“Retro Divizioni” në Bulqizë, u prezantua me bujë, por sot nuk ka asnjë makineri në terren

737
"Divizioni” në Bulqizë

Me pompozitetin që e karakterizon zakonisht promovimin e projekteve qeveritare, më 26 nëntor 2024 u prezantua në Bulqizë “Retro Divizioni”. Ky projekt, në dukje ambicioz dhe me faqosje të shumta në 3D, parashikonte transformimin e një zone të braktisur ushtarake në një park tematik turistik e kulturor. Në prezantim morën pjesë zyrtarë të lartë si zv.kryeministrja Belinda Balluku dhe kryeministri Edi Rama, të cilët folën me entuziazëm dhe përtej “syrit të keq” që vinte nga tuneli i Murrizit – për vlerat sociale, ekonomike dhe kulturore të projektit.

Por sot, gjashtë muaj pas atij momenti, terreni është bosh. Asnjë makineri, asnjë punëtor. Rruga që të çon drejt zonës ish-ushtarake është po ajo e dikurshmja dhe gjithçka i ngjan një zone të harruar sesa një kantieri ndërtimi. Banorët thonë se i vetmi aktivitet që kanë parë në zonë ishte ai ditën e prezantimit, kur u sollën zyrtarët, administrata e katër bashkive të qarkut me detyrim dhe disa kamera për të krijuar pamjen e “fillimit të madh”, me në sfond disa kamion dhe një fadromë.

“Ditën që u bë prezantimi me propagandë, ishin sjellë ca makina dhe punëtorë vetëm për të dhënë pamjen sikur po fillonte puna. Festimja si zonjë shpije vinte vërdallë me punëtorët e shkretë të bashkisë. Kishin marrë edhe kodoshët e Matit, Klosit e Dibrës. Cirk pa lek si i thonë. Të nesërmen nuk u pa më asgjë. Thjeshtë rregulluan me çakull rrugën. Që prej asaj dite këtu s’ka lëvizur asgjë,” – tregon një banor i lagjes afër zonës ushtarake për Bulqizaime.al.

Sipas të dhënave zyrtare, tenderi për realizimin e projektit u hap nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në tetor 2024 me një vlerë prej rreth 3.4 milionë euro dhe u fitua nga kompania “Ulza” me një ofertë prej rreth 2.4 milionë euro. Kohëzgjatja e planifikuar është 24 muaj. Nga ana zyrtare, Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) dhe institucionet lokale nuk kanë dhënë ndonjë sqarim pse punimet janë ndalur.

Një vizion i bukur… në letër

Në fjalimet e tyre, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, dhe kryeministri Edi Rama, e përshkruan “Retro Divizioni” si një projekt transformues. Sipas tyre, ai nuk do të ishte thjesht një rikthim i zonës ushtarake të braktisur, por një shkëndijë e re për turizmin në Dibër, duke përfshirë në të zhvillimin grupe të ndjeshme si gratë kryefamiljare dhe artizanët lokalë.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe kryeministri Edi Rama ditën e prezantimin. Foto: Zyra e Kryeministrisë, postuar në rrjetet sociale.

“Nuk është thjeshtë një projekt për nxitjen e turizmit në qarkun e Dibrës, sidomos në Bulqizë. Por mbi të gjitha është një projekt që kërkon të përfshijë brenda zhvillimit të tij edhe shumë grupe në nevojë, siç janë edhe gratë kryefamiljare.” Ajo nënvizoi se projekti do të ketë vlera muzeale dhe do të shndërrojë ndërtesat ekzistuese në funksione të reja, duke përfshirë edhe tregje për prodhimet lokale. “Ndërtesa si kjo pas krahëve të mi do të kthehet në një treg model për të gjitha produktet e Bulqizës, Klosit dhe Matit. Pse jo edhe të Dibrës,” tha ajo. Sipas ministres, disa ndërtesa do të rindërtohen nga e para dhe të tjerat do të rikonstruktohen për t’u kthyer në njësi hotelerie e shërbimesh, duke pasur parasysh edhe turistët që udhëtojnë me kamper. “Një pjesë do të rikthehen në një park të madh argëtimi, jo vetëm për qytetarët e qarkut, por edhe për qytetarët e Tiranës,” shtoi Balluku. Ajo theksoi se synimi fillestar ka qenë i qartë: “Si ta bënim që të gjithë qytetarët e Tiranës të vinin gjatë fundjavave këtu.”

Rama, nga ana tjetër, theksoi se zona do të shndërrohej nga një shembull degradimi në një magnet për vizitorët, duke përfshirë edhe të rinjtë e Tiranës që do të tërhiqeshin nga një park argëtimi dhe një treg model për produktet lokale. “Ky është një projekt jashtëzakonisht unik,” theksoi Rama. “Nuk flasim vetëm për transformimin e një zone ushtarake të braktisur që nga fillimi i viteve 2000 – një territor që sot është simbol i degradimit – por për krijimin e një destinacioni turistik të paparë në Shqipëri.”

Duke vazhduar fjalin para punonjësve të administratës, Rama sqaroi se: “Fondi i Zhvillimit nuk do të ndërtojë thjesht infrastrukturë në 10 hektarë tokë. Ne po krijojmë një hapësirë ku do të japim rast artizanëve lokalë – veçanërisht grave të fortë që e kanë shpëtuar familjen me djersën e ballit, duke ruajtur traditat ushqimore dhe artizanale të këtij rajoni. Kjo nuk është thjesht për të shitur produkte, por për të treguar historinë e kësaj zone.”

Projekti “Retro Divizioni” në Bulqizë. Projekti nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit

Në mënyrë të veçantë, ai theksoi se: “Këtu nuk po ndërtojmë thjesht hotele apo rrugë. Po krijojmë një model ku trashëgimia bëhet ekonomi, dhe ekonomia bëhet shpresë për komunitetin. Është kjo lidhje magjike që e bën këtë projekt kaq të veçantë.”

Një tjetër pikë e diskutueshme në këtë projekt është situata e pronësisë. Katër nga ndërtesat në zonë janë të banuara nga familje që prej dekadash jetojnë aty. Ndërkohë që projekti parashikon që pesë objekte të prishen dhe shtatë të tjera të restaurohen. Pak ditë para prezantimit të projektit, në një përgjigje për Bulqizaime.al, Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) sqaroi se objektet me banorë aktualë nuk do të ndikoheshin nga zbatimi i punimeve.