Shkatërrohet Parku Kombëtar “Zall-Gjoçaj”

1416
Tubacion HEC-i. Foto: A. Diku

Zall-Gjoçaj është një fshat i vogël dhe shumë i izoluar. Gjendet në lindje të bashkisë Mat, pas malit të Dejës dhe fare afër kufirit administrativ me Dibrën. Për ato që njohin Lurën, fshati gjendet pak metra në perëndim të ‘Fushës së pelave’.

Në vitin 1996 u shpall Park Kombëtar, prej sipërfaqes pyjore me Arrni, Bredh, Rrobull e pishë. Duke qenë fare afër Lurës, edhe ato pyje unike u dëmtuan, si kudo.

Mirëpo zona mbart ende vlera të mëdha natyrore e paizazhi, thuajse si askund tjetër. Kjo bëri që qeveria ta shpallë në vitin 2018 si Park Kombëtar (kategoria e II e IUCN), duke përfshirë gjithë malin e Dejës dhe duke e bashkuar atë me parkun Kombëtar të Lurës e duke krijuar kështu një park të madh me sipërfaqe 20,244 ha me emrin Parku kombëtar “Lurë-Mali i Dejës”. Gjë shumë e mirë kjo dhe që gëzoi gjithkënd.

Por nuk ishte e thënë që të gëzohej vërtet. Në të njëjtën periudhë (2018), qeveria kishte dhënë lejen për të ndërtuar HEC mu në zemër të parkut, poshtë fshatit Zall-Gjoçaj rreth 2.4 km në brendësi të kufirit të parkut. Së pari banorët nisën të protestojnë duke bllokuar punimet. Po ju merrej uji! Fshati Melth që është buzë lumit që vjen nga Zall-Gjoçaj do të thahet për pikën e ujit. Ashtu si kudo dhe kurdo ku kemi HEC-e të tilla; mulliri i fshatit nuk do të ketë më ujë, fshati buzë lumi po ashtu nuk do ketë. Burimet e ujit do futen në tuba e do prodhojnë lek për koncensionarin dhe për analogji skamje për banorët.

Protesta e banorëve dhe aktivistëve kundër ndërtimit të HEC-eve në Zall Gjoçaj. Foto: A. Diku

Disa banorë kanë lënë kurbetin dhe kanë ardhur të ri-ndërtojnë jetën këtu.

Por pa ujë, nuk ka jetë. Banorët nuk duan 5000 eurot që premton Kryemisitri. Nuk duan asgjë përveç ujit dhe natyrës që kanë trashëguar në breza.

Disa qindra metra larg, në malin e Dejës gjendet “Shkalla e deshëve”. Një shekull më parë banorët e zonës luftuan heroikisht duke shkatërruar forcat pushtuese serbe. Luftuan për vendin, për tokat dhe kullat e tyre, për arat e burimet e ujit. I mbrojtën me jetën dhe gjakun e tyre. Afro 110 vjet më vonë, qeveria ju merr ujin për të majmur financiarisht 2-3 biznesmenë. Nga ana tjetër, jeta jo vetëm e banorëve këtu, por edhe atyre të fshatrave që gjenden më poshtë, rrënohet përgjithmonë. Shumë fshatra, shumë toka buke, shumë familje e shumë jetë njerëzish preken negativisht nga marrja e ujit. Por kujt i bëhet vonë?!

Asnjë institucion i vetëm nuk i mbron banorët, nuk mbron të drejtën e tyre.

Qeveria që krijoi shpresë për banorët përmes parkut, e zhduku menjëherë atë, duke u tallur së pari me vetveten. Duket sikur ka luajtuar ‘hapa-dollapa’ me këtë rast duke e shpallur Park Kombëtar dhe po në të njëjtën kohë ka dhënë edhe lejen për HEC, në kundërshtim të plotë me ligjin 81/2017 për ‘Zonat e mbrojtura’.

Askujt nuk i është dridhur dora kur ka firmosur shkatërrimin e parkut. Një firmë e paligjshme në dokumentacion e cila po sjell rrënimin e Parkut Kombëtar por edhe të komuniteteve që varen nga uji i tij. Kanioni i Flimit më poshtë është Monument Natyre (kategoria e III e IUCN). Eshtë shpallur i tillë sepse është një vepër monumentale e natyrës. Është puna miliona vjeçare e ujit të lumit i cili tashmë burgoset përjetësisht.

Kujt i duhet një lum apo kanion pa ujë?!

Kur vjen puna për të vjedhur të mirën publike të gjitha pushtetet bëhen bashkë. Edhe në këtë rast ashtu ka ndodhur. Pushtetet e votuara nga populli u përdorën në kurriz të tij.

Plani i përgjithshëm vendor, i miratuar nga bashkia dhe qeveria thotë se këtu do bëhet turizëm. Tallen keq fare! Turizëm pa ujë?!

Banorët janë në të drejtën e tyre. Ata duan të zhduket HEC-i nga parku, jo zona e HEC-it nga territori i parkut. Një pushtet që sillet me komunitetet më keq nga sa u sollën pushtuesit, kujt i duhet?!

Një i ri me pankartë gjatë protestës. Foto: A. Diku

Hapja e rrugës për në Zall-Gjoçaj kërcënon seriozisht edhe pyjet atje. E dimë dhe e kemi të qartë sepse kjo ka ndodhur gjithkund tek ne. Pak më sipër digës së HEC-it, bashkia Mat do marrë ujin e ‘Gurrës së Gjonit’ për pirje, duke garantuar kështu tharjen tërësisht të shtratit të lumit.

Po ndikimi në ekositem?! Askujt nga ato që paguhen për ta mbrojtur apo për të dhënë llogari për mjedisin nuk i bëhet vonë për ekosistemin. Mati ka burime shumë të pasura me ujë, por do të gjendet pikërisht i vetmi Park Kombëtar aty, për ta shkatërruar duke i hequr ujin, d.m.th jetën.

Banorët kanë të drejtë kanunore e ligjore, morale e shoqërore, por në një shtet si ky i yni, e vetmja vlerë mbetet paraja e pisët, paraja që thith gjakun e ekositemeve tona natyrore. Paraja e cila korrupton shtet për të prodhuar pushtet diktatorial.

Ditën e shtunë (17.04) disa të rinj, pavarësisht shiut kishin zgjedhur të interpretonin dramën “Armiku i popullit” të Ibsen.

Ja disa nga frazat e përmendura në dramë;

– Burimet morale të shoqërisë sonë janë të helmuara;

– Qeveria pretendon se destabilizimi i stabilimentit sjell destabilizim;

– Urtë e butë, e butë e urtë kur bëhet fjalë tek paraja;

– Armiku më i rrezikshëm është ai që rrin pasiv, nuk vepron, që ka një punë e duron shtypjen, ai që pranon vjedhjen ballëhapur, ata që qeshin me talljet dhe gënjeshtrat e politikanëve…

– Armiku më i rrezikshëm jemi vetë ne, ne që vetëm rrimë, hamë e pimë e nuk bëjmë asgjë për të drejtat tona.

Shkruar mbi një shekull më parë, Ibsen duket se na e ka njohur shpirtin pa e ditur se ekzistojmë. Sepse ka gjithçka të vërtetë në gjithçka ai shkruan.

Po, burimet morale të shoqërisë sonë janë të helmuara keqas. Por jo vetëm kaq, se ato ligjoret nuk ekzistojnë më.

Ne kemi zgjedhur ta vrasim shpresën e brezave, duke vrarë natyrën tonë.

Vetë kryeminitri ka deklaruar se;

“HEC-et në shumë raste kanë funksionuar si shushunja që thithin pikërisht gjakun e organizmit të vendit duke lënë shpeshherë toka të tëra pa burimin e nevojshëm ujor, duke lënë shpeshherë komunitete pa mundësinë për të punuar tokën si rezultat i tharjes së burimit, duke bërë dëme të mëdha edhe nga pikëpamja e ekosistemit…” por, nga e thëna në të bërë…

Mos u habisni nëse protestat e banorëve për ujin (jetën) do cilësoheshin “Grusht shteti”. Dhe në fakt ashtu janë, sa kohë që shteti ka shitur jetën e banorëve dhe atje në Zall-Gjoçaj fytyra e tij duket vetëm përmes betoniereve, tubave metalike dhe shkatërrimit të ekosistemit në zemër të parkut Kombëtar.

Nuk di nëse ka ndonjë gjë më anti-kombëtare se sa shkatërrimi i një vlere unikale për vendin siç është parku Kombëtar?!

Gjithsesi, jemi të pakonkurueshëm me çdo armik real e imagjinarë në shkatërrimin e mjedisit të vendit tonë. Ata që kanë abuzuar dhe ne që shohim e bëjmë sehir me shkatërrime të tilla jemi aktorë e njëkohësisht spektatorë të dramës “Armiku i popullit”.