Vendimi i Komisionerit: Albchrome i shkarkoi minatorët për shkak të angazhimit sindikal

396
Minatorë dhe anëtarë të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës duke protestuar para hyrjes së minierës së kromit në Bulqizë që administrohet nga kompania Albchrome. Foto: Sami Curri/BIRN.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi gjeti pas një hetimi se minatorët Beqir Duriçi dhe Behar Gjimi, të dy anëtarë të Këshillit Sindikal të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, ishin shkarkuar nga puna “pikërisht për shkak të përkatësisë në sindikatë”.

Në vendimin e datës 26 tetor, Komisioneri Robert Gajda rrëzoi padinë për Elton Debreshin, kryetar i SMBB-së, duke arsyetuar se nuk u provua që kompania kishte qenë në dijeni të përfshirjes së tij në sindikatë në momentin e marrjes së masës ndëshkuese, ndërsa vendimi për minatorin e katërt, Ali Gjeta u pezullua.

Komisioneri u vu në lëvizje nga SMBB, pas shkarkimit të kryetarit të saj, Elton Debreshi dhe anëtarëve të Këshillit Sindikal, Beqir Duriçi, Behar Gjimi dhe Ali Gjeta në nëntor dhe dhjetor të vitit të kaluar, pak javë pasi ishte njoftuar krijimi i sindikatës së re. SMBB e akuzoi Albchrome se i kishte ndërshkuar minatorët për shkak të organizimit të tyre në sindikatë.

I pyetur nga BIRN për vendimin e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Albchrome e quajti atë të padrejtë dhe paralajmëoi apelimin në gjykatë.

“AlbChrome do të apelojë vendimin e Komisionerit pjesërisht, për pjesën që ka vlerësuar diskriminin, pasi gjykohet të jetë i pabazuar në prova dhe në ligj,” reagoi kompania.

Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës e konsideroi vendimin e Komisionerit të vonuar, por vlerësoi njohjen e diskriminimit.

“Pas shumë muajsh vonesë, edhe për shkak të situatës së pandemisë, KMD-ja ka dalë në përfundimin se drejtuesit e SMBB-së janë diskriminuar nga kompania Albchrome, pikërisht për shkak të angazhimit sindikal,” tha Sindikata, duke theksuar se kjo i hapte rrugën rikthimit të sindikalistëve në punë.

Vendimi i Komisionerit vë në dukje se procedurat ngarkonin kompaninë Albchrome që të sillte prova për të kundërshtuar padinë se kishte diskriminuar minatorët për shkak të pjesëmarrjes në sindikatë.

“Shoqëria Albchrome jo vetëm që nuk dha shpjegim objektiv, të justifikueshëm dhe të besueshëm për zgjidhjen e kontratës të punë së ankuesit, por shpjegimet e dhëna prej saj janë të pabazuara në provat e administruara dhe në kundërshtim me mbrojtjen ligjore që i ofrohet punëmarrësit në marrëdhëniet e punës”, thuhet në vendimin e Komisionerit Gajda.

Minatori Beqir Duriçi , njëkohësisht ndër themeluesit e SMBB, u shkarkua nga pouna prej Albchrome. Foto: Sami Curri/BIRN

Komisioneri arsyetoi se qoftë ndaj Duriçit, qoftë ndaj Gjimit masat e marra nga kompania përfshi ndryshim të vendit të punës pa miratim, ishin jo propocionale dhe binin ndesh me një sërë ligjesh kundër diskriminimit.

Duke arsyetuar se të dy shkarkimet kishin ndodhur pas krijimit të sindikatës dhe gjatë protestës të organizuar prej saj kundër shkarkimit të Elton Debreshit, Komisioneri vë në dukje se kompania kishte në këtë kohë dijeni të plotë për statusin e tyre si anëtarë të Këshillit Sindikal.

Në rastin e Debreshit, Komisioneri e rrëzoi padinë, pasi arsyetoi se nuk mund të provohej që Albchrome kishte qenë në dijeni se ai ishte përfshirë në aktivitet sindikal. Vendimi arsyeton në favor të Debreshit në lidhje me një masë disiplinore, por po ashtu i jepet të drejtë kompanisë në lidhje me një pjesë të mungesave të pajustifikuara.

Përplasja mes kompanisë Albchrome dhe përfaqësuesve të SMBB filloi pesë ditë pas njoftimit publik të themelimit të sindikatës. Kompania fillimisht shkarkoi Elton Debreshin dhe më pas  tre anëtarë të Këshillit Sindikal, ndërsa pretendoi se shkarkimit nuk kishin lidhje me krijimin e SMBB-së. Inspektoriati i Punës, i cili bëri një hetim në lidhje me çështjen e shfajësoi kompaninë dhe arsyetoi po ashtu se shkarkimet nuk ishin për shkak të pjesëmarrjes në sindikatë.