Rënia e çmimit të kromit çon drejt kolapsit galeritë e Bulqizës

Mbi 30 kompani që kanë koncesione në Martanesh dhe Bulqizë kanë bërë shkurtime dhe kanë vonuar prej muajsh pagat për minatorët për shkak të rënies së çmimeve të kromit në bursa, duke zhytur në varfëri qindra familje që mbajnë frymën gjallë me punën nëntokë.

484
Zona mineralmbajtëse D në Bulqizë. Foto: Sami Curri

Agimi* ka afro 20 vite që punon në galeritë e kromit të Bulqizës, por deri tani nuk kishte parë një krizë të tillë. Ai aktualisht punon si armator në një prej galerive e të ashtuquajturës zona D, nën kontrollin e një kompanie koncesionare dhe tregon se ka tre muaj që nuk paguhet.

Punëdhënësi i ka thënë se nuk po e shesin dot mineralin që kanë nxjerrë për shkak të rënies së çmimit të kromit në tregjet ndërkombëtare.

“Fëmijët në shtëpi, nuk duan shumë të dinë nëse është shit kromi apo jo, por duan që të hanë,” thotë ai.

Eltjon Deda, administratorë i dy kompanive që operojnë në këtë fushë, thotë se kriza filloi në pranverë të vitit 2018, kur çmimet e kromit ranë nga 250 USD për ton në rreth 140 USD.

Ai shpjegoi se tani kromi i cilësisë së mirë me 42% mineral shitet për 140 USD për ton, por shumica e galerive nxjerrin mineral me cilësi më të dobët, ndërsa për çdo pikë ulje në cilësi, çmimi ulej me 10 USD.

“Aktualisht jemi në periudhën që me një çmim të tillë, prodhimi është nën koston e nxjerrjes,” shprehet Deda.

Një zyrtar i Inspektoritatit të Punës në Dibër i tha BIRN se rreth 30 kompani të vogla minerare kishin probleme me pagat, por numri i punëtorëve të prekur nuk ishte i qartë.

BIRN mësoi gjithashtu se të tjera kompani planifikonin të mbyllnin galeritë në të cilat punonin në vjeshtë, në qoftë se çmimi i shitjes së mineralit nuk do të rritej.

Institucionet e ndihmës sociale shprehen se gjatë muajve të fundit ka pasur një rritje të punëtorëve që kanë aplikuar për pagesën e papunësisë dhe të familjeve në ndihmë ekonomike.

Kriza në sektorin e minierave rrezikon të zhysë në krizë ekonomike të gjithë zonën. Sipas Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, AKBN, gjatë vitit 2018, në galeritë e kromit punonin 3170 punonjës, ose rreth 1 në çdo 10 banorë të Bulqizës sipas censusit të vitit 2011. Kjo është pjesa dërrmuese e krahut të punës në qytet.

E ndërsa një pjesë e subjekteve po futen në muajin e katërt që nuk paguajnë pagat e punëtorëve, pasojat ekonomike kanë filluar të ndjehen në ekonominë e qytezës minerare. Shumë nga pronarët e kafeneve dhe ushqimoreve në lagje tregojnë se lista e borxheve po shtohet çdo ditë edhe më shumë.

Minatorët përballen me paqartësi

Besmiri, ka afro 8 vite që ka lënë emigracionin në Greqi dhe u vendos së bashkë me bashkëshorten dhe dy fëmijët tek prindërit në Bulqizë. E vetmja punë që mund të gjente në vendlindje ishte në minierë.

Ai thotë se viti i fundit ka qenë shumë i vështirë, pasi kanë hyrë në muajin e tretë që nuk i kanë marrë pagat.

“Ne jemi në këtë bela ka më shumë se tre muaj, gjithë kjo e shkaktuar me justifikimin që nuk kemi shitur kromin,” tha ai. “Po se çfarë na duhet ne a është shit kromi në Durrës, a jo,” shtoi Besmiri.

Minatori tha se disa vite më parë, edhe pse çmimet e kromit ishin 400 USD për ton askush nuk u dha atyre ndonjë shpërblim apo shtesë page.

