Rritet çmimi i ujit në Bulqizë

516
Qyteti i Bulqizës. Foto: Bulqizaime.al

Prej muajit tetor 2022 banorët e Bulqizës do të paguajnë më shtrenjtë, ujin e pijshëm dhe shërbimin për largimin e ujërave të ndotur. Përmes një vendimi që mban datën 31 gusht 2022, Enti Rregullator i Ujit ka miratuar kërkesën e shoqërisë “Ujësjellës Kanalizime Bulqizë” për rritjen e çmimit për konsumatorët familjarë për klientët publikë dhe ata privatë.

Ujësjellës Kanalizime Bulqizë në relacionin e saj të dorëzuar në Entin Rregullator të Ujit e justifikon nevojën për ndryshimin e çmimit pas një periudhe 10 vjeçare nga vendimi i fundit për tarifa në vitin 2012. “Aplikimi për herë të parë për tarifë për shërbimin e kanalizimeve të ujërave të ndotur. Nevoja për të ardhura për mirëmbajtjen e rrjeteve dhe përmirësimin shërbimeve të ofruar.” thuhet në vendimin e ERRU-së.

Aktualisht, banorët e qytetit të Bulqizës paguajnë 17 lekë/m³ për furnizimin me ujë ndërsa për largimin e ujërave të ndotur nuk është aplikuar tarifë. Ndërkohë që, me tarifat e reja do të paguhet 25 lekë/m³ për furnizimin me ujë dhe 10 lekë/m³ për ujërat e ndotur, apo në total prej rreth 47% më shumë se aktualisht për furnizimin me ujë të pijshëm. Me tarifat e reja, fatura fundore për banorët e zonës do të jetë me një kosto afro të dyfishuar nga sa paguhet aktualisht. Gjithashtu ky është edhe një unifikim i çmimit me zonat rurale, sepse në fshat çmimi ka qenë pak më i lartë se në qytet. Rritje do të ketë edhe për klientët privatë të cilët aktualisht janë faturuar me 75 lekë/m³, por prej muajit tetor 2022 do të faturohen me 83.3 lekë/m³, ndërsa largimi i ujërave të ndotur do të jetë 17 lekë/m³.

Referuar aplikimit të bërë nga shoqëria e ujësjellës-kanalizimeve, nëpërmjet rritjes së tarifave të propozuara synon të arrijë rritjen e mesatares së orëve të furnizimit me ujë, përmirësim të cilësisë së shërbimit në zonën rurale, si dhe rritja e nivelit të mbulimit me shërbimet e ujësjellës-kanalizimeve, nëpërmjet investimeve infrastrukturore dhe zgjerimin e rrjetit për zonën rurale.

Aktualisht si në qytet dhe në zonat rurale, banorët kanë probleme të shumta për furnizimin me ujë të pijshëm. Prej dy vitesh në Lagjen e Re ka nisur investimi për rrjetin shpërndarës, por akoma nuk është vendosur në përdorim. Tenderi u fitua nga kompania “Curri sh.p.k” me një vlerë në total prej 523,052,504 lekë (të reja me tvsh) ose për të qenë më të qartë, janë afro 4.4 milionë euro. Vetëm studimi dhe projektimi për ujësjellësin do të kushtonte 9,588,000 lekë (të reja me tvsh) ose 80 mijë euro. Punimet po ecin shumë ngadalë dhe aspak cilësore.

Pak muaj më parë u nënshkrua edhe marrëveshja për krijimin e shoqërisë së parë të Ujësjellës-Kanalizimeve në Dibër që përfshin bashkitë Dibër, Bulqizë, Mat dhe Klos. Subjekti me kompetenca të përbashkëta do të ketë tërsisht në zotërim veprimtarinë ekonomike të shoqërive ekzistuese të ujësjellës-kanalizimeve në katër bashkitë e qarkut Dibër. Referuar të dhënave në Qendrën Kombëtare të Biznesit shoqëria rajonale “Ujësjellës Kanalizime Dibër SH.A” do të administrohet nga Mario Bakalli.