Strategjia Minerare 2026–2040 nxjerr në pah problemet e sektorit

539
Foto ilustruese nga Albchrome

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka hapur konsultimet publike për projektvendimin mbi Strategjinë Kombëtare për Zhvillimin e Sektorit Minerar 2026–2040, një dokument që synon të vendosë bazat për rritjen e qëndrueshme dhe konkurruese të industrisë minerare shqiptare në dekadat e ardhshme. Strategjia identifikon sfidat kryesore që kanë penguar zhvillimin e sektorit dhe propozon hapa strategjikë për përmirësimin e performancës, rritjen e transparencës dhe harmonizimin me standardet e Bashkimit Evropian.

Një nga problemet kryesore që identifikon Strategjia është mungesa e kërkimeve dhe zbulimeve të reja të burimeve minerare, sidomos për mineralet kryesore si kromi, bakri dhe hekurnikeli, si dhe për lëndët e para që janë thelbësore për ekonominë evropiane. Në vitet e fundit, numri i lejeve të kërkim-zbulimit ka rënë ndjeshëm, duke ngadalësuar investimet dhe kufizuar mundësinë për identifikimin e vendburimeve të reja me potencial ekonomik. Mungesa e një sistemi të unifikuar kombëtar të të dhënave minerare dhe gjeologjike ka ndikuar gjithashtu në pamundësinë për të realizuar analiza gjithëpërfshirëse dhe për të hartuar politika bazuar në evidencë, duke reduktuar transparencën dhe efikasitetin e investimeve – thuhet në dokument. Strategjia synon krijimin e një DataHub Kombëtar për Burimet Minerare dhe Gjeologjike dhe aplikimin e metodologjive ndërkombëtare për raportimin e rezervave, kjo për të garantuar krahasueshmërinë dhe besueshmërinë e të dhënave për investitorët.

Një tjetër sfidë madhore për sektorin minerar lidhet me kapacitetet e ulëta të përpunimit dhe mungesën e sistemeve të riciklimit të burimeve minerare. Aktualisht, një pjesë e madhe e mineraleve eksportohen në formë të papërpunuar, duke humbur vlerën e shtuar që mund të krijohej brenda vendit. Rikuperimi i materialeve nga mbetjet industriale është ende jashtë nivelit të BE-së, duke shkaktuar humbje ekonomike dhe presion mjedisor. Strategjia synon investime në impiante moderne, teknologji riciklimi dhe stimuj fiskalë që të inkurajojnë përpunimin e avancuar dhe zhvillimin e një zinxhiri të plotë të vlerës minerare.

Diversifikimi i zinxhirit të vlerës dhe integrimi me sektorët strategjikë të ekonomisë është një tjetër sfidë që kërkon përkushtim. Sektori minerar në Shqipëri mbetet i fokusuar kryesisht te nxjerrja e lëndëve të para, ndërsa përpunimi, rafinimi dhe prodhimi i produkteve industriale është i kufizuar. Kjo situatë rrit varësinë nga tregjet ndërkombëtare dhe ndikon drejtpërdrejt në stabilitetin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja pune. Strategjia thekson nevojën për bashkëpunim ndërsektorial, transferim teknologjik dhe krijimin e një modeli të integruar “nxjerrje–përpunim–riciklim–prodhim industrial”, që mund të gjenerojë produkte me vlerë të lartë dhe të ulë varësinë nga importet.

Siguria mjedisore dhe në punë mbetet një sfidë kritike. Trashëgimia e aktivitetit minerar historik ka lënë pas zona të ndotura dhe depozitime të paqëndrueshme të mbetjeve minerare, duke kërcënuar tokën, ujërat nëntokësore dhe shëndetin publik. Sipas Bankës Botërore, kostoja për rehabilitimin e plotë të këtyre zonave tejkalon 100 milionë euro, duke e bërë prioritet strategjik kombëtar. Pavarësisht rregullimeve ligjore, shumë impiante vazhdojnë të operojnë me teknologji të vjetruara dhe pa plane emergjence, ndërsa aksidentet në miniera mbeten mbi mesataren e BE-së.

Mungesa e kapitalit njerëzor të kualifikuar dhe infrastruktura teknologjike e pamjaftueshme është sfida afatgjatë e sektorit. Numri i studentëve në fushat gjeologji-miniera ka rënë mbi 80% krahasuar me vitet ’90, duke krijuar boshllëqe të thella në profesionet kyçe të industrisë. Përveç mungesës së stafit të kualifikuar, ka një ndarje strukturore midis arsimit dhe industrisë, duke penguar krijimin e një zinxhiri të qëndrueshëm njohurish dhe aftësish. Strategjia synon investime në edukim, trajnime profesionale, përdorimin e teknologjive të reja si inteligjenca artificiale, dronët dhe sensorët gjeohapësinorë, si dhe integrimin e ekspertizës së diasporës për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm dhe konkurrues të sektorit minerar.

Procesi i digjitalizimit dhe krijimi i një platforme kombëtare të menaxhimit të informacionit minerar dhe gjeologjik është gjithashtu prioritet. Fragmentimi aktual institucional pengon koordinimin, transparencën dhe efikasitetin e planifikimit, duke kufizuar gjithashtu investimet strategjike. Për të arritur një zhvillim të qëndrueshëm, Shqipëria duhet të harmonizojë politikat kombëtare me standardet e BE-së, të zbatojë parimet e të dhënave të hapura dhe të krijojë një kuadër të integruar për qasje të lirë dhe të harmonizuar në të dhënat gjeohapësinore dhe minerare – thuhet projektvendimin “Për miratimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillimin e Sektorit Minerar 2026-2040”.