“Ne, në gjithë këto vite me nga 20 mijë deri në 24 mijë lekë në ditë kemi punu,” kujtoi ai. “Edhe këto tani nuk po na i japin,” shtoi Besmiri, pa dhënë emrin e kompanisë ku punonte, për shkak të frikës se mund të penalizohej.

Minatorët tregojnë se ka shumë prej tyre që kanë shkuar edhe deri në përplasje fizike me administratorët e galerive për shkak të pagave që nuk janë paguar.

Të tjerë i thanë BIRN se kishin marrë kredi në banka dhe institucione financiare të vogla, të cilët po e rrisin presionin çdo ditë edhe më shumë për këstet e kredive të papaguara.

Për Sindikatën e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, SMBB, minatorët që nuk kanë marrë pagat prej 3 muajsh, janë duke luftuar për mbijetesë.

“Pa transparencë e përgjegjësi, një pjesë e madhe e pronarëve të këtyre galerive justifikohen se nuk po arrijnë dot ta shesin kromin e mbledhur. E prapëseprapë puna vazhdon përditë, krom nxirret e transportohet njëlloj si më parë,” shkruhet në reagimin e postuar në rrjetin social Facebook.

SMBB i bën thirrje institucioneve shtetërore që të marrin masa për një problematikë të tillë.

“Askush nuk e di se ku shkon e sa shitet kromi i nxjerrë nga duart e sakatuara të minatorëve, por kuptohet lehtë se ka një problem që të pushtetshmëve të zonës nuk u intereson ta zbardhin,”  thuhet në reagimin e SMBB.

Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, për 11 muajt e parë të vitit 2019-të, Shqipëria eksportoi krom dhe çimento në vlerën e 15.5 miliardë lekë ose rreth 126 milionë euro.

Asnjë zgjidhje në horizont

Kompania më e madhe e nxjerrjes së kromit në vend, Albchrome – që ka rreth 700 punëtorë, nuk ka pasur probleme me dhënien e pagave. Por BIRN mësoi se disa prej kompanive të vogla rrezikojnë mbylljen në shtator.

Dy drejtues kompanish me të cilët BIRN foli kërkuan ndërhyrje të qeverisë. Ata pretenduan se vetëm përmes uljes së taksave apo të paktën shtyrjes së tyre në kohë, një pjesë e kompanive kishin mundësi të mbijetonin.

Presidenti i Kompanisë “Dema Patine”, Edmond Isaku, tha se kompanitë koncensionare të nxjerrjes së kromit po përjetojnë një krizë të thellë likuiditeti dhe në një situatë të tillë rrezikojnë falimentimin.

“Kjo krizë është shumë shqetësuese pasi në këtë situatë do të ketë një përkeqësim të bilanceve financiare të kompanive,” tha Isaku.

“Nëse do ta përmblidhja në pikat kyçe të krizës janë vështirësi të mëdha në pagesën e faturave, pagave të punonjësve dhe të detyrimeve tatimore, pa përjashtuar edhe detyrimet portuale,” shtoi ai.

Eltjon Deda, administratori i kompanive Kevger dhe Isaku sh.p.k – që operojnë në zonën krom-mbajtëse D të Bulqizës, tregon se aktualisht po përballen edhe me një rënie të rezervave minerare, çfarë ka sjellë rritje të kostos për nxjerrjen e kromit nga nëntoka.

Për Dedën qeveria  do të ndihmonte nëse do të pezullonte për një periudhë të caktuar kohore pagesën e detyrimeve karshi institucioneve shtetërore.

“Këtu flas jo që shteti t’i fali si detyrime, por që të jenë një borxh i akomuluar, ku në momentin që situata merr një drejtim më pozitiv, të fillojnë të shlyhen pak nga pak,” tha ai, duke sugjeruar shtrirjen në kohë të pagesës së rentës minerare.

Ndërsa Isaku kërkoi që ndihma nga qeveria të ishte edhe më e madhe.

“Të hiqet ose të ulet në 2 % renta minerare; të ulen shpenzimet portuale; të mos vihen sanksione tatim-fitimi,” theksoi ai, ndërsa shtoi se “këto probleme nuk janë vetëm për Bulqizën, por në të gjithë Shqipërinë ku ka subjekte minerare.”

Isaku gjithashtu kërkoi një marrëveshje me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve për pagesën e sigurimeve, për një afat 6 mujor.

“Kjo do të na jepte mundësinë për të mbajtur numrin aktual të punonjësve, për të mos shkurtuar vendet e punës ku humbin pagesën mijëra familje,” nënvizoi ai.

BIRN iu drejtua edhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për koment mbi situatën dhe ndërhyrjet e mundshme, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk mori përgjigje.

Kriza sociale

Shqipëria është e njohur për potencialin e lartë të mineralit të kromit. Burimet kryesore shtrihen në Bulqizë, Martanesh dhe Klos, por edhe në juglindje dhe rajonin qendror. Rezervat e kromit në Shqipëri janë të një cilësie që luhatet nga 15% deri në 48%.

Por megjithë këtë pasuri Bulqiza është një nga qytetet më të varfër në vend dhe me shumë probleme sociale, që pritet të thellohen për shkak të krizës në miniera.

Zyra e ndihmës ekonomike në Bashkinë Bulqizë i tha BIRN se krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, janë afro 300 familje më shumë që po trajtohen me ndihmë ekonomike.

Zhuljeta Deda, drejtuese e zyrës së çështjeve sociale, tregon se një rritje e tillë e familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike, vjen kryesisht si pasojë e krizës në sektorin minerar.

“Në Bulqizë, pjesa më e madhe e familjeve e kanë një të punësuar në minierë,” tha Deda, ndërsa shtoi se një krizë në këtë sektor jep ndikim të menjëhershëm në ekonominë e qytetit.

“Ne jemi munduar që me pagesën e ndihmës ekonomike, të ndihmojmë sadopak në zbutjen e këtij problemi,” theksoi ajo.

Rritje e personave që kërkojnë ndihmë raportoi edhe Zyra Vendore e Punësimit në Bulqizë. Jetmira Doda, nga ZVP Bulqizë shprehet për BIRN se që nga fillimi i muajit shkurt, është regjistruar një tendencë në rritje e personave që paraqiteshin për trajtim me pagesë papunësie.

“Kjo si shkak sepse disa subjekte minerare, të cilat kishin probleme në shitjen e kromit, kishin shkurtime në stafin e punës,” tregoi Doda.

Shumë minatorë që po vuajnë mungesën e pagës shprehen se nuk kanë protestuar  dhe as kanë denoncuar pranë institucioneve shtetërore, me shpresën se dita-ditës kjo situatë do të marrë zgjidhje. Paga nga galeritë është shpesh i vetmi burim të ardhurash për shumë familje në Bulqizë, ku shumë gra punojnë si seleksionuese të mineralit.

Flutura është një prej tyre.  Ajo që prej vitit 2007-të punon si seleksionuese kromi dhe ka bashkëshortin minator në një galeri.

“Vetëm aty ke puna ime, janë largu shumë,” tha ajo, ndërsa shpjegoi se pasi kanë filluar problemet me pagat një pjesë e punëtoreve e kanë lënë punën duke u ankuar se “po punojmë e po lodhemi e lekët nuk po i marrim.”

Flutura thotë se është detyruar të qëndrojë në punë me shpresën se një ditë do të kompensohet për mundin, pasi familja e saj nuk ka ekonomi për të përballuar situatën.

“Ne me këtë rrogë jetojmë. Ja mbajmë një muaj. Por muajin tjetër ne jemi me listë tek dyqani,” shpjegoi ajo.

“E dimë që puna në galeri është shumë e rrezikshme, por ne me atë punë kemi bukën, fëmijët për të rritur,” përfundoi ajo.

*Emrat e minatorëve në artikull janë ndryshuar  nga redaksia, për të ruajtur identitetin sipas kërkesës së tyre.