SPAK: Nuk ka hetime dhe as kallëzim penal për koncesionin e rrugës së Arbrit

684
Majtas, foto nga kompania "Gjoka" të punimeve në rrugën e Arbrit. Në të djathtë, shkresa e SPAK për Bulqizaime.al

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK nuk ka asnjë kallëzim apo hetim të nisur për koncesionin e ndërtimit të rrugës së Arbrit.

Duke ju përgjigjur interesit të Bulqizaime.al, zyrtarisht SPAK përgjigjet se nuk rezulton që të jetë depozituar ndonjë kallëzim penal për koncensionin e rrugës së Arbrit ose administratorëve të kompanisë “Gjoka 87“, Erind Gjoka dhe administratorit të kompanisë “Gjoka Konstruksion“, Rrok Gjoka.

Në tetor të vitit 2017-të, kompania “Gjoka Konstruksion” u shpall fituese e koncesionit për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës së Arbrit. Punimet po zbatohen nga kompania “Gjoka 87”, me administrator Erind Gjoka dhe e zotëruar me 100% të kapitalit nga kompania “Gjoka Konstruksion”. Afatet për përfundimin e punimeve janë zgjatur disa herë nga institucionet shtetërore.

“Nuk rezulton që të jetë regjistruar ndonjë procedim penal lidhur me konçensionin e rrugës së Arbërit ose administratorëve të kompanisë ‘Gjoka 87‘, Z.Erind Gjoka dhe administratorit të kompanisë ‘Gjoka Konstruksion‘, Z.Rrok Gjoka“, thuhet në shkresën e SPAK.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, ka ndryshuar disa herë kontratën koncesionare për ndërtimin e rrugës së Arbrit, duke parashikuar si afat të ri përfundimin në pranverën e vitit 2025. Edhe në ato segmente të rrugës së Arbrit që konsiderohen të përfunduara, cilësia e punimeve dhe siguria rrugore janë jashtë çdo standardi.

Në projektbuxhetin e vitit 2024, qeveria parashikon që për koncesionin e rrugës së Arbrit do të paguhen mbi 3.5 miliardë lekë. Rruga e Arbrit në total pritet ti kushtojë qytetarëve 40.3 miliardë lekë, me pagesa që do të vijojnë deri në vitin 2031. Qytetarët kanë paguar sakaq 15 miliardë lekë, ndërsa kompania sipërmarrëse ka dështuar deri më sot të dorëzojë objektin sipas kontratës.

Dhe jo vetëm kaq, por e njëjta kompani ka zhvilluar punimet në terren edhe për tenderin “rivitalizimi i skarpatave”, në Plan të Bardhë dhe Shkallën e Tujanit, gjë që efektivisht është shtesë me afro 20 milionë euro mbi shtesën e kontratës për ndërtimin e rrugës.