Vështrim gjeostrategjik i Rrugës së Arbërit

396

Nga Azis KETA

Që kur lindi njeriu mbi tokë, në vartësi të kushteve dhe mjeteve, doli nevoja dhe domosdoshmëria për rrugë. Në kushtet e Shqipërisë, në zonat rurale veçanërisht, transporti me kafshë, ishte dhe mbeti përcaktues nga antikiteti deri në Luftën e Dytë Botërore. Kjo, për mungesë burimesh e mjetesh për të përballuar nevojat e lëvizjes për kohë paqe e lufte.

Rrjeti rrugor automobilistik, deri në shek. XIX, ishte tepër i kufizuar, i pa mirëmbajtur, me mungesa të theksuara në shumicën e pjesëve të territorit. Krejt ndryshe, vlerësimi dhe zhvillimi i rrjetit rrugor në lashtësi. Ndoshta, nevoja për mbijetesë, lëvizje, zhvillim dhe mbrojtje, solli atë mrekulli logjistike të kohës që e gjejmë në bosht të Rrugës Arbërit, aq sa, vihemi në dyshim:

Mos vallë, mendja njerëzore, edhe se në kohë moderne, krahasuar me kushtet dhe rrethanat e kohëve, ende, nuk e ka arritur atë shkallë zhvillimi intelektual të lashtësisë? Mbështetur në këto burime, brenda fushës së ngushtë të profesionit dhe përvojës, jam përpjekur të gjej, lexoj, sistemoj, të bëj analizë, me synimin e ndonjë përfundimi modest se, cila është e vërteta midis asaj që propagandohet dhe faktit të Rrugës së Arbërit.

Opinioni publik, ka rënë viktimë e “planit të mashtrimit” qeveritar, të llogaritur deri në detaje, si aviacioni në Luftën e Dytë Botërore, që merrte maketet e topave si pozicione reale të artilerisë dhe bombardonte në drejtim të gabuar. Rruga e re Arbërit, nuk ka filluar asnjë centimetër! Opinioni publik, i bombarduar me “artileri mashtrimi”, ka marrë “Rrugë të Re Arbëri” një rrugë të rikostruktuar keq nga Bulqiza në Bllatë dhe një tjetër, paralel me ekzistuesen, që ju shërben fshatrave të Tiranës nga Brari në rrethinat e Krujës, por ende jo, asnjë centimetër Dibrës. Rruga e Arbërit, e reja, ajo vetëm 27 km, e kërkojnë tre rrethe të Shqipërisë:

Dibër, Mat e Bulqizë, plus Dibra e Madhe shqiptare, Radika shqiptare, Dy Rekat shqiptare, Kërçova shqiptare, Gostivari shqiptar, Tetova dhe Ohri shqiptar, bashkë me rrethina Shkupi me shumicë shqiptare, por ende nuk ka filluar asnjë centimetër. Një neglizhencë 50 vjeçare e sistemit që shkoi dhe mbi 20 vjeçare e kohës së demokracisë, 12 vjet e premtuar, por asnjë centimetër e realizuar, as nga qeveritë e majta, as të djathta. Kjo neglizhencë, deri në kufijtë e absurdit që po i afrohet shekullit, ka patur dhe vazhdon të ketë pasoja komplekse.

Rruga e Arbërit, para se të jetë faktor gjeopolitik i kombit, vazhdon të mbetet “Atdhe i Parë” për Dibrën, Matin e Bulqizën, për Kërçovë, Ohër e Gostivar, deri në Shkup, ku ka me shumicë shqiptarë! Ura e Qytetit të Valikardhës, me arkitekturë të ngjashme dhe të lokalizuar në kohë me Urën e Vezirit (Bunguri); Ura e Vashës dhe Grazhdani i famshëm; kalatë në bosht, nga “Ohri i Dibrës” deri në Rodon, një provë më shumë pse kishim shtet dhe Rrugë Arbëri.

Traseja e rrugës së Arbërit në dy akse paralele, kaq e maskuar, kaq e shkurtër në distance, kaq e fortifikuar, jo vetëm me “kështjellat qytete”, por edhe me banesën “kullë, objekt banimi, objekt fortifikimi” (500 Vjet Fortifikim në Shqipëri) ishte mrekullia logjistike, magjia që krijon vetëm Rruga e Arbërit, mekaq shumë rrugë lokale, kryq e tërthor, që Skënderbeu, i shfrytëzojë mrekullisht dhe mori maksimumin prej tyre.

Ndaj dhe: Në bosht të Rrugës Arbërit, Skënderbeu, do të mbrohej, sa herë i kërkohej koka. Se aty ishte më i sigurtë. Se aty kishte shtetin e vet. Se aty, ishte drejtimi më i shkurtër i kërthizës së Arbërisë, që lidhte Perëndimin me Lindjen. Me vetëm 80 km lidh Durrësin me Dibrën; 70 km Krujën me Dibrën; 100 km, Durrësin me “Ohrin e Dibrës”.

Dhe kjo mrekulli logjistike rrugore e kohës së Skënderbeut, mund të realizohet prapë, vetëm me 27 km, “Rrugë të Re Arbëri”! Rruga e Arbërit, ju shërbeu më shumë shqiptarëve për të mbrojur detin, se sa të huajve që sulmuan nga deti. Arbëri, duke sjellë forca nga thellësia e territoreve të veta në “shpinë të Durrësit”, e mbrojti Durrësin, Rodonin, Shufadanë dhe Krujën, për sa kohë nuk i kishte Venediku. Arbëri, po aq sa nga deti, ishte i rrezikuar dhe nga toka. Serbia, ishte armiku historik, shekullor.

Gjithnjë, serbët, synonin Adriatikun. Boshti i rrugës Arbërit, ai i kurrizeve veçanërisht: Dibër-Valikardhë-Ballenjë- Qafë Priskë- Tiranë – Durrës, ishte drejtimi më i shkurtër dhe më i preferuar për serbët. Sepse Rusia dhe Serbia, ende mbeten faktor
destabilizues. “Thema e Durrësit” sipas Shufllait, viset qëndrore të saj, ishin drejtimi bazë për zgjerim territori nga ana e Serbisë, një synim konstante në shek. XII-XIV, aq sa, viset qëndrore të Themës Durrësit ishin “rregullator të marrëdhënieve dinamike midis Lindjes dhe Perëndimit”.

Rruga e Arbrit në periudhën e Luftës së Ftohtë

Po kjo klasë politike, me mendësinë “të çojmë investimin tek populli” dhe jo “cili investim na kursen më shumë”, që ka “efekt vetshlyerje më të shpejtë”, u bënë gabime në vlerësimin ekonomik të “Rrugës së Arbërit”, deri kufijtë e të pabesueshmes, deri në absurd. Nëse do zbatoheshin ato “projekt- ide” që hidheshin në stërvitjet e nivelit strategjik nga elita intelektuale ushtarake, ku propozonte bosht të rrugës Arbëri, edhe se pa zënë në gojë fjalën Arbër, neglizhoheshin ato. Për rrjedhojë, patëm pasoja fatale:

Nuk do kishim ato 27 km “Rrugë të Re Arbëri”, dhe do bënim plot 50 vjet, trefish një rrugë më gjatë, duke humbur kohë, pasuri dhe energji, deri në çmenduri. Të tjera absurditete, po me “Rrugë Arbëri”: Kromi i Bulqizës, nuk pasurohej në Bulqizë, në bosht të Rrugës Arbërit por, transportohej 27 km më larg, deri në Burrel. Vetëm me kurimet e këtij transporti të panevojshëm, mund të ndërtoheshin ato 27 km shtesë “Rrugë e Re Arbëri”. Vetëm për 27 km shtesë “Rrugë të Re Arbëri”, mbi 50 vjet, transportuam mbi 10.5 milion ton krom e mermer, nga 135- 180 km deri në Durrës, kur kjo mund e duhej të bëhej me 50- 80 kilometra.

Po të ishin ndërtuar ato 27 km në kohë diktature, ajo rrugë shtesë, do e kishte shlyer veten kush e di sa here. Me ato kursime, sa punë më të dobishme se fortifikimi mund të kishim bërë? Mos, kursimet do ishin aq të mëdhaja, sa dhe nga Komani, Fierza e Vau i Dejës, që pati leverdi me ç’vendosur gjithë Kukësin e vjetër? Mos, vetëm ato 27 kilometra rrugë shtesë, po të ishin bërë në kohë, vetëm nga kursimi i një zëri të vetëm, “diferencë transporti, nga 5 minierat “hidrocentrale” në bosht të Rrugës së Arbërit (Bulqizë, Batër, Thekën, Tërnovë, Klos), plus tre Fabrika Pasurimi dhe një Metalurgji, a nuk do të kishim kursyer aq shumë sa mund të sillnim tre rrethe me shtëpi në Tiranë, dhe prap bilanci të ishte aktiv?!

Në bosht të Rrugës së Arbrit, “Hija” e Skënderbeut

Në bosht të “Rrugës Arbërit”, populli, nëpërmjet “gojëdhanës amanet”, ka sjellë edhe “mallkimet e Skënderbeut!”. Një besimtar në Bulqizë, me shtëpi afër “Teqes së Madhe”, na befasoi në një mortje në Koçe, kur përditësoj mallkimin e Skënderbeut, me një ngjarje konkrete, po me “Rrugë Arbëri”… .Rruga e Arbrit ka “tolosun” të rendë. Ka hijen e Skënderbeut! Mjer kush merr mallkimin e saj! Se Skënderbeu, nuk fal më “tradhëtitë e mëdha!” as nga “të vetët”.

Të gjitha kështjellat qytete (aty dhe rezervat logjistike); kështjellat vend drejtimi dhe pika të përparuara (aty dhe rezervat e përparuara logjistike), nuk viheshin as në fushë, as larg boshteve ku kalonin rrugët e mëdha ushtarake dhe tregtare. Se, tek e fundit, kështjellat dhe rrugët, ishin pjesë të njëra tjetrës. Faktori logjistik, krijonte kushtet që shteti të futej në luftë. Ishte lufta ajo që do mbronte logjistikën e shtetit.

Pa këtë analizë gjeostrategjike të ndërsjelltë, që e studion “Logjistika Shkencë”, nga lashtësia deri në kohë komunizmi, nuk mund të kuptojmë pse gjithë ajo ngjeshje kalashë në bosht të Rrugës së Arbërit. Dibër- Bizë- Qafë Shkallë Tiranë, Tujan (aty dhe Bazorelika e ruajtur nga ushtria), Brarë aty dhe Uzina e Artilerisë), Surrel (aty spitali më modern, me disa pavjone, të tunelizuara, sterilizuara, me disa salla operacioni për ndërhyrje kirurgjikale të specializuara; një segment i “Rrugës Arbërit” që mban emrin “Myslim Keta”, nga Uzina e Artilerisë deri tek kryqëzimi “Rruga-Ura”, ku kishim një varg uzinash, makineri e pajisje, rezerva të të gjitha llojeve, për kohë paqe dhe lufte; për të vijuar në Surrel ku kishim dhe furra buke stacionare, që funksiononte me dru zjarri, qymyr dhe solar.

Këto furra stacionare, veç atyre të lëvizëshme, përballuan furnizimin me bukë të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, në kohë krizash, përfshi dhe atë kosovare (kishte planifikim logjistik dhe për këtë, madje, objekt i kërkimit shkencor); Qafmolla, (më gjigandja ku kishte gjithçka për luftë) dhe Linosi, pika e përparuar në nivel strategjik e drejtimit verilindor, bashkë me “ Rezervat e Shtetit”, po në Linos. Me gjithë këtë mrekulli logjistike të kohës, edhe se me dhimbje tragjike, mbyllnin përfundimisht mbështetjen logjistike të “Boshtit të Rrugës Arbërit”.

Të vendosim nishane të Skënderbeut në Rrugë të Arbrit

Po të kishte lëshuar Skënderbeu këto territore, nuk do të kishim Ohër të Dibrës dhe as Ematia -Maqedoni dhe Maqedonia- Shqipëri. Nuk do kishim as veprën unikale të Nikoll Kesës, “zbulim i madh” (Buda) për “origjinën pellazgjike të shqiptarëve të Maqedonisë” (Skiroj), ku dhe ai ishte pjesë, nga Gostivari, i biri i Kol Ketës. Po në Maqedoninë shqiptare, Ohri i Dibrës, Dy Rekat e Dibrës, Rrethinat e Shkupit me shumicë të cilësuar shqiptarë, Gostivari tërësisht shqiptar, etj.

E, ndërsa Gjeorgjevski, shton buste për të sajuar diçka që i mungon nga etnia maqedonase në Shkup e Ohër, dhe përdhos bustin e Skëndeerbeut dhe Nënë Terezës, ne heqim Skënderbeun me gjithë territore dhe beteja nga Ohri i Dibrës dhe rrethina Shkupi me shumicë shqiptarë!

A nuk jemi të marrë?

Dhe “Rrugën e Arbërit”, nuk e çojmë me studim fizibiliteti deri aty ku ishte dhe e kishim, deri në Ohër të Dibrës, aty ku bashkohej me Egnatian me një segment edhe nga Krajka (Kaca), dhe segmentin në territoret shqiptare të Maqedonisë t’ja kërkonim Maqedonisë, po me aq forcë, siç po kërkojmë ujrat e Radikës, hartat tona të rrugës Arbërit, i mbyllim, o në Bllatë, o në Homezh?

Pse?

Duket pakujdesi e vogël, por, atë që shkruan lapsi, nuk e shkul kazma! E shikoni ç’po heqim nga një laps zgjatimi i Rrugës Arbërit, dhe duhet korrigjuar sa nuk është vonë, ketë “njollën” në harta topografike, aty ku e kishim dhe se kemi, por nesër do e kemi Durrës – Tiranë- Grykë Bulqize- Dibër – Ohër të Dibrës! Kjo është rruga reale e Arbërit, që rivihet në efiçencë, me vetëm 27 km rrugë të re makine.

Dhe rruga e Arbërit, është nishan i Skënderbeut në trojet shqiptare. Një rrugë që do ndihmojë edhe në uljen e ndotjes atmosferike, si dhe në uljen e kostove të transportit.

*Marrë nga e përmuajshmja “Rruga e Arbrit”