Tjetërsim pronash në Dibër, 14 persona nën masa sigurie

1000
Drejtoria Vendore e Policisë Dibër

Hetimi disa mujor ka zbuluar një skemë të dyshuar për tjetërsimin e paligjshëm të pronave në Dibër, ku dyshohet se janë përfshirë punonjës aktualë dhe ish-punonjës të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, një notere dhe disa persona privatë.

Sipas të dhënave të bëra publike nga Policia, janë ekzekutuar gjithsej 14 masa sigurie, ndërsa tre persona të tjerë janë shpallur në kërkim.

Hetimet kanë nisur rreth shtatë muaj më parë dhe dyshohet se përmes dokumenteve të falsifikuara dhe procedurave administrative të kundërligjshme janë tjetërsuar prona të paluajtshme në favor të një familjeje nga Dibra.

Dy persona, të identifikuar me inicialet T.D. dhe F.Ç., janë vendosur në masën e sigurisë “arrest në burg”, pasi dyshohen për mashtrim dhe falsifikim dokumentesh. Ndërkohë, një ish-specialist matjesh në terren dhe përgjegjësi i sektorit të legalizimeve në Kadastrën e Dibrës janë lënë në “arrest shtëpie”.

Masa “detyrim paraqitjeje” është caktuar për disa punonjës dhe ish-punonjës të Kadastrës së Dibrës, mes tyre hartografë, juristë dhe drejtues sektorësh, të cilët dyshohet se kanë pasur rol në procedurat që lidhen me dokumentacionin e pronave.

Po ashtu, në kërkim është shpallur ish-drejtori i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Dibër, aktualisht zëvendësdrejtor i institucionit, ndaj të cilit gjykata ka caktuar masën “arrest në burg”. Në kërkim është shpallur edhe një notere, për të cilën është vendosur masa “arrest në shtëpi”, si dhe një person tjetër i afërm i familjes që dyshohet se ka përfituar nga tjetërsimi i pronave.

Sipas hetimeve paraprake, personat e përfshirë dyshohet se kanë bashkëpunuar për të krijuar dhe përdorur dokumente të falsifikuara, duke mundësuar regjistrimin e pronave në favor të personave të caktuar.

Autoritetet bëjnë të ditur se hetimet vazhdojnë për të identifikuar persona të tjerë që mund të kenë qenë pjesë e kësaj skeme, ndërsa po punohet edhe për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim.

Çështja po ndiqet nga Prokuroria e Dibrës, e cila pritet të vijojë me veprimet e mëtejshme procedurale.