Socialistët pritet të miratojnë të martën në Kuvend një projektvendim që ndryshon përbërjen dhe mënyrën e funksionimit të Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale, duke i dhënë Partisë Socialiste shumicën e anëtarëve dhe duke hequr të drejtën e vetos dhe bashkëkryesimit për opozitën.
Gjatë mbledhjes së së hënës, bashkëkryetari socialist i komisionit, Arbjan Mazniku, e cilësoi ndryshimin si një “mekanizëm zhbllokues”, me argumentin se bojkoti i opozitës ka penguar funksionimin normal të komisionit. Sipas tij, reforma territoriale duhet të përmbyllet brenda korrikut të këtij viti, të paktën një vit para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2027.
“Është e rëndësishme që reforma territoriale të përfundojë rreth korrikut. Komisioni do të nisë fazën e konsultimeve me bashkitë dhe grupet e interesit për çështje që lidhen me kompetencat, funksionet dhe financimin e qeverisjes vendore,” deklaroi Mazniku.
Sipas projektvendimit, përbërja e komisionit do të ndryshojë me shtimin e një anëtari për PS-në, duke e çuar numrin e socialistëve në 9 nga 17 anëtarë. Fillimisht ishte parashikuar ndarje e barabartë mes mazhorancës dhe opozitës. Po ashtu, komisioni do të humbasë karakterin bipartizan, pasi nuk do të drejtohet më nga dy bashkëkryetarë, por nga një kryetar i PS-së dhe një nënkryetar nga Partia Demokratike.
Ekspertët e pushtetit vendor kanë shprehur shqetësim për rrezikun e një reforme të njëanshme.
Komisioni i Posaçëm për Reformën Territoriale dhe ai për Reformën Zgjedhore u ngritën fillimisht me konsensus mes dy partive të mëdha, por opozita ka bojkotuar disa prej mbledhjeve, ndonëse nuk ka pasur një vendim formal për bojkot afatgjatë. Socialistët kanë paralajmëruar se të njëjtin “mekanizëm zhbllokues” mund ta aplikojnë edhe për reformën zgjedhore, nëse bojkoti vazhdon.
Komisioni synon të rishqyrtojë reformën territoriale të vitit 2014, e cila shkrriu komunat dhe krijoi 61 bashki dhe 12 qarqe. Në fokus të punës së tij janë analiza e kuadrit ligjor dhe institucional të qeverisjes vendore, opsionet për ridizenjimin territorial, forcimi i kapaciteteve administrative dhe rishikimi i sistemit të financave vendore.
Ndërkohë, brenda Partisë Demokratike janë shfaqur përçarje lidhur me bojkotin. Gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura të grupit parlamentar, disa deputetë kundërshtuan linjën e Sali Berishës për mospjesëmarrje në komisione, duke argumentuar se opozita nuk duhet të lërë hapësirën bosh.
“Duhet të shkojmë dhe të shpalosim opsionin tonë për qytetarët,” deklaroi deputeti Bledjon Nallbati. Edhe Ina Zhupa u shpreh se pjesëmarrja është e domosdoshme për interesin publik, pavarësisht se opozita nuk i ka votat për të ndikuar vendimmarrjen.
Pas këtyre qëndrimeve, bashkëkryetari demokrat i komisionit, Luçiano Boçi, njoftoi se PD do të vijojë të jetë pjesë e komisionit. “Qëndrimi i PD është që do të vazhdojmë pjesëmarrjen në komision, në një mbledhje të dakordësuar me bashkëkryetarët,” tha Boçi.
Mazhoranca ka bërë të ditur se gjatë muajve shkurt dhe mars do të zhvillohen takime dhe konsultime në qarqe me kryetarë bashkish, shoqërinë civile dhe qytetarët, ndërsa në prill-maj pritet të nisë hartimi formal i ligjit për reformën administrativo-territoriale.









