Rinia Bulqizake, pemë e tharë nga një gozhdë e ngulur !

493

IDE- Nga Sami Curri

Rinia, kryefjala e një shoqërie, motori i zhvillimit në shumë drejtime sociale, ekonomike, motor i cili vë në lëvizje këtë makinerinë me emrin shoqëri.

Për rininë flitet shumë, krijohen programe, ngrihen tryeza dhe grupe pune për hartimin e projekteve zhvillimore, krijohen klube debati për dëgjimin e problemeve prej tyre, ideve, platformave etj. Por, jo vetëm kaq, por edhe hartohen projekte pilot në fusha të ndryshme për të pasur një rini sa më aktive, që makineria me emrin shoqëri të eci në drejtim të zhvillimit.Në shumë vende të Evropës, rinisë i kushtohet një vëmendje e veçantë, sa pikat e përmendura mësipër, shikohen dhe janë në qendër të organeve kompetente.

Kur fillova të mendoj për të shkruar për rininë, indicia për këtë temë, të themë të vërtetën, nuk ishte e imja. Pak ditë më parë më vjen një SMS nga një figurë shumë e shquar e qytetit tim, ku më kërkonte një shkrim për këtë temë, jam treguar i pasjellshëm, sepse nëse gjithmonë kur më vjen një SMS, sapo e shikoj u kthej përgjigje, në këtë rast nuk e bëra diçka të tillë, por vendosa që të shkruaj, pastaj t’i përgjigjem.

Por edhe unë pjesë e kësaj Rinisë Bulqizake jam, ndaj me to të njëjtat probleme, shqetësime, por jo idetë dhe qëndrimet, sepse edhe gishtat e dorës nuk janë të njëjtë, por ama ngelen gishta dhe bëhen bashkë për një funksion.

Në këtë memorien time të shkurtër, gjatë këtyre viteve më ka bërë përshtypje diçka, që rinia e këtij qyteti ka marrë trajtën e një balte, që është shkelur nga kushdo dhe në të ka lënë gjurmë. Gjurmë të cilat janë të mëdha, të vogla, këpuce, sandaleje, gome, thundre, shtruese, lëmuese, por që mbeten gjurmë, pra gjurmë në baltë.

Në këto vite, që nga stadi i nxënësit, tani sudent, kam parë tre kryetar bashkie që të vendosen si qytetarët e parë të këtij qyteti, të zgjedhur me votën e popullit, por siç ka edhe llafe lart e poshtë që e kanë blerë këtë pozicion, por që unë nuk e besoj diçka të tillë. Por ky populli ynë është i mençur, çoç i thotë ca fjalë të urta, ku ka zë, nuk është pa gjë!

Këta drejtuesit nuk e kanë marrë mundimin që të organizojnë një takim me të rinjtë, në ambientet e Bashkisë, Shkollë apo çfarë do ambienti qoftë, për të diskutuar me ta. Kjo nuk ka ndodhur vetëm tani, por në harkun kohor të shumë viteve, pra çdo qytetar i parë i ardhur në krye të Bashkisë i ka kaluar stafetën tjetrit, sa të prapambetur që jemi, sa për mëshirë që jemi bërë!

Ky qyteti im, ka shumë të rinj të cilët me mund, përpjekje dhe sakrifica kanë mundur të ndjekin një degë studimi në universitet, një pjesë e vogël në atë të Tiranës, e disa të tjerë në rrethe. Si drejtuesit e qytetit tim, një herë të vetmënuk e gjetën kohën t’jua dëgjojnë zërin, se mos kanë ndonjë ide, projekt për ta bërë më të mirë jetën e banorëve të këtij qyteti, apo i friksohen faktit se nesër mund të kthehet në një problem për ta, mund t’ju has sharra pa dhëmbë, në gozhdë!?

A keni menduar ndonjëherë për rininë, çështë kjo pyetje idiote, edhe pse në të vërtetë nuk ka pyetje idiote, por përgjigje idiote!?

Ku e kemi qendrën e kulturës, vendi i formimit të së ardhmes për një rini vizionare dhe të shëndoshë?
-Po ke bar-kafetë e qendrës, mund të rrishë aty dhe njëkohësisht mund të marrësh nëpër gojë dynjanë, kjo nuk formon një shoqëri me vizion për të ardhmen!?
Ku e ke bibliotekën?
-Po pikat e basteve me çfarë do të mbushen, kush do t’i plotësojë skedinat, kush do t’i parashikoj ndeshjet, e mendon këtë ti?!
Ku e ke punësimin sezonal, kryesisht për studentët?
-Po rri në shtëpi, çe do punën, kështu je më i dobishëm, më frytdhënës, ke mamin me babin që t’i paguan studimet, fundja-fundja, banka ka sa të dush, merr kredi!?
Ku i ke projektet zhvillimore?
-Po premtimet në kohë fushate, nuk i quan projekte ti, takimet dhe premtimet për ne projekte janë, mos në mandatin e parë ose të dytin, në të tretin një masë të vogël të tyre edhe mund t’i plotësojmë!
Ku i ke aktivitetet sportive, artistike, formuese me në qendër rininë?
-Po kalçeton e Istrefit, Hajdarit, Selimit, Belulit, bëhuni ca çuna dhe shko e luaj, spaskan të sosur këta kërkesat tuaja!

Rinia Bulqizake dhe Politika, këtu duhet të ndalem pak, sepse këtu më ndalet këmba edhe mua. Edhe unë lexues i nderuar, kam qenë pjesë e një forumi partiak, nuk ka fort rëndësi se ku, por le të ndalemi tek thelbi.
Unë isha pak më ndryshe, kur kisha përballë nga ata të palës tjetër, debatoja dhe mundohesha t’i mbushja mendjen atyre se partia ku unë aderoja ishte ndryshe, do t’i sillte një ritëm tjetër Shqipërisë. Por, me sa duket qenkam gabuar, nuk qenka ashtu si unë kam folur, por qenkan të gjithë njësoj.

Por le të ndalemi tek politika dhe rinia në këtë qytet!
Sa herë jemi në kohë fushate, këtu në Bulqizë ndodh diçka ndryshe, rinia, ky motori i zhvillimit, kthehet në motor fuqie për partitë. Bëhen festa alla bulqizakshe, me të ftuar nderi trupa aktorësh komik, të cilët e bëjnë edhe më komike fushatën, ku bashkë me estradën politike formojnë një kombinim të paparë. Nuk dallon dot se ku është premtimi elektoral me premtimet që bëhen nga aktori, një realitet që vetëm Bulqiza ta ofron. Po muzika, pjesa kyçe, këtë e kanë në dorë çunat e lagjes, me bokse dhe një laptop, nga një pije freskuese sponsorizuar nga partia dhe “Jasha zjarr”.

Forumet Rinore ndizen, Forumet Rinore…paska në Bulqizë forume rinore, po mbetem shumë i habitur!? Po ku janë, ku i kanë selitë, si funksionojnë, kanë marrë ndonjë aktivitet, nisëm, fushatë etj., etj..?

Po sa shumë pyetje që ke, jemi në Bulqizë, se ku mendon ti se jemi, në vendet e Evropës?!
Aaa po, shumë të rinjë tani kanë ikur në Evropë, për të kërkuar azil politik, se me gjasë atje qenka më mirë, sa gjynah që nuk ju pëlqen ky realitet!?

Po ne flasim, shkruajmë, japim ndonjë ide, por çe do, kjo rinia e qytetit tim është një pemë e tharë, nga një gozhdë që se dimë se kush e nguli në të, e që na këputi e s’na la të zhvilloheshim!