STATUSI I MINATORIT/ Zbardhet projektligji i deputetit Spahiu

432

Rreth 40 mijë minatorë dhe ish-minatorë në të gjithë Shqipërinë pritet të përfitojnë nga projektligji i ri për “Statusin e minatorit”, që do të depozitohet nga deputeti i LSI-së, Përparim Spahiu. Nisma ligjore, që do të firmoset nga deputeti i Dibrës, është konsultuar me përfaqë- suesit e sindikatave. Sipas këtij projektligji, paga minimale për punonjësit e minierave do të jetë jo më e ulët se dyfishi i pagës minimale. Pra, një minator nuk do të paguhet nën 44 mijë lekë në muaj.

“Paga e punonjësve të Industrisë së Minierave përcaktohet sipas kontratës kolektive të punës, por që në asnjë rast nuk mund të jetë më e ulët se 200% e pagës minimale në shkallë vendi dhe që do të reflektojë të gjitha detyrimet e Kodit të Punës, si edhe vështirësitë e veçanta që ka puna në këtë industri dhe ndikimin në shëndetin në punë sipas aktiviteteve të punës”, thuhet në nenin 6 të projektligjit.

SHKALLËZIMI I PENSIONIT

Në projektligjin e ri propozohet një shkallëzim i moshës së daljes në pension. Për punonjësit e nëntokës, që kanë 12.5 vite në miniera dhe 30 vite pune, dalja në pension propozohet të jetë në moshën 55 vjeç. Ndërkohë që për minatorët që kanë 11.5 vite punë nën tokë, dalja në pension do të jetë në moshën 56 vjeç, nëse ata kanë 30.5 vite pune.

Ndërsa për minatorët që kanë 7.5 vite punë nën tokë dhe 32.5 vite punë në total, dalja në pension do të jetë në moshën 60 vjeç. Ndërkohë që do të ketë dhe një shkallëzim për ish-minatorët që nuk kanë përfituar nga ligji i vitit 2000, por edhe as pension të parakohshëm. Ata ish-minatorë që kanë 12.5 vite nën tokë dhe 23 vite punë gjithsej, do të mund të dalin në pension në moshën 55 vjeç. Ndërsa për ata që kanë 7.5 vite nën tokë dhe 28 vite punë gjithsej, dalja në pension do të jetë në moshën 60 vjeç.

PËRFITIMET

Në këtë projektligj është parashikuar dhe një masë pagese për punonjësit e minierave që shkurtohen nga vendi i punës. Ata duhet të paguhen për 5 vite me vlerën e pagës minimale, derisa t’u gjendet një vend pune. “Personat që gëzojnë statusin e minatorit, sipas përcaktimit të nenit 2 dhe 4, që kanë vjetërsi pune të përgjithshme mbi 20 vjet, nga ku jo më pak se 6 vite nën tokë, që humbin vendin e punës në nën tokë pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, për shkaqe që nuk varen prej tyre, përveç përparësisë në ripunësim dhe të drejtës për shpërblim vjetërsie sipas dispozitave të Kodit të Punës, neni 145, kanë të drejtën e përfitimit financiar sipas kushteve dhe procedurave të përcaktuara me Vendim të Këshillit të Ministrave, i cili në asnjë rast nuk mund të jetë më i vogël sesa paga minimale neto e minatorit, për një kohë deri në 5 vjet, në rast se nuk sigurohet ripunësimi”, thuhet në nenin 8 të projektligjit të ri.

Ndërsa për rastet kur minatori që përfiton statusin aksidentohet me vdekje, familja e tij përfiton pension në masën 100%. Për minatorët dhe ish-minatorët përfitues të statusit të ri, çdo dy vite duhet të bëjnë kontrolle mjekësore falas në spitale publike apo private. Po ashtu, Ministria e Shëndetësisë do të detyrojë kompanitë që operojnë në fushat e minierave që të pajisjen me mjekë dhe aparatura për të trajtuar problemet shëndetësore të punonjësve të nëntokës. Po ashtu, minatorët do mund të kurohen jashtë vendit kur vërtetohet se janë dëmtuar në punë dhe nuk ofrohet kura brenda vendit. Gjithashtu, ilaçet për përfituesit e statusit do të jenë 100% të rimbursueshme.

/FATION BINJAKU, Gazeta Panorama/