Raporti i Prokurorisë së Përgjithshme: Gjatë vitit 2022 Dibra vazhdoi me koeficient të kriminalitetit nën mesataren kombëtare

641
Prokuroria e shkallës së parë Dibër Foto: Sami Curri

Në raportin vjetor të Prokrurorisë së Përgjithshme për vitin 2022, bëhet me dije se në prokurorinë e shkallës së parë Dibër janë regjistruar 516 procedime penale ndërsa në atë të Matit janë regjistruar 178 procedime penale. Krahasuar me vitin 2021 në Dibër ishin regjistruar 551 procedime penale ndërsa në atë të Matit ishin regjistruar 169 procedime penale.

Koeficienti i kriminalitetit për procedimet penale të regjistruara, për 100,000 banorë në vitin 2022 është 920, duke shënuar një ulje të lehtë në krahasim me vitin 2021, ku koefiçenti i kriminalitetit ka qenë 1002. Në qarkun Dibër që përfshin prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë Dibër dhe Mat, koeficienti i kriminalitetit për 100,000 banorë është 633, duke mbetur njëjtë si në vitin 2021.

Siç rezulton nga të dhënat e publikuara nga Prokuroria e Përgjithshme, përqindjen më të ulët të koeficientit të kriminalitetit në vitin 2022 e ka qarku Berat, ndërsa përqindjen më të lartë e ka qarku Gjirokastër.

Në raportin e prokurorisë, rezulton se në Dibër, koeficienti më i lartë për 100,000 banorë është për veprën plagosje e lehtë me dashje me 38 procedime në total. Në grupin e veprave penale kundër shëndetit të kryer nga pakujdesia, Korça dhe Dibra mbajnë një numër të lartë të koeficientit për banorë, ku në Dibër ka pasur 18 procedime penale. Ajo që bie në sy është se në Dibër ka pasur 0% raste të procedimeve penale të nisura për korrupsion. Gjithashtu edhe për veprat e tjera penale, Dibra dhe Mati mbajnë një raport të ulët për procedimet, jo më shumë se 1-4% të totalit kombëtar.

Në prokurorinë e shkallës së parë Dibër janë ndjekur në total 1777 çështje, ndërsa në atë të Matit janë 347 çështje. Këtu përfshihen çështjet e mbartura, të regjistruara, rifilluara dhe ato të mos filluara. Ngarekesa mesatare në hetim për prokurorët në Dibër, kjo sipas numrit organik, vazhdon të mbetet e lartë, renditur në vendin e tretë me 296 çështje. Ndërsa ngarkesa mesatare në Mat është shumë e ulët me 116 çështje për prokuror.

Autoritetet gjermane kanë përcjellë një kërkesë për ndihmë juridike me objekt ushtrimin e ndjekies në Shqipëri, për kryerjen e veprës penale “vjedhje e rëndë”, parashikuar nga legjislacioni gjerman, e cila i është përcjellë për kompetencë Prokurorisë së Rrethit Gjyësor Dibër.

Gjatë vitit 2022 në vend nga prokuroria janë trajtuar 61045 materiale kallëzuese, që përbën një rritje me 0.11% me vitin 2021. Gjatë vitit 2022 është përdorur përgjimi i komunikimeve elektronike nga prokurorët në fazën e hetimeve paraprake në 573 procedime penale. Në raport, thuhet se është realizuar përgjimi për 3391 pajisje fundore. Në total janë ekzekutuar 1312 vendime për përgjim të autorizuar nga gjykata dhe 607 urdhëra të prokurorit.