SPAK pushon hetimet për Lefter Allën: Filmimi që pretendohet se konsumon drogë, nuk është i qartë

367
Lefter Alla gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet vendore 2019-të. Foto: PS

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar  (SKAK) ka pushuar hetimet ndaj kryebashkiakut të Bulqizës Lefter Alla, për të cilin gazetari Artan Hoxha publikoi një video, ku pretendonte se socialisti po konsumonte kokainë.

Mësohet se SPAK, i ka pushuar hetimet me pretendimin se nuk ekziston fakti penal për të akuzuar Allën. Kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla i është nënshtruar edhe testit të drogës, përgjigjia e të cilit ka dalë negative, dhe kjo gjë ka bërë që Prokuroria e Posaçme të pushojë hetimet.

Prokuroria gjithashtu ka bërë edhe ekspertimin teknik të videos ku pretendohej se shfaqej Alla. Në dosje thuhet se pas verifikimeve, ekspertët kanë dalë në konkluzionin se nuk mund të identifikohen qartë personat që shfaqen në video. Sipas Prokurorisë, fakti që filmimi nuk është marrë drejtpërdrejtë nga pajisja regjistruese, por është regjistruar me aparat celular, nga ekrani i një kompjuteri, nuk lejon që të dallohet data dhe ora reale e regjistrimit, apo personat që shfaqen aty.

Nga analiza e të gjitha veprimeve hetimore të kryera, rezulton se nuk mund të realizohet identifikimi i shtetasit që paraqitet në pamjet filmike dhe aq më tepër që ai të jetë lefter Alla. Nga shqyrtimi në tërësi i akteve dhe provave, çështja penale duhet pushuar, pasi fakti nuk përmban element të veprës penale,”- thekson prokurori Eneid Nakuçi në dosje.

Ndërsa vetë Alla, mësohet se i ka kërkuar prokurorisë ti vinte në dispozicion një filmim më të qartë, me qëllim që të mund të jepte shpjegime, pasi nuk dallonte asgjë të qartë në video. Përsa i përket personave të tjerë që shfaqen në video, kryebashkiaku Alla, mësohet se është shprehur se nuk i njihte.

Nuk e shikoj qartë. Do të doja të kisha një filmim më të qartë në dispozicion. Nuk i dalloj dot dhe nuk i njoh personat e tjerë në video,”– mësohet të ketë thënë Alla.

Dosja tashmë i është dorëzuar Gjykatës së Posaçme kundër korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Do të jetë gjykatësi, Sandër Simoni ai që do të vulosë edhe fatin e Allës dhe hetimet në lidhje me këtë video.

Si nisi historia e videos së Lefter Allës?

Gazetari investigativ Artan Hoxha publikoi videon e kryebashkiakut të Bulqizës Lefter Alla, ku pretendonte se socialisti po konsumonte kokainë. Pas publikimit të pamjeve, një reagim i menjëhershëm erdhi nga Alla, i cili cilësoi videon si montazh duke pretenduar se i është bërë edhe presion nga grupet kriminale, që sipas tij veprojnë në Bulqizë për interesa biznesi, ndërkohë që PD kërkoi largimin e tij.

Lefter Alla mori edhe mbrojtje nga kolegët e tij socialist, por SPAK nisi hetimet ndaj Allës, me akuzën se përveç konsumimit të kokainës, ai është përfshirë në prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike. Prokuroria bëri që Lëfter Alla t’i nënshtrohej edhe testit të konsumimit të lëndëve narkotike.