Sëmuret sërish një avokat, “Dosja 184” shtyhet për në dhjetor

265
Prokurori Urim Buci dhe gjyqtarja Nertila Kape në seancën ndaj të akuzuarve për manipulim të zgjedhjeve. Foto Sami Curri

Pas zhvillimit të një seance normale në 4 nëntor ndaj të akuzuarve për shantazh të zgjedhësve dhe shpërdorim detyre, Robert Aga dhe Hasan Hoti, në të cilën u lexuan qëndrimet e akuzës, seanca e rradhës me qëndrimin e mbrojtjes do të mbahej të mërkurën.

Por të mërkurën në 17 nëntor në sallën e gjyqit ishte i pranishëm vetëm prokurori Urim Buci dhe gjyqtarja Nertila Kape. Siç doli nga informacioni që ndau gjyqtarja Nertila Kape në seancë, avokati Gentian Rumano kishte sjellë një raport mjekësor si justifikim për mungesën dhe kishte kërkuar shtyrjen e gjyqit.

Në seancë nuk ishte i pranishëm as ish-shefi i Komisariatit të Peshkopisë Robert Aga, as ish-administratori i Lurës Hasan Hoti, që janë nën akuzë si pjesë e skemës së manipulimit të zgjedhjeve të vitit 2016 në Dibër.

Me dakordësi të prokurorit Kape vendosi shtyrjen e gjyqit. “Gjykata vlerëson që të pranojë këtë kërkesë duke qenë se shkaku i pretenduar është shkak i arsyeshëm për të ndërprerë këtë seancës dhe për ta shtyrë për një moment tjetër”, tha Kape.

Gjyqtarja tha se shtyrja bëhej që avokatëve dhe të pandehurve tu jepej kohë të sillnin argumentet e tyre. Seanca e rradhës u caktua në 1 dhjetor 2021 në orën 12.00.

Dosja 184 u bë fillimisht publike në janar 2019, falë një investigimi të BIRN mbi përfshirjen e krimit të organizuara në vjedhjen e votave dhe kërcënimin e votuesve në zgjedhje. Por hetimet për të u zvarritën për një kohë të gjatë në ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ndërsa kur ato u përfunduan akuzat për disa nga të dyshuarit ishin parashkruar.

Vetëm katër persona u morën të pandehur dhe u dërguan në gjykim nga prokurori i Dibrës Urim Buci. Veç Agës dhe Hotit, në një gjyq paralel po shqyrtohet çështja ndaj ish-drejtorit të Arsimit Drini Gjeci dhe ish-administratorit Nuri Meda.

Shumica e seancave në të dy proceset nuk kanë qenë efektive për shkak të mungesës së avokatëve dhe në ndonjë rast edhe të pandehurve. Në të dy proceset avokatët janë gjobitur për mungesat pa arsye, por në njërin prej gjyqeve gjyqtari Ardit Kuka u përjashtua për shkak se mori masa ndaj avokatëve.