Raporti i KLSH për Bashkinë Bulqizë në vitin 2022: Në 17 prej 20 procedurave të prokurimit publik, operatorët fitues nuk plotësojnë kriteret

364
Godina e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Foto: KLSH

Në raportin e përgjithshëm të Kontrollit të Lartë të Shtetit për aktivitetin e Bashkisë Bulqizë në vitin 2022, evidentohen disa shkelje dhe parregullsi të rëndësishme në menaxhimin financiar dhe administrativ.

Raporti gjithashtu identifikon se nga 20 procedura të audituara, në 17 prej tyre me vlerën prej 388,974 mijë lekë pa TVSh, operatorët ekonomik të shpallur fitues nuk i plotësonin të gjitha kriteret e vendosura.

“Në të gjitha procedurat e audituara, u konstatua se kriteret e vlerësimit janë vendosur në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik dhe Rregullat e prokurimit publik, duke shkelur qëllimin dhe parimet kryesore të LPP-së, siç është nxitja e konkurrencës dhe pjesëmarrjes së shoqërive të vogla e të mesme, trajtimi i barabartë, mos diskriminimi etj; Në të gjitha procedurat e audituara, u konstatua se raporti përmbledhës i procedurës së auditimit nuk i përmban të gjithë elementët e kërkuar në LPP.” thuhet në materialin e KLSH-së.

Në aspektin e menaxhimit të të ardhurave vendore dhe zbatimin e kontratave të punimeve, raporti tregon mungesën e procedurave të plota, duke sjell një sërë dëmesh financiare për bashkinë. Siç thuhet në raport, “Në administrimin e të ardhurave vendore nga subjektet fizike/juridike dhe abonentët familjare, si dhe personat që kanë kontratë qiraje, leje legalizimi për ndërtim pa leje, nuk janë ndjekur procedurat e plota për arkëtimin e debitorëve në vlerën 130,153 mijë lekë”. Gjithashtu, në raport janë identifikuar dëme edhe në zbatimin e kontratave të punimeve për vlerën 1,730 mijë lekë, si dhe në llogaritjen e taksës së ndikimit në infrastrukturë për vlerën 689 mijë lekë.

Në raportin drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, thuhet se nga auditimi i pasqyrave financiare vjetore, është zbuluar se llogaritë e inventarit janë pasqyruar për vlerën kontabël pa u krahasuar me inventarin fizik dhe detyrimeve të papaguara për qira dhe taksën e ndikimit në infrastrukturë. Po ashtu, shkelje janë evidentuar edhe në analizën e vlerës së projekteve, si dhe nuk janë pakësuar vlerat e artikujve të transferuar për ujësjellës-kanalizime me një shumë prej 926,427 mijë lekë.

Nga viti 2019-të deri në fillim të vitit 2023 Bashkia Bulqizë është drejtuar nga Lefter Alla. Ky i fundit u gjet fajtor për aferën korruptive në tenderimin për ndërtimin e kanalizimeve dhe ujësjellësit në Lagjen e Vjetër. Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar konstatoi se procedura e prokurimit për të cilën akuzoheshin një sërë zyrtarësh të Bashkisë Bulqizë ishte në kundërshtim me ligjin për prokurimin publik dhe punimet po kryheshin nga një kompani që nuk ishte shpallur fituese dhe e lidhur me Allën.