STATUSI I MINATORIT/ Qeveria e ka gati, ja çfarë parashikon projekt-ligji

425

Pas punonjësve të industrisë së naftës, qeveria po harton një status të veçantë edhe për punonjësit e industrisë së minierave.

Ministria e Energjisë thotë se kërkesa erdhi nga vet minatorët dhe ish-minatorë në pension, e po diskutohet prej 6 muajsh, transmeton TCH.

“Një nga kërkesat më kryesore që kërkojnë të gjitha sindikatat, sepse nuk mund t’i ndash ato të minatorëve, të cilët kanë arritur në një emërues të përbashkët me njëri-tjetrin, është paga minimale e punëtorëve aktualë të minierës, që kërkohet të jetë së paku 70 mijë lekë në muaj”, tha Gëzim Musabelli, zëvendësministër i Energjisë dhe Industrisë.

Mbi këtë pagë, drafti parashikon shpërblimin për vjetërsi në punë. Për rastet e aksidenteve nëntokë, ose ato të invaliditetit të plotë, minatorët kërkojnë pension familjar për bashkëshorten, kur nuk është e punësuar, apo fëmijët e mitur deri në moshën 18 vjeç.

Drafti parashikon rritjen e pensionit në minimalisht 30 mijë lekë dhe ulje të viteve të punës nëntokë, mbi të cilat llogaritet dalja në pension. Përfituesit e statusit kanë të drejtën të kryejnë dy herë në vit kontroll mjekësor falas dhe në rast të sëmundjeve përfitojnë kurim mjekësor falas.