokale të prekura janë gjobitur për të ndërprerë fuqinë për të protestuar. Historitë e ankesave të tyre mbahen të pashfaqura nga mediat e kontrolluara nga qeveria dhe qe nuk ia vlen t’i kushtohet vëmendje.

Diga e Skavicës shquhet si një nga konfliktet famëkeqe mes qeverisë shqiptare dhe banorëve vendas të Dibrës, për trajtimin e padrejtë të komuniteteve të prekura dhe për të krijuar dëme të pakthyeshme mjedisore. Ndikimet që rezultojnë përfshijnë shkatërrimin e të gjithë Dibrës si rajon dhe heqjen e Dibres nga harta e Shqipërisë, duke shkatërruar kështu të gjithë komunitetin dibran, dhe identitetin e tij. Zëri i komunitetit nuk është dëgjuar, dhe as që janë përmendur se ekzistojnë në planet e Skavicës. Për ironi qeveritaret kanë përmendur komunitetin e Kukësit që kanë marrë leje, dhe kanë rënë dakord për ndërtimin e Skavicës, duke injoruar ekzistencën e 34 fshatrave të Dibrës që do të fundosen nën ujë.

Ju bëj thirrje jo vetëm komunitetit të Dibrës, por të gjithë shqiptarëve që të ndalojnë ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës. Ne nuk duam t’i zëvendësojmë shtëpitë tona me digën e Skavicës. Nëse humbim Dibrën dhe humbim një pjesë të Shqipërisë, përgjithmonë. Kjo tokë është shtëpia jonë, kultura jonë, historia jonë identiteti ynë. Kjo tokë ruan mjedisin natyror, speciet e ndryshme dhe pyjet. Të parët tanë janë kujdesur mirë për të dhe ne do të vazhdojmë në të njëjtën rrugë. Sot duhet të jemi të gjithë të bashkuar për të luftuar Projektin e Digës së Skavicës në Dibër të Shqipërisë. Ftoj komunitetet lokale, ambientalistët, studiuesit, mbrojtësit e të drejtave të njeriut së bashku me të gjitha organizatat mjedisore kundër projektit të Skavicës.

Si komunitet i Dibrës, ne bëjmë thirrje që çdo studim i digeve të reja të përfshijë mundësi të shumta për kontributin e publikut, idealisht shumë përpara se të kalojë në procesin zyrtar të rishikimit të qeverisë. Mundësitë e shumta për kontributin publik do t’i lejojnë publikut shqiptar të ekspozojë çdo supozim të gabuar në lidhje me vlerësimet e kërkesës dhe ofertës, si dhe çdo problem tjetër mjedisor dhe ekonomik, qoftë afatshkurtër apo afatgjatë.

Sipas shumë ekspertëve të energjisë së rinovueshme, sistemi i erës dhe diellit jane menyrat me te avancuara si mënyrat më të mira të energjisë së rinovueshme duke ruajtur mjedisin dhe duke shpëtuar lumenjtë dhe tokën tonë.

Mbështetja për një digë si ajo e Skavices duhet refuzuar në mënyrë të konsiderueshme nëse popoulli shqiptar duhet të mbaj vetë barrën e ndërtimit të digave, si tatimpagues për të shlyer kredinë.

Kur zëri i dibranëve nuk është dëgjuar dhe është shuar qëllimisht, ky është një shqetësim kombëtar dhe nuk i përket vetëm Dibrës. Vlerësimi dhe konsiderimi i ideve dhe strategjive midis të gjitha organizatave dhe individëve që kontribuojnë në projektin Stop Diga e Skavicës, është mjaft rëndësishëm për vetë urgjencën e problemit në fjalë. Këto kompetenca thelbësore kontribuojnë në suksesin e të qenit lider për të bashkuar njerëzit për të njëjtin qëllim për projektin Stop Skavica.

Dibra është në kërkim të një udhëheqesi që mirëpret mundësitë për të deleguar dhe gjetur mënyra për t’i përfshirë të gjithë në procesin e vendimmarrjes dhe për të vlerësuar ndryshimin. Udhëheqësit dëgjojnë dhe vlerësojnë qëllimshmërinë në lidhje me aksesin dhe disponueshmërinë për reagime. Drejtuesit proaktivë krijojnë një mjedis të sigurt dhe mbështetës duke nxitur punë krijuese dhe produktive, ku dibranët ndihen të motivuar dhe të vlerësuar.

Është detyra jonë si dibranë vendas, të mbrojmë tokën, shtëpinë, historinë, kulturën, identitetin dhe vendin tonë. I ftoj të gjithë drejtuesit intelektualë dibranë të jenë të guximshëm, novatorë, të ofrojnë ndihmë, t’u ofroni kohën atyre në nevojë. Përforcimi i te gjitha lidhjet ekzistuese ne planin e mbrojtës se lumit Drin i Zi, dhe krijimi i rrjeteve të reja me organizata të tjera të ngjashme mjedisore, krijimi i një platformë dhe një plani për të ndjekur dhe dokumentuar të gjithë hapat krijon nje domosdoshmëri urgjente. Niveli i ndikimit të komunikimit përcaktohet nga aftësia jonë për ta përdorur atë.

Sfida per ndalimin e Skavicës, ekspozon domosdoshmërinë e zhvillimit të një pune te mirëfilltë dhe të koordinuar mes të gjithë njerëzve. Gjatë periudhave të tilla te vështira, është e domosdoshme që organizatat të ofrojnë hapësira të sigurta për të gjithë njerëzit për të diskutuar çështjet që i prekin. Fleksibiliteti dhe komunikimi janë mënyra kyçe për të forcuar qëndrueshmërinë individuale dhe të përbashkët, midis të gjithë anëtarëve dhe midis organizatave. Lidershipi intelektual mund të tregojë një përkushtim të vërtetë ndaj burimit të tij më të mirë – popullit tonë të Dibrës dhe ta dijë se këta njerëz duhet t’u besojnë vendimeve tuaja.

*** Ferzileta Gjika është kandidate për doktore të shkencave në Graduate Center City University of New York. Aktualisht ajo mban titullin Adjunct Assistant Professor po prane CUNY (Universiteti i qytetit te New York). Botuar fillimisht në Gazetën Dielli – USA.