Këshilli Bashkiak i Bulqizës ka miratuar në mbledhjen e zhvilluar ditën e sotme (09.03) strukturën e re organike të bashkisë dhe nivelin e pagave për vitin 2026. Vendimi përfshin ndryshime në organizimin e administratës vendore, si dhe rritje të pagave për funksionarët e lartë drejtues të institucionit.
Sipas projekt-vendimit të miratuar nga këshilli, pagat për drejtuesit e Bashkisë Bulqizë për vitin 2026 janë përcaktuar në disa nivele dhe indeksimin e fundit të pagave në administratën publike.
Krahasuar me vitin e kaluar, drejtuesit e Bashkisë Bulqizë do të përfitojnë rritje mesatarisht nga rreth 3,000 deri në 5,000 lekë të reja në muaj, në varësi të pozicionit që mbajnë në administratën vendore.
Sipas dokumentacionit shoqërues dhe VKM nr. 503, datë 1 gusht 2024, që përcakton kufijtë e pagave për vetëqeverisjen vendore, Bashkia Bulqizë ka vendosur pagat e drejtuesve në nivelin maksimal të lejuar nga ligji. Nga krahasimi mes tavaneve ligjore dhe strukturës së re rezulton se për kryetarin e bashkisë, zëvendëskryetarët, sekretarin e përgjithshëm, drejtorët e drejtorive dhe administratorët e njësive me mbi 5 mijë banorë është aplikuar paga maksimale e parashikuar.
Paga e Kryetarit të Bashkisë është caktuar në 246 mijë lekë në muaj. Ndërsa dy zëvendëskryetarët e bashkisë do të paguhen me 189,625 lekë në muaj. Për pozicionin e Sekretarit të Përgjithshëm paga arrin në 174,250 lekë.
Në strukturën e re janë parashikuar gjithashtu 10 drejtori në administratën e bashkisë, ku secili prej drejtorëve do të paguhet me një pagë mujore prej 144,525 lekësh.
Edhe administratorët e njësive administrative kanë pësuar ndryshime në nivelin e pagës. Për njësitë që kanë nga 5,001 deri në 20,000 banorë – si Bulqiza, Shupenza dhe Gjorica – paga mujore është përcaktuar në 148,625 lekë. Ndërsa për njësitë administrative me më pak se 5,000 banorë paga është caktuar në 143,500 lekë.
Sipas relacionit që shoqëron projekt-vendimin, këto vlera janë rezultat i indeksimit prej 2.5 për qind të pagave dhe i politikave të reja të rritjes së pagave të miratuara nga Këshilli i Ministrave për administratën publike.
Gjithashtu pagat zënë peshën kryesore të shpenzimeve në buxhetin e Bashkisë Bulqizë.
Ndërkohë, ndryshe nga drejtuesit e institucionit, punonjësit e nivelit bazë të administratës pritet të vijojnë me paga minimale dhe pa ndryshime të ndjeshme në strukturën e re. Për shumë prej këtyre pozicioneve pagat mbeten në nivele të ulëta dhe nuk kanë pësuar rritje të dukshme, duke reflektuar një diferencë të theksuar mes përfitimeve financiare të kupolës drejtuese dhe stafit të administratës në bazë.
Ndryshime në shërbimet administrative
Struktura e re parashikon gjithashtu disa ndryshime në organizimin e shërbimeve të administratës vendore. Një nga ndryshimet kryesore është mbyllja e zyrave të Gjendjes Civile në njësitë administrative, duke centralizuar këtë shërbim pranë Bashkisë Bulqizë.
Sipas strukturës së re, shërbimi i Gjendjes Civile do të funksionojë me një përgjegjës dhe me një punonjës.
Punonjësit që lirohen nga këto pozicione pritet të zëvëndësohen në sektorë të tjerë të administratës, kryesisht në fushën e mbrojtjes dhe administrimit të fondit pyjor.
Në këtë drejtim, struktura e re parashikon krijimin e një ekipi prej 11 punonjësish për administrimin e fondit pyjor me pagë 57 mijë lekë në muaj, si dhe 6 punonjës për inspektimin e pyjeve me pagë 53,200 lekë.
Efektet financiare të kësaj strukture dhe nivelit të ri të pagave kanë hyrë në fuqi që prej datës 1 janar 2026.












