Vdekja në punë e minatorit në Bulqizë, policia arreston teknikun dhe procedon penalisht dy brigadier të Albchrome

3035
Foto ilustruese në galeri kromi në Minierën e Bulqizës. Foto: Albchrome

Policia e Dibrës njoftoi të shtunën se kishte arrestuar teknikun dhe proceduar penalisht dy brigadier të kompanisë Albchrome në minierën e Bulqizës, pas një aksidenti në të cilin mbeti i vdekur një punëtor.

Policia njoftoi se tekniku i arrestuar identifikuar si D.K dhe dy brigadierët e proceduar penalisht kishin për detyrë kontrollin e gjendjes teknike të frontit të punës dhe kanë neglizhuar punën. Kjo sipas policisë ka sjell shembje të një pjesë minerali, e cila ka lënë të vdekur minatorin 35-vjeçar.

“D. K., 34 vjeç, banues në Bulqizë, për veprën penale ‘Shkelje e rrrgullave të mbrojtjes në punë’, me detyrë teknik miniere në një subjekt minerar. Si dhe filloi procedimi penal për shtetasit L. A., 54 vjeç; V. Rr., 51 vjeç, banues në Bulqizë, me detyrë brigadier në një subjekt minerar. Arrestimi i shtetasit D. K., dhe procedimi penal i dy shtetasve të tjerë u bë pasi nuk kanë bërë kontrollin teknik të frontit të punës dhe për pasojë gjatë punës në galeri është shembur një masiv shkëmborë, ku për pasojë humbi jetën shtetasi E. A.,  35 vjeç.”, thuhet në njoftimin e DVP Dibër.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Dibër për veprime të mëtejshme hetimore.

Kompania AlbChrome, në galeritë e kontrolluara prej të cilës ndodhi aksidenti, në një deklarat për mediat ditën e premte, bëri me dije se ngjarja kishte ndodhur si pakujdesi e minatorit që humbi jetën. ”Një minator me profesion armator ka gjetur vdekjen si pasojë e aksidentit në nivelin e 18-të të minierës. Minatorët e pranishëm tregojnë se aksidenti ka ndodhur si pakujdesi gjatë punimeve për armatimin e galerisë. Nje katror i armatimin e ka zënë poshtë minatorin me iniciale E. A. duke i shkaktuar vdekjen.” thuhej në reagimin e Albchrome.

Në një deklaratë për shtyp, Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës deklaroi se aksidentet janë bërë të përditshme dhe për këtë fajësohen minatorët. “Shteti dhe kompanitë vazhdojnë të fajësojnë punëtorët, duke mos ndërmarrë asnjë hetim apo përmirësim serioz të kushteve të punës.” deklaron SMBB.

Më parë, shtatë aksidente ishin raportuar gjatë këtij viti në galeritë e Albchrome, ndërkohë që aksidenti i së premtes ishte më fatali, ku minatori Eltjon Alla, 35 vjeç, teksa punonte në nivelin e 18-të humbi jetën.

Në shkurt të këtij viti një minator 49-vjeçar humbi jetën teksa punonte në galeritë e zonës krom-mbajtëse D në Bulqizë. Pak ditë më parë në zonën krom-mbajtëse të Martaneshit, mbetën të asfiksuar tre minatorë, pasi një punëtor po saldonte me gjenerator brenda galerisë. Një tjetër minator më 24 maj u plagos rëndë në galeritë e kromit në zonën mineral-mbajtëse D në Bulqizë, si pasojë e shpërthimit të lëndës plasëse në galeri